Denoncimet për dhunë ndaj protestuesve, Avokati i Popullit nis verifikimet në Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës

4 Korrik 2026, 15:45Sociale TEMA
Denoncimet për dhunë ndaj protestuesve, Avokati i Popullit nis

Avokati i Popullit ka reaguar pas denoncimeve për dhunë ndaj protestuesve të ndaluar, duke bërë të ditur se institucioni ka nisur monitorimin që nga dita e parë e shoqërimeve dhe arrestimeve. Sipas njoftimit, deri tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës nga policia, të cilat janë në proces verifikimi administrativ.

Institucioni bën me dije se ekipet e tij kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës, si dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar. Po ashtu, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka kryer verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.

Avokati i Popullit thekson se, deri ditën e premte, asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për dhunë gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë. Megjithatë, pas pretendimit të fundit për dhunë ndaj një protestuesi brenda ambienteve të sigurisë, institucioni ka angazhuar menjëherë dy ekipe verifikimi: një në spital për të intervistuar qytetarin dhe një tjetër në Bllokun e Sigurisë për të kontrolluar rrethanat e pretenduara.

Njoftimi i Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit ka vepruar pa ndërprerje që nga dita e parë e ndalimeve për monitorimin e të drejtave të protestuesve të ndaluar ose të arrestuar.

Ditën e parë, institucioni ka administruar dhe verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.

Ditën e enjte, Avokati i Popullit ka kontaktuar personalisht personat e arrestuar, ndërsa ekipet tona kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar dhe është administruar informacioni i nevojshëm.

Ditën e premte, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka zhvilluar verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.

Deri më tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë. Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse vërtetohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati ynë.

Nga intervistat e zhvilluara deri ditën e premte, asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.

Këtë të shtunë, pas një pretendimi për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të bllokut të sigurisë, Avokati i Popullit ka angazhuar menjëherë dy ekipe: një ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa një ekip tjetër do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë.

Avokati i Popullit do të bëjë publike gjetjet e plota me përfundimin e verifikimeve.

2 Komente

  1. D
    Drejtesia ne vend

    Pyetje Avokatit te Popullit: Policin ne krye te detyres kush e qelloi me gure? Makina e policise ,prone e shtetit e ,e jona kush e theu e shkaterroj??

    Përgjigjjuni
    1. L
      Ligji i barabartë për të gjithë

      Po për policat që hëngrën tulla dhe gurë kokës a ke bërë ndonjë investigim? Se nuk e kanë kokën prej çeliku o avokati i popullit,20 policë të të goditur me gurë në spital ,nuk te pamë të bësh ndonjë investigim se dhe ato bijë nënash janë dhe në krye të detyrës në zbatim të ligjit.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje