Vizita te mjeku për shumë meshkuj mbetet ende një territor i vështirë. Jo vetëm nga frika e një diagnoze të mundshme, por edhe për shkak të presionit social për të ruajtur imazhin e “burrit të fortë”, atij që nuk ankohet, duron dhe përballon gjithçka i vetëm. Në këtë episod të Apostrof Podcast, flasim për shëndetin mashkullor përtej tabuve, miteve dhe keqkuptimeve që e kanë shoqëruar për dekada.
Në një bisedë me Dr. Marsid Sinani, ndalemi te rënia e testosteronit në dekadat e fundit, te ndikimi i stilit modern të jetesës, te fertiliteti mashkullor dhe te lidhjet e gabuara që shpesh bëhen mes potencës seksuale, pamjes fizike dhe shëndetit real. Diskutojmë pse shumë meshkuj minimizojnë simptomat, pse krahasimi me trupat e tjerë – i ushqyer edhe nga pornografia – krijon ankth të panevojshëm, dhe pse shumë probleme që duken personale janë në fakt strukturore dhe të përbashkëta.