Serbia vendos regjim të veçantë kontrolli ndaj zyrtarëve kroatë

18 Korrik 2022, 09:21Rajoni TEMA

Serbia vendos regjim të veçantë kontrolli ndaj zyrtarëve

Nga 17 korriku, të gjithë zyrtarët kroatë do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli.

Ky urdhër që ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, është masa që ka marrë Serbia si kundërpërgjigje ndaj Kroacisë, që i ndaloi vizitën presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

 “Të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë poseduesit e pasaportave zyrtare apo diplomatike do të duhet të shpallin dhe arsyetojnë veçmas vizitën apo kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli”, tha deklaruar ministri i Brendshëm i Serbisë Alesandër Vulin.

Ndërkaq kryeministrja e serbisë, Ana Bërnabiç tha se veprimi i autoriteteve kroate është “skandali më i madh në historinë moderne të Serbisë dhe Kroacisë”.

Vuçiç do të vizitonte Jasenovacin, një kamp përqendrimi në fshatin me po të njëjtin emër në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte një prej dhjetë kampeve më të mëdha të përqendrimit në Evropë. Në Luftën e Dytë Botërore, dhjetëra-mijëra serbë, hebrenj, rom dhe kroatë anti-fashistë u vranë në këtë kamp, që njihet edhe si “Aushvici i Kroacisë”.

Media në Kroaci shkruajnë se pa asnjë njoftim zyrtar për autoritetet kroate, dhe as koordinim me ambasadën, Vuçiç ka dashur që ta kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina, përkatësisht Republika Sërpska dhe të mbërrijë në Jasenovac.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliç Radman, përmes një konference për media, sqaroi se autoritetet kroate kishin kuptuar përmes kanaleve jozyrtare që Vuçiç po planifikonte të vizitonte Jasenovacin dhe i ka dorëzuar një notë proteste Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, postoi në Instagram një fotografi të monumentit të Jasenovacit dhe shkroi: “Populli serb do të jetojë dhe nuk do të harrojmë asnjëherë”.

Lini një Përgjigje