Moska synon destabilitetin në Ballkan: Pas sulmit kibernetik të shërbimeve qeveritare malazeze qëndron Rusia

26 Gusht 2022, 16:37Rajoni TEMA

Moska synon destabilitetin në Ballkan: Pas sulmit kibernetik të

Agjencia e Sigurisë së Malit të Zi (ANB) ka konfirmuar se shërbimet ruse ishin përgjegjëse për një sulm të fuqishëm kibernetik që preku të gjithë strukturën shtetërore të informacionit të Qeverisë malazeze.

Kështu shkruan Radio Evropa e Lirë, për të cilën një zyrtar i ANB-së ka konfirmuar lajmin.

Sipas kësaj agjencie sulmi ishte i parapërgatitur prej kohësh dhe se një sulm i të tilla përmasave ishte i paprecedentë në shtetin ballkanik.

“Infrastruktura kritike shtetërore është sulmuar”, tha zyrtari.

Qëllimi i sulmit të 23 gushtit, sipas drejtorisë së Administrimit Elektronik dhe Sigurisë së Informacionit, ka qenë ai i kriptimit të të dhënave qeveritare.

Mirëpo, sulmuesit nuk ia kanë dalë në këtë përpjekje.

Dushan Poloviç, pjesë e drejtorisë për sigurinë e informacionit, ka deklaruar për mediat malazeze se me siguri të plotë, mund të thotë se të dhëna të kriptuara nuk ka pasur në sistem.

Poloviç vijoi më tej duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë vetëm për të dhëna qeveritare, të cilat gjenden në faqe, por edhe për korrespondencë, shkëmbime brenda sistemit, apo të dhëna sekrete të Qeverisë.

Pre e mundshme e sulmit kanë qenë edhe institucionet e sistemit të drejtësisë apo mbrojtjes.

Ky sulm, vjen pikërisht ditë pas rrëzimit të Dritan Abazoviç dhe kabinetit të tij qeveritar, me një mocion mosbesimi në Parlament.

Ndërkohë, një sulm i ngjashëm ndodhi në Shqipëri muajin e shkuar, ku u tentua të vidhen të dhëna qeveritare dhe për disa kohë, shërbimet e faqeve u pezulluan.

Pas sulmit në Shqipëri, me shumë gjasë fshihet një grup iranian i quajtur “Homeland Justice”, i cili ka marrë edhe autorësinë e tij. Por, ende asgjë nuk është faktuar.

Nga Qeveria shqiptare kanë bërë me dije se dy shtete dyshohen se mund të jenë organizues të sulmit kibernetik, por ende nuk është bërë me dije se cilat janë ato.

Aq më tepër, nëse kemi të bëjmë me të njëjtin rast në Malin e Zi, pasi skenarët janë shumë të ngjashëm.

Lini një Përgjigje