Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë që shteti të mos heshtë

24 Tetor 2025, 20:40Sociale TEMA
Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës

Përfaqësues të Sindikatës dhe shoqërisë civile protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës në mbështetje të naftëtarëve në grevë të Marinzës, të cilët kërkojnë paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune.

Nga Nensi Bogdani

Naftëtarët e Marinzës, punonjës të kompanisë Bankers Petroleum, ndodhen tashmë në ditën e tyre të 10-të të grevës së urisë, nëpërmjet të cilës ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe rritjen e tyre.

Të premten*, përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Hidrokarbureve, të mbështetur nga aktivistë të shoqërisë civile protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke kërkuar reagim për situatën e naftëtarëve.

“Gjendja shëndetësore e grevistëve po shkon nga ora në orë drejt përkeqësimit duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Ilia Kondi, drejtues i Unionit të Sindikatave.

“Ata po luftojnë për paga dinjitoze. Nuk mundet që qeveritarët të kenë 10-fishin e pagave të tyre, ndërkohë ata të diskutojnë minimumin jetik, pra janë në pragun e minimumit jetik”, vijoi Kondi gjatë fjalës së tij në protestën e naftëtarëve.

Kompania “Bankers Petroleum”, e cila shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës prej më shumë se 20 vitesh, gjendet sot nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për ngritjen e një skeme mashtrimi. Prokuroria akuzon drejtuesit dhe ish-drejtuesit e kompanisë se i kanë shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Nëpërmjet grevës së urisë, naftëtarët kërkojnë paga dinjitoze, nëpërmjet rritjes transparente të fondit të pagave nga kompania me 18%, dhe shpërndarjen e tij tek pagat e ulëta që ata kanë aktualisht.

Juristi Gentian Serjani i tha BIRN se është e patolerueshme që institucionet shqiptare nuk po reagojnë në mbrotje të naftëtarëve dhe ndaj një kompanie që abuzon me ata dhe pronën e përbashkët.

“Kërkesa jonë ishte që Ministria përgjegjëse të mos heshtë, por të marrë rolin e ndërmjetësueses pa u përkeqësuar akoma më shumë shendeti dhe jeta e naftëtarëve që janë në grevë urie”, tha Serjani.

Edhe Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” u shpreh se kushtet në të cilat punonin naftëtarët ishin tejet të vështira krahasuar me pagën që ato marrin.

“Në një kohë kur Bankers ka zhdukur miliarda lekë nga pasuria e shqiptarëve, punëtorët e kësaj kompanie janë në grevë urie për pagat e prapambetura”, tha Xhemollari.

“Këta punëtorë që shkojnë në rafineritë e naftës marrin një pagë aq sa duhet të merrnin dëmshpërblim për helmin që kalon në gjakun e tyre për shkak të punës së vështirë,” përfundoi ai.

4 Komente

  1. Q
    Qiqra nē hell

    Duhet mbi 60 ditē grev urie, qē problemet e tyre tē bēhen publike.

    Përgjigjjuni
    1. I
      Iliri dhe Saliu

      Çfare mendimi kane !?

      Përgjigjjuni
      1. Z
        Zeri I arsyes

        Kontrata private? Jo me pak se paga minimale? Ca lidhje ka shteti te nderhyje ne nje konflikt mes 2 palesh private? Nuk te pelqen paga dhe/ose kushtet e punes? Lere punen, gjej nje tjeter Kapitalizem dmth kontrata private brenda kornizes ligjore. Pune te tjera sa te duash

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mara emigrante ne Itali

          E cfar kerkojne nga shteti keta punetore kur eshte privat ? Tja kerkojne saliut qe e shiti .

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje