
Libri “Intervistë me Armikun” i Virgjil Muçit e sjell Serbinë të rrëfyer përmes personazheve që intervistojnë, të cilët zbulojnë vendin e tyre me problematikat e politikës, ekonomisë, jetës sociale, korrupsionit, propagandës, paaftësisë së lidershipit, mungesës së fleksibilitetit dhe vizionit. Duke lexuar mes pyetjesh dhe përgjigjesh lexuesi kupton se, sfidat e serbëve janë po aq të ngjashme me ato të shqiptarëve që prej nisjes së procesit të gjatë të tranzicionit.
Nga Beogradi jo vetëm me intervista. Në librin e ri shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Virgjil Muçi hap një dritare për të parë më nga afër e për të njohur një komb e një popull që historikisht e kemi konsideruar si armik. Autori, i gjendur në kryeqytetin serb me detyrën e diplomatit pati hapësirë dhe kohë të vëzhgonte më imtë, por edhe të njihej dhe të intervistonte disa figura të shquara të shoqërisë civile, por edhe të artit dhe kulturës.
Diplomati-intervistues u takua me shkrimtarë, botues, gazetarë, publicistë, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të artit dhe kulturës e ta sillte realitetin në Serbi, kuptimin e qytetarëve mbi çështjet e rajonit (të vjetrat dhe të rejat) përmes fjalës së tyre.
Libri “Intervistë me Armikun” e sjell Serbinë të rrëfyer përmes personazheve që intervistojnë, të cilët zbulojnë vendin e tyre me problematikat e politikës, ekonomisë, jetës sociale, korrupsionit, propagandës, paaftësisë së lidershipit, mungesës së fleksibilitetit dhe vizionit. Duke lexuar mes pyetjesh dhe përgjigjesh lexuesi kupton se, sfidat e serbëve janë po aq të ngjashme me ato të shqiptarëve që prej nisjes së procesit të gjatë të tranzicionit.
Me këtë mundësi zbulimi që autori jep përmes intervistave të realizuara – prej vitit 2015 –nuk bën gabimin të marrë rolin e emisarit, ku përmes asaj që jetoi e pa në kryeqytetin serb, të pikturojë tablo me ngjyra krejt të ndryshme nga ajo që shqiptarët kanë krijuar për fqinjët. Rrëfimi u takon vetë serbëve, të cilët dekodojnë e përkthejnë opinionin e bashkëqytetarëve për tema që u takojnë, në fakt, të gjitha vendeve të rajonit.
Intervistë pas interviste shpërfaqet se përkundër retorikës politike, mungesës së vullnetit për të çuar përpara një dialog zvarritës mes Beogradit dhe Prishtinës, alarmeve që ndizen herë pas here në veri të Kosovës, në Serbi nuk ekziston ajo masë e imagjinuar si homogjene që ende bërtet për pretendime ndaj dikur krahinës së saj. Mendësia e popullatës është heterogjene, me opozitë kundër politikave të presidentit Vuçiç, siç dikur kundër atyre të Millosheviçit, e me sytë kah e ardhmja.
Përkundër sedrës nacionaliste në stadiume futbolli, shumë serbë sot janë të vetëdijshëm se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe duan që kjo e fundit të anëtarësohet në çdo lloj organizate ndërkombëtare – ndryshe nga propaganda qeveritare –për arsye krejt pragmatiste, me bindjen se me kalimin e këtij ngërçi Serbisë do t’i hapen mundësitë për të kapërcyer tranzicionin e gjatë, se do t’i përshpejtojë hapat për anëtarësim në Bashkimin Europian e se me njohjen e Kosovës pakica serbe, por edhe trashëgimia kulturore serbe në Kosovë do të jetë më e mbrojtur.
Të intervistuarit e dinë, duke pranuar se edhe vetë elita serbe e di, se pavarësia e Kosovës është tashmë një proces i kryer dhe se ngurrimi i autoriteteve për ta njohur e vë Serbinë në pozitë gjithnjë e më të vështirë.
Secili përfaqësues, i zgjedhur nga autori me kushtin e vetëm për të mos qenë nga fusha e politikës, është i vetëdijshëm se me ngecjen e situatës dhe me vonesat e normalizimit të marrëdhënieve dhe me ushqyerjen e narrativës së vjetër përçarëse, i gjithë Ballkani është i kërcënuar nga konflikte të vazhdueshme, që do të rezononin në Europë e në krejt botën.
