Sa (jo)serioz ishte atentati i planifikuar ndaj Albin Kurtit

20 Shtator 2022, 13:48Rajoni TEMA

Sa (jo)serioz ishte atentati i planifikuar ndaj Albin Kurtit

“Sipas akteve të ekspertimeve, thika nuk i plotësonte kushtet teknike si armë e ftohtë dhe mekanizmat e tjera nuk janë armë luftarake të plota për të realizuar qitje”.

Kështu thuhet në raportin e policisë dërguar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në Shqipëri, Gledis Nano, pasi ishte bërë kontrolli në dy shtëpitë e Prekë Kodrës, për të cilin të hënën u dha lajmi se ishte ekspert snajperi dhe se po planifikonte vrasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Arsyeja pse Kodra nuk është i arrestuar është pikërisht fakti se pas kontrollit të policisë nuk i ishte gjetur asgjë serioze dhe për më tepër, siç thuhet në raportin e policisë, disa municione të gjetura në banesën e tij, ishin materiale që djali i Kodrës i kishte hasur në mal e dërguar në shtëpi.

“Nga të dhënat që disponojmë, gjatë hetimit të prokurorisë ka rezultuar se shtetasi E.K ka shpjeguar se ai i ka gjetur sendet e sekuestruara në mal në fshatin e tij dhe i ka marrë në shtëpi pa lejen e prindërve. Në këtë mënyrë hetimi për sendet e kundërligjshme ka marrë për subjekt të veprës penale shtetasin Emanuel Kodra i cili është shtetas i mitur i cili nuk ka mbushur akoma moshën 16 vjeç”, shpjegon raporti.

Kontrolli nga policia në banesën e Prekë Kodrës ishte kryer me datën 20 gusht të vitit 2021 në fshatin Abat.

Kontrolli ishte ushtruar në kushtet e flagrancës “pas një telefonate të mbërritur në sallën operative të DPV Shkodër se aty ka armë dhe persona në kërkim”.

Gjatë kontrollit të banesës, tregon raporti, nuk ishte i pranishëm shtetasi Prekë Kodra por ishin dy fëmijët e tij të mitur.

Për këtë arsye “është marrë i pranishëm shtetasi V.B, i cili është edhe i afërm i Prekës”.

Banesa ishte ndërtese 2+1 kate, e ndërtuar me gurë dhe shtruar pllaka guri, “në katin e parë ishte një dhomë gjumi dhe kuzhinë në të cilën pas kontrollit nuk u gjend ndonjë gjë e kundërligjshme”.

Në katin e dytë në një dhomë, mbi një krevat ishte një çantë sportive si ato ushtarake, “me disa pajisje të dyshuara që mund të përdoren për armë luftarake si dhe fishekë arme zjarri, fishekë arme gjahu”.

Por, siç ceket në raport, mekanizmat e gjetur “nuk janë armë luftarake të plota për të realizuar qitje”.

Kontroll ishte kryer edhe në një banese në fshatin Shtoj i Vjetër, e cila ishte banesa e dytë e shtetasit Prekë Kodra dhe gjatë kontrollit po ashtu nuk ishte i pranishëm ky shtetas por bashkëshortja e tij B.K.

“Aty është bllokuar një çifte me leje së bashku me lejen përkatëse, te cilat i kaluan Komisariatit të Policisë Shkodër për bllokim pasi Prekë Kodra u shpall në kërkim si person i dyshuar për mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Kështu, pas kryerjes së veprimeve hetimore në drejtim të subjektit dhe rrethanave në tërësi prokuroria me datë 25 tetor të vitit të kaluar “me vendim është shprehur për pushimin e Procedimit Penal nr. 936, duke u mbështetur në Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit pasi është vendosur për zbatimin e masës së shmangies dhe paralajmërimit me shkrim për të miturin E.k.”.

Për të miturin ishte bërë vlerësimi përkatës sipas përcaktimeve ligjore dhe të gjithë veprimet e detyrueshme sipas përcaktimeve për të miturit për të cilët drejtësia penale ka të përcaktuara rregulla të veçanta proceduriale.

Në lidhje me sendet e sekuestruara prokuroria është shprehur për konfiskimin e kalimin në favor të shtetit për sendet e paligjshme fishekë, mekanizma të armëve, thika ndërsa për sendet jo të kundërligjshme kthimin e tyre shtetasit E.K., apo personave të tjerë që u takojnë.

Çfarë u raportua fillimisht?

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do t’i bëhej një atentat prej një shtetasi shqiptar, sipas të dhënave që dolën nga publikimi i email-eve të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Të dhënat u publikuan nga hacker-ët iranianë të njohur si grupimi “Homeland Justice”, të cilët kanë shpërndarë në median e tyre Telegram një dosje me mbi një gigabyte të dhëna, sa i përket korrespondencës së Nanos.

I dyshuari, siç shkruhet në mesazhin e informacionit nga Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë, ishte shtetasi Prek Kodra.

Dy persona të tjerë ishin në shënjestër të një sulmi të mundshëm po ashtu.

I pari, Xhavit Haliti, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe tjetri, Ismet Hoxha, ish-pjesëtar i Shërbimeve Sekrete të Kosovës dhe i afërm i Kadri Velesit, ish-kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Qëllimi i këtyre vrasjeve, siç thuhej në dokument, ishte destabilizimi i Kosovës.

Vrasjet, do të ndodhnin një muaj njëra larg tjetrës në afat kohor, supozohej.

 

1 Komente

  1. K
    Kim Yong

    Ja edhe kete "atentat" e morem vesh. Do vrisnin Binin me cifte nga ato qe vriten zogjte.. sa media jo serioze kemi. Mire e morem vesh qe Preka ishte "dorasi", po kush e kishte porositur "vrasjen"? Mos na thoni qe e kishte porosite Rama apo Basha?

    Lini një Përgjigje