A ka shqiptarë të prekur nga tërmeti në Turqi? Ja si përgjigjet Xhaçka

8 Shkurt 2023, 15:20Sociale TEMA

A ka shqiptarë të prekur nga tërmeti në Turqi? Ja si

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u pyet nga gazetarët në lidhje me situatën e tërmetit tragjik në Turqi.

Ajo tha se në momentet që flasim në terren janë angazhuar 80 efektivë të Forcave të Armatosura, mes të cilëve mjekë dhe specialistë të kërkimeve në raste fatkeqësish.

“Shqipëria është solidarizuar jo vetëm me qëndrime por me veprime konkrete me popullin turk dhe qeverinë turke për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit të shtrira në 10 provinca.

Në momentin që po flasim janë 80 efektivë të FA, të kërkim shpëtimit, mjekë dhe ekspertë të tjera të kërkim shpëtimit të cilët janë angazhuar në zona përmes koordinimit me autoritetet turke”, tha ajo.

Ajo theksoi se deri tani nuk ka asnjë person me nënshtetësi shqiptare që është prekur nga tërmeti.

“Deri më tani nuk rezultojnë qytetarë me nënshtetësi shqiptare në radhët e viktimave dhe as raportime për të zhdukur. MEPJ si dhe ambasada dhe konsullata jonë në Stamboll kanë pubikuar numra telefoni dhe adresa email për të gjithë ata që kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre në Turqi gjatë këtyre 72 orëve.

Deri në momentin që po flasin janë rreth 10 raste të familjeve këtu në Shqipëri të cilët kishin humbur lidhjet me të afërmit e tyre në Turqi e që falë koordinimit të ambasadës dhe konsullatës tonë në Turqi me autoritetet turke kanë mundur të rilidhen e të mësojnë se ata gëzojnë shëndet të mirë e po asistohen për nevojat që mund të kenë”,  u shpreh ajo.

Lini një Përgjigje