Kur kanë kaluar më shumë se dy dekada nga viti 1999 dhe pak më tepër se një dekadë nga shpallja e pavarësisë, Kosova vazhdon ende të përshkruhet me një gjuhë kontradiktore. Prezantohet në media dhe në diskursin publik si një shtet sobran, por njëkohësisht kornizohet si një vend që ka nevojë për mbikëqyrje dhe menaxhim të vazhdueshëm ndërkomëbtar.
Sipas Vjosa Musliut (Asistente profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Brukeslit), ky tension nuk mund të kuptohet nëse më parë nuk sfidohet ideja se luftërat kanë një fund të qartë.
“Dhuna në forma të ndryshme ka vazhduar edhe pas '99-ës. Provokimet e vazhdueshme, sistemike dhe sistematike të Serbisë vazhdojnë edhe sot. Gjithashtu, luftërat as nuk fillojnë me një ceremoni hapjesh, sikurse fillojnë Lojrat Olimpike, as nuk mbarojnë me një një moment të qartë,” shprehet ajo në Apostrof Podcast.
Për Musliun, trajtimi i Kosovës si një “shtet i përfunduar” dhe i luftës si diçka që ka mbaruar, injoron si realitetin e jetuar nga njerëzit, edhe kontekstin më të gjerë rajonal në të cilin Kosova ndodhet e pozicionuar. Kontekst që, siç argumenton Musliu, është formësuar nga një diskurs i gjatë, i cili i ka kufizuar shtetet ballkanike në një gjendje paplotësie permanente.
“Nëse i kthehemi se si shikohet Kosova si shtet i përfunduar ose si luftë e përfunduar, kjo duhet edhe të kontekstualizohet në rrafshin pak më të gjerë ballkanik. Sepse, sidomos prej fillimshekullit të 20-të, kur fillon aplikimi dhe përdorimi i ekzagjeruar i nocioneve të ballkanizmit, e kanë vendosur dhe e kanë mbajtur të ngujuar në fakt hapësirën ballkanike në disa konflikte, të cilat supozohet të jenë historike dhe të pandreqshme.”
Brenda kësaj kornize, shoqëritë ballkanike portretizohen shpesh si të paafta për të arritur nivelin e progresit politik dhe shoqëror që ka arritur ndërkaq Europa Perëndimore.
“Popujt e këtyre vendeve [shihen] si të pandreqshëm, të paaftë të mbërrijnë në ato staza të progresit, të cilat supozohet që shoqëritë perëndimore, evropiane, të civilizuara i kanë tejkaluar me kohë. Ky lloj diskursi, këto lloj narrativash gjinden shpesh, hasen shpesh edhe në përtypjet e sotme intelektuale dhe akademike, edhe kur bëhet fjalë për Kosovën. Edhe prapë këtë nuk mund ta ndaj prej raporteve të pushtetit, raporteve politike, po ashtu edhe intelektuale dhe epistemike në raport me Kosovën edhe më gjerësisht në raport me vendet që kanë dalë nga ish Jugosllavia.”
Ndërkaq, Musliu shton se Kosova nuk është një rast i izoluar. Modele të ngjashme mund të vërehen edhe në mënyrës se si diskutohet për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndonëse ajo vëren një ndryshim në vitet fundit.
Sipas saj, këto ndryshime tregojnë se si ideja e të qenit gati, e lirisë dhe sovranitetit rinegociohen vazhdimisht, jo në bazë të parimeve universale, por në bazë të interesave të ndryshueshme gjeopolitike.
Në këtë aspekt, pavarësia e Kosovës mbetet formalisht e pranuar, por në thelb mjaft e kufizuar, pasi kushtet në të cilat paqja lejohet të ekzistojë, mbeten të pabarabarta.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00