Kriteri i notës mesatare për pranimin në universitet do të pësojë ndryshime, kryesisht për programet e studimit që lidhen me mësuesinë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në vendimin e vitit 2020 për përcaktimin e notës mesatare minimale për pranimin e kandidatëve në programet Bachelor dhe në programet e integruara të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë.
Sipas vendimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e ciklit të parë ose programet e integruara të ciklit të dytë duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare minimale 6.5.
Ndërkohë, për programet e studimit që lidhen me mësuesinë vendosen kritere më të larta. Për pranimin në programet Bachelor në fushën e mësuesisë për gjuhët e huaja, nota mesatare minimale do të jetë 7.
Për programet Bachelor që japin akses në ciklin e dytë master në fushën e mësuesisë, nota mesatare minimale përcaktohet në nivelin 7.5. I njëjti kriter do të zbatohet edhe për programin e studimit që përgatit mësues për arsimin parashkollor.
Vendimi ndryshon gjithashtu edhe titullin e aktit të mëparshëm, duke hequr nga formulimi pjesën që lidhej me transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme. Shtojcat ekzistuese zëvendësohen me një shtojcë të re, ku pritet të përcaktohen programet konkrete të studimit që preken nga kriteret e reja.
Lini një Përgjigje