“Ishte zgjedhja ime për të mos përfshirë këtu asnjë politikan, për dy arsye: e para, se qëndrimet e tyre janë të njohura për publikun e gjerë, brenda e jashtë vendit dhe e dyta, gjuha që përdorin, sidomos në ligjërim publik, nuk kumton ndonjë gjë të re dhe, siç e kemi vënë re shpesh iu shërben për ta fshehur dhe jo për ta shpalosur mendimin, çka përmblidhet më së miri në atë që frëngjtë e quajnë langue de bois. Por, dhe në gjykimin tim kjo është më e rëndësishme, mendoj se dialogu duhet të zërë fill nga shoqëria civile dhe të shtrihet më tej, duke kapërthyer e angazhuar çdo segment tjetër të shoqërive tona”, shkruan Virgjil Muçi.
Bisedat dhe rrëfimet e figurave si Filip David, Dragan Velikiç, Boksho Jaksiç, Zorah Hamoviç, Aleksandar Pavloviç, Jelica Miniç, Ivan Çoloviç e Sonja Biserko zbulohet jeta e ditë pas dite e Beogradit, shqetësimet qytetare për bjerrjen demografike, mungesa e shpresës te të rinjtë, rrëzohen kuptime të sipërfaqshme se serbët janë pro Rusisë, siç edhe hidhet dritë më mirë në kontekst mbi disa sondazhe ku shumica e serbëve rreshtohen kundër NATO-s. Zëri i të intervistuarve përforcon idenë se qytetarët serbë e shohin veten të rreshtuar kah Perëndimit, në Bashkimin Europian, por ndjesitë përzihen kur kujtojnë bombardimet nga forcat e paktit të Atlantikut të Veriut. Ata thonë se ishin të shumtë serbët kundër regjimit të Millosheviçit, por bombardimet erdhën për të gjithë popullsinë.
Ky libër, i ndarë në një cikël intervistash dhe një cikël esesh, është edhe një kredhje në histori. Përmes zërit, aksionit civil, artikujve apo veprave letrare apo edhe studimore, ky grupim personalitetesh kërkon të rrëzojë mitet, brumë me të cilën vendet e Ballkanit kanë gatuar historitë kombëtare. Të vetëdijshëm se e kaluara nuk mund të fshihet dhe krimet duhen ndëshkuar, mendojnë se gjuha e dy vendeve, por edhe e gjithë Ballkanit që në fund të fundit mbetet terren interesant, duhet të kthehet për ndërtim dhe e shkuara të dëftojë rrugët e reja që të dyja vendet i çojnë drejt një destinacioni. Bashkëpunimi, më shumë se armiqësitë e vjetra, do u sillte dobi ambicieve europiane. Megjithatë, padija për tjetrin, për fqinjin, është po aq e theksuar edhe nga ana tjetër e kufirit, në Serbi. E siç thotë vetë autori në hyrje të librit: “Përvoja dhe kontaktet në kryeqytetin e Serbisë më ofruan mundësinë të kuptoj se sa pak serbët na njihnin – madje edhe më pak nga ç’i njohim ne ata – dhe, çka ishte më e keqja, shpesh golla e mosnjohjes ishte e mbushur me paragjykime gjithfarësh. Sigurisht e gjithë kjo vinte nga ajo mbyllje hermetike që na ishulloi nga fqinjët e nga bota e madhe dhe që ne e përjetuam për afro pesëdhjetë vjet. Por ky gjykim do të ishte tejet reduktiv sikur mosnjohjen e ndërsjellë ta lidhje vetëm me këtë dukuri të së shkuarës.”
Në pjesën e dytë të librit shfaqet publicisti Virgjil Muçi, i cili përmes eseve , të titulluara si “Shkrime Heretike” rreket të dekonstruktojë ose së paku të çojë në pikën kur zëfillin mitet e shpërndahen më pas përmes historisë, e cila herë e paraqet si continuum e herë si gënjeshtër. Duke jetuar atje për disa vjet, Muçi sjell edhe perceptimet e serbëve mbi Shqipërinë e shqiptarët, nacionalizmin e populizmin, ndasitë gjuhësore e deri te vendtakimi i përbashkët në Europë. Gjithnjë i kujdesshëm, për të qenë më shumë vëzhgues, analitik sesa kritik apo dhënës recetash e konkluzionesh. Do të vijë katharsisi e më pas shërimi përmes artit e kulturës apo përmes interesave të qarta e konkrete ekonomike? Ky libër na tregon se shoqëria serbe, ose një pjesë e mirë, është shumë më përpara me kapitujt e integrimit sesa qeveria e saj. Ky libër nuk është moralizues e as kërkon sforcuar të ngrejë ura imagjinare, aty ku nuk ka brigje, por synon të zbulojë e të na hapë derën drejt njohjes së fqinjëve.
Lini një Përgjigje