Vjosa Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për marrëveshje finale

30 Nëntor 2022, 20:40Rajoni TEMA

Vjosa Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit përmes pjesëmarrjes”.

Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza muaj më parë, kur, sipas saj, Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kanë dalë me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Propozimi që përmendi ajo – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Së fundi, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë të jetë e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.

Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

1 Komente

  1. j
    jo emigrant.

    Edhe ti Osmanka ben te njejten loje si Vuciqi. Nderkohe qe plani franko-gjerman presupozon bisedime, ti flet per bisedime perfundimtare. Perqendrohu ne mesim dhe kupto se propozimi franko gjerman nuk eshte zgjidhje perfundimtare qe eshte njohja reciproke, por do ishte nje hap i math per te ecur drejt njohjes. Serbia ka deklaruar 100 here se nuk do e njohi Kosoven dhe nderkohe ka deklaruar 100 here se nuk eshte dakort me planin franko-gjerman. Ti kur flet, fol per planin franko gjerman dhe mos e dhite me tej....Mundohu ti mbushesh mendjen Vuciqit qe te kuptoje se ky plan eshte edhe ne interes te tij dhe jo hidhesh nga dega me dege. Nuk je femije qe ti ankohesh mamit....Lere Evropen dhe Ameriken te merren me Serbine dhe mos i jep arsye Vuciqit te merret me ty. Leri ata qe kane shkopin dhe arren te merren me te dhe ti hiqu si nxenese e mire. Mos u hiq si profesoreshe....Puna jote mbaroi ne momentin qe je dakort me bisedimet dhe mos bej akuza "te drejta", sepse duket sikur kerceni vals me njeri tjetrin....

    Lini një Përgjigje