79-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Veliaj nderon 10 veteranë të LANÇ: “Koha për te reflektuar dhe vlerësuar ata që sakrifikuan jetën për Tiranën që kemi so

17 Nëntor 2023, 16:52Sociale TEMA

79-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Veliaj nderon 10

Në Ditën e Çlirimit të Tiranës, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj nderoi veteranët e luftës për kontributin e tyre në mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e zhvilluar për 79-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, Veliaj u shprehu mirënjohjen e veçantë atyre.

“Çlirimtarët e luftës, ata që i dhanë Tiranës, kryeqytetit tonë, lirinë, të paasistuar nga forcat ruse, që ndihmuan shumë kryeqytete të tjera, meritojnë sot të gjithë respektin, të gjithë përuljen dhe mirënjohjen tonë. Më vjen mirë që ajo Tiranë për të cilën luftuan shumë të rinj atëherë, sot është Kryeqyteti Europian i Rinisë apo i Sportit. Ndaj për të gjithë ata të rinj të asaj kohe, që sot janë 90 e kusur vjeç dhe do të nderohen, më vjen mirë që kemi këtë organizim, për të reflektuar pak dhe për të dedikuar respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që na bënë sot krenarë dhe u rreshtuan në anën e duhur të historisë,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë kishte edhe një thirrje për t’u bashkuar në emër të kësaj dite dhe sakrificës së të rënëve për liri.

“Sot është gjithashtu një moment për të reflektuar. Ne duhet të kuptojmë pse kombi ynë akoma vazhdon i përçarë? Pse duhet të bëjmë homazhe veç e veç? Pse nuk mblidhemi dot të respektojmë dhe të nderojmë ata njerëz? Pse disa nga ne hyjnë nga dera dhe disa të tjerë nga kangjellat dhe dritarja? Çfarë ka ndodhur? Çfarë është ky mallkim që nuk na ndahet? Si ka mundësi pas 79 vitesh ne vazhdojmë akoma të përçarë. Ne duhet ta fitojmë përditë betejën për një Tiranë europiane dhe të jetojmë përditë për të justifikuar atë sakrificë,” u shpreh mes të tjerash Veliaj.

Në këtë ditë të veçantë, kryebashkiaku Veliaj nderoi “për kontributin e pashembullt në luftën për liri, mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe transmetimin te brezat e rinj, të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare” 10 veteranë të LANÇ. Po ashtu, së bashku edhe me personalitete të tjera të politikës dhe familjarë të dëshmorëve, Veliaj kreu homazhe te Ushtari i Panjohur në nderim të heronjve që dhanë jetën për Çlirimin e Tiranës.

2 Komente

  1. X
    Xhuliano

    Hipokrizi dhe tallje, sot përkujtohet çlirimi i tironës, ku humbën jetën shum luftëtar, dhe me të drejtë, duhen respektuar, në anën tjetër ku respektohen këta të rënë, jo më larg se 500 metra, ngrihet busti i zogut parë, ku ky i la këta që u vranë, nën mjerim e pa qeveri e shtet. Diskordancë e turpshme, hipokrizi babëzije për të grabitur dhe tallur luftëtarët në përgjithësi, sidomos këta të tiranës.

    1. B
      Bureto

      Hipokrizia shfaqet me shumë fytyra. Se psh, se ç'lidhje ka Mbreti me dëshmorët e Tiranës ec e gjeje, por do thoja se është cinizëm i pastër fakti, që nuk nderohen dhe ata 46 qytetarë dhe intelektualë të pafajshëm të Tiranës, kur ata që mbetën gjallë nga lufta ende pa u 'çliruar' Tirana dhe Shqipëria, ata që aspironin pushtetin, pra udhlheqja komuniste, në ilegalitet, urdhëronre pushkatimin e tyre. Emrat janë aty në mermer, para godinës së të Përndjekurve Politikë, po në respekt të tyre nuk dimë që Veliaj, e të tjerë para tij, të kenë organizuar ndonjë ceremoni përkujtimore nderimi. Konform ngjarjeve historike, në respekt të jetës, kur meritohet, ai u duhet rezervuar të gjithëve. Politizimi i këtyre momenteve është hipokrizi dhe kaluar asaj.

      Lini një Përgjigje