Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, DASH i zhgënjyer: Koha po kalon, duam të shohim përparim

15 Shtator 2023, 09:04Rajoni TEMA

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, DASH i zhgënjyer: Koha po

Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu zhgënjim që nuk u arrit ndonjë përparim në rundin e ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

"Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL.


"Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm", tha ai. Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.


Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.

Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti "nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit", tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se "kushtëzimi i Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së".

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, "i shmanget formimit të Asociacionit... ky është thelbi i gjithçkaje"./ REL

1 Komente

  1. S
    Shpenka pe Korçe

    Per rastin konkret Albini ka te drejte . Boreli dhe Lajçaku , pavaresisht se perfaqesojne BE , qeverite e vendeve te tyre , nuk e njohin pavaresine e Kosoves . Zgjedhja e tyre per keto bisedime eshte e qellimshme apo jo , une nuk e di , po qendrimet e tyre kohet e fundit nuk jane te njejta , si per Kosoven dhe per Serbine , ato anojne nga Serbia . Shume po e perkedhelin kete Vuciçin , qe ne fund te fundit nje minister i qeverise se kriminelit Milosheviç ka qene . Presioni i Europes duhet te jete me i forte dhe konsistent mbi Serbine , pasi ajo eshte autorja dhe e gjithçkaje qe i ka ndodhur popullit kosovar dhe duhet te pergjigjet per krimet e kryera . Boll u perkedhel . Derri do plumb , thote populli yne .

    Lini një Përgjigje