Nga Kaon Serjani
Deri më sot, në historinë e legjislacionit shqiptar, nocioni i gjinisë ka qenë i lidhur vetëm me realitetin biologjik të burrit dhe gruas. Por së shpejti kjo mund të ndryshojë: përmes projektligjit “Për Barazinë Gjinore” (2025),[1] futet për herë të parë koncepti jo-binar (“non-binary”) ose jo-dypolar i gjinisë.
Drafti i parë i projektligjit, edhe pse përmbante terminologji që ngjallte shqetësim, versioni final është akoma më problematik. Ky ndryshim erdhi pas kërkesës së Aleancës LGBTI gjatë procesit të konsultimeve publike, e cila kërkoi: “Të zgjerohet përkufizimi i ‘gjinisë’ duke u parë në lenten e gjithëpërfshirjes, përtej konceptit binar burrë-grua.”[2]
Në raportin e konsultimit publik, të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sqarohet se kërkesa e Aleancës LGBTI: “U reflektua në nenin 4 pika 1 germa ë) me një përkufizim gjithëpërfshirës të konceptit ‘gjiní’.”[3]
Në draftin final, përkufizim i ri për “gjininë” formulohet kështu: “Gjini”, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.[4]
Fjala “gjithëpërfshirëse” është futur edhe në disa nene të tjera të projektligjit (si p.sh. neni 3, pika 6; neni 8, pika 1; neni 10, etj.). Ajo nuk përfaqëson thjesht një shtesë gjuhësore, por një zgjerim të qëllimshëm që i jep status juridik kategorive të reja të mundshