Familja nga Zadrima mban gjallë traditën e kultivimit të krimbit të mëndafshit

25 Maj 2023, 20:50Sociale TEMA

Familja nga Zadrima mban gjallë traditën e kultivimit të krimbit

Tradita e kultivimit të krimbit të mëndafshit është drejt zhdukjes në Shqipëri, por një familje në Zadrimë ka ngritur prej 13 vitesh një fermë të vogël prej nga prodhojnë fije mëndafshi dhe punime në tezgjah me to si pjesë e një biznesi familjar.

Nga Nensi Bogdani

Kultivimi i krimbit të mëndafshit është një traditë e hershme në Shqipëri, e cila po shkon drejt zhdukjes. Por një familje në fshatin Dajç të Zadrimës po e mban gjallë traditën përmes një ferme të vogël që kultivon krimbat që prodhojnë mëndafshin.

Mimoza Pjetraj bashkë me familjen e saj i përkushtohen kultivimit të krimbit të mëndafshit prej 13 vitesh, pas shkëputjes gjatë periudhës së komunizmit si dhe shkatërrimit të fabrikës së përpunimit të mëndafshit në Shkodër.

Mimoza thotë se para komunizmit, çdo familje në Zadrimë kultivonte krimbin e mëndafshit për përdorime vetjake, ndërsa sot ajo dhe familjarët e saj kanë mbetur të vetmit pothuajse në të tërë zonën.

“Është proces tepër i mundimshëm dhe kërkon tepër punë dhe përkushtim, prandaj dhe kemi mbetur të vetmit që e bëjmë. Janë më shumë se 10 veta që ndihmojnë në mbarëvajtjen e tërë ciklit të jetës së krimbit, deri tek prodhimi dhe përpunimi i mëndafshit,” tha artizania e Zadrimës për BIRN.

Cikli i jetës së krimbit të mëndafshit zgjat rreth pesë javë, derisa ai kthehet në “fshikëz”, siç quhet topthi i mëndafshit që më pas prodhon fijet e holla të tij. Ky krimb nuk jeton dot në gjendje të egër dhe kultivimi i tij është i mundur vetëm në kushte të kontrolluara.

“Kultivojmë rreth 10 kilogramë fshikëz gjatë një cikli të plotë në vit,” tregon Mimoza për BIRN, teksa mban në dorë topthat e vegjël të fshikëzave në formë ovale, që në pamje të parë përngjajnë me topat e pambukut.

“Është tre muaj punë që prej mbjelljes së farës, deri tek punimi përfundimtar i fijes së mëndafshit,” shtoi ajo.

Zanafilla e procesit nis prej një fare që kapet me gishtat e dorës, dhe përfundon në një dhomë ku rafte të tëra me katër deri në pesë kate mbushen me gjethe mani. “Krimbat e mëndafshit ushqehen me to,” tregon Mimoza, e cila i tha BIRN se farën e këtij krimbi e ruan akoma vetëm një zonjë në Tiranë.

Mimoza vëren se për mbarëvajtjen e ciklit duhen ruajtur me shumë kujdes kushtet si lagështira e ajrit, temperatura e dhomës, si edhe freskia e gjetheve të manit me të cilat ushqehen krimbat.

“Nëse krimbi ha gjethe të lagura, ai ngordh. Këto muaj kemi patur shira dhe na është dashur ta thajmë çdo gjethe pasi e mbledhim dhe përpara se t’ua vendosim krimbave të ushqehen,” shtoi ajo.

Mimoza Pjetraj thotë se sa më shumë të kujdesen për kushtet e kultivimit, aq më shumë shkurtohet cikli i jetës dhe aq më shumë rezultate marrin. “Nëse kujdesi nuk është maksimal, atëherë cikli dhe prodhimi nuk janë të kënaqshëm”, thekson ajo.

Pas mbledhjet së fshikëzave fillon procesi i nxjerrjes së fijeve, ku nevojitet që fshikëzat të futen në ujë të zier për t’u shformuar në fijet e mëndafshta.

“Një fshikëz arrin të prodhojë deri në një kilometër fije mëndafshi,” thotë më tej artizania nga Zadrima.

Mimoza dhe fëmijët e saj kanë gjithashtu si biznes familjar një punishte të vogël të punimeve artizanale me tezgjah, të quajtur “Colors of Zadrima”, fare pak metra larg fermës ku kultivojnë krimbin e mëndafshit. Ata e përdorin mëndafshin në punimet e tyre, duke prodhuar aksesorë të ndyshëm për veshjet tradicionale zadrimore.

Punimet e mëndafshit janë të kushtueshme, por kjo nuk i ndalon adhuruesit e këtij materiali për t’i blerë produktet e Mimozës.

“Një shall i punuar me mëndafsh kushton nga 250 deri në 500 mijë lekë të vjetra”, tregojnë artizanet e “Colors of Zadrima”, duke theksuar se i njëjti punim në kohën e komunizmit kushtonte pothuajse sa paga e një muaji.

Aktualisht, Mimoza dhe familja e saj presin të kujdesen edhe për një cikël të fundit të krimbit të mëndafshit, që pritet të përfundojë në fund të qershorit.

Lini një Përgjigje