Shpërthim me lëndë plasëse në një bankë në Selanik

25 Dhjetor 2025, 15:45Rajoni TEMA
Shpërthim me lëndë plasëse në një bankë

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në orët e para të Ditës së Krishtlindjeve jashtë një banke në Evosmos të Selanikut.

Sipas mediave greke, shpërthimi i fuqishëm shkaktoi dëme të shumta materiale në dyqane dhe automjete.

Lënda plasëse u vendos rreth orës 3 të mëngjesit të së enjtes, në degën e bankës që ndodhet në kryqëzimin e rrugëve “Karaoli me Dimitriou” dhe “Salaminos”.

Shpërthimi ishte i fuqishëm, pasi vala goditëse dëmtoi shtatë makina të parkuara dhe tre pallate aty pranë, si dhe shkaktoi panik për banorët e zonës.

Referuar mediave greke, duket se objektivi nuk ishte grabitja e bankomateve, por vetë selia e bankës. Një ekip nga Departamenti i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet për të mësuar rrethanat e shpërthimit.

Shpërthimi shkaktoi shqetësim tek banorët e zonës, të cilët zbritën nga apartamentet e tyre, përfshirë familje me foshnja. Disa prej tyre u thanë mediave greke se menduan që ishte tërmet, për shkak të tronditjes që pësuan nga shpërthimi.

Lini një Përgjigje