Shefi i EULEX-it: Banjska e ka dëshmuar brishtësinë e veriut

9 Qershor 2024, 17:14Rajoni TEMA
Shefi i EULEX-it: Banjska e ka dëshmuar brishtësinë e veriut

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka thënë të dielën se sulmi në Banjskë të Zveçanit e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e veriut të Kosovës, dhe ka bërë thirrje për dhënie fund të tensioneve dhe krizave.

Ai i ka bërë këto deklarata në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

“Banjska e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e kësaj zone. Prandaj, kjo zonë kërkon vëmendje të veçantë. Ne jemi vigjilentë për të parandaluar çdo rikthim të mundshëm të dhunës”.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.


Kosova e konsideron Serbinë si përgjegjëse për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradin mohon gjithçka.

Shefi i EULEX-it ka bërë thirrje që Serbia të bëjë të pamundurën për të parandaluar përsëritjen ndonjë situate sikurse ajo në Banjskë.

“Presim prej Serbisë që të ushtrojë fuqinë që ka për të mbajtur përgjegjës ata që e kanë kryer sulmin”.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ndonëse ndaj tij është shpallur një fletarrestim ndërkombëtar, ai gjendet i lirë në Serbi.

Shefi i EULEX-it ka thënë se misioni që udhëheq, e ka rritur shkallën e vigjilencës për të mos lejuar përsëritjen e ndonjë krize dhe e di që Kosova ka përforcuar praninë dhe kapacitetet e veta përgjatë kufirit.

“Nëse diçka ndodh prapë, atëherë ajo do të nënkuptonte që me shumë mundësi, institucionet në Serbi kanë dështuar që të parandalojnë një sulm”.
Policia e Kosovës është përgjegjësja e parë për sigurinë e Kosovës, EULEX-i i dyti, ndërsa misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i treti.

Barbano ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog dhe t’i zgjidhin të gjitha çështjet përmes atij kanali.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./ REL

1 Komente

  1. F
    Flamur Struga

    Dhe per te gjithe kete situate,fajtore eshte BE,Eulexi,dhe te gjitha institucionet qe ndodhen atje.Ju te gjithe e kuptoni,e ndigjoni .lexoni per tubimet per agresivitern e rusoserbeve ndaj lirise pavaresise se Republikes te Kosoves.Ju te gjithe i ndigjoni por fatkeqesisht,ju nuk po e ndeshkoni kete kulceder e cila ka synim destabilizimin e ballkanit.E thoni mire se : aksioni terrorist rusoserb ,eshte nje prove e cila ishte dashur qe jo zeri,por masat ndeshkuese ndaj rusoserbeve duhet te ishin shqiptuar nga ju.Nuk mjafton vetem "belbezimi" kulcedres duhet prere koka.Jo shum larg nga 9qershori,kur serbet e dhane alarmin se beogradi eshte strumbullari i tyre ,ju nuk beret asgje.Si e vleresoni ju zoteri kete ultimatum i cili eshte nje kushtrim per nje sulm per uzurpim per akte te tjera terroriste.Po tregoheni te nje aneshem kjo edhe i trimeron gjarperijt rusoserb te vazhdojne me provokime te ndryshme.Verte jeni te pa afte per ti dhen fund kesaj loje te rrezikeshme e cila demton kombin shqiptar,jeni ata qe jeni,kuptohet se nuk jeni objektiv ndaj kesaj ceshtjeje nga e cila shqiptaret jane masakruar jane vrare dhe syrgjynosur..

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje