Mesarete Ymeri, e cila ndërroi jetë ditën e djeshme, një nga partizanet që frymëzoi skenaristët për ta kthyer atë në një frymëzim për një rol filmi, vite më parë ka rrëfyer jetën e saj në luftë.
Në një intervistë për mediat, e moshuara, asokohe 90-vjeçe tregoi vështirësitë e luftës kur ishte partizane si dhe momentin e plagosjes së saj në fushë-betejë.
E moshuara tregoi se njihej me emrin Lilo Labja, që më pas u bë personazh filmi në ‘Malet me blerim mbuluar’, partizania që plagoset në luftë, rol që e luajti Yllka Mujo.
Veterania e luftës antifashiste nacional-çlirimtare cilësohej si monument i gjallë i partizanes trime që vuri lirinë e atdheut mbi gjithçka.
RREFIMI
90 vjeçarja (atëherë) rrëfen momente nga jeta e saj mes shtigjeve të luftës. Sapo kishte braktisur bankat e gjimnazit në Gjirokastër për t’u veshur partizane. Në operacionin e qershorit ra në pritë nga gjermanët, u plagos rëndë me dy plumba një në këmbë, plumbi tjetër i dërrmoi krejt gojën, gjaku i kullonte deri tek këpucët.
“Kam qene 17 vjeçe kur kam dalë partizane në luftë. 6 ditë dhe 6 netë kam qenë e plagosur në Ferrë. Por rinia është ajo që të bën të jetosh. 17 dhëmbë më janë hequr nga plumbat. Ndërsa jashtë shtetit me vunë buzën prapë, ma qepën. Jemi krenarë për brezin që kemi qenë, asnjë brez nuk i ka dhënë Shqipërisë atë që i kemi dhënë ne”
E pyetur për mënyrën si trajtohen veteranët sot, ajo ka rezervat e saj: “Qeveria të na ketë në vëmendje sidomos për ne invalidët pasi ka mungesa të mëdha. Ne jemi invalidë na kanë lënë me seli në katin e 5 të pallatit”.
Por jeta si partizane nuk është e gjitha. Ajo e ka ndare jetën e saj me një bashkëshort pilot, që jo rastësisht, zbulon ajo, ka qenë edhe piloti personal i Enver Hoxhës.
Lini një Përgjigje