Stoltenberg: Situata në Ballkan e brishtë, potencial për tensione në Kosovë e Bosnje

26 Janar 2024, 14:20Rajoni TEMA

Stoltenberg: Situata në Ballkan e brishtë, potencial për tensione

NATO-ja beson se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë, dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

Kështu ka thënë të premten prej Brukselit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Ai ka thënë se NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë për të garantuar stabilitet, ashtu sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Uashingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltemberg.

Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri i Malit të Zi, Spajiq, ka thënë se për vendin e tij, stabiliteti në Kosovë ka rëndësi të veçantë dhe, në rast nevoje Mali i Zi është i gatshëm për të rritur praninë e ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it.

Spajiq ka thënë se Mali i Zi mbetet anëtar besnik i aleancës së NATO-s, dhe i përkushtuar për të avancuar në procesin e integrimeve në BE.

Ai ka thënë se për vitin 2024, Mali i Zi ka ndarë më shumë se 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për mbrojtje, që është në përputhje me kërkesat e NATO-s ndaj të gjitha vendeve anëtare.

Shefi i aleancës ka thënë se NATO-ja ka bashkëpunim të ngushtë me BE-në, kur janë në pyetje vendet e Ballkanit Perëndimor,

Ai e ka nënvizuar sidomos rëndësinë e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas sulmeve të armatosura kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar – ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë, dhe tani numëron 4.500 pjesëtarë.

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të.

2 Komente

  1. I
    I cmenduri

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka nënvizuar sidomos rëndësinë e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Valle ky fare Stoltenberg nuk i ka kordinuar keto thenie me thenien e Kurtit qe kerkon nga Evropa te fusi Kosoven ne Evrope pa marre parasysh dialogun mes Kosoves dhe Serbise? Kunder dialogut jane Kurti, Vuciqi dhe Putini. Cmutin do ky amarikan qe fut hundet ne politiken pansllave? Fakti qe Amerika krijoji Kosoven si shtet, nuk do te thote se Amerika eshte pronare. Kosova ka pronarin e ri qe quhet Kingu i pamposhtur mbareshqiptare A.K!

    Përgjigjjuni
    1. I
      Idjoti

      Po ti or zotni i cmendor pse shkruan me shkurtime duke na lene ne ne medyshje. Une per vehte nenkuptoj se germen "K" e ke per fjalen "K.rr" dhe e kuptoj se nuk e ke thene per arsyeje etike, po kjo "A" e pare per ke eshte?

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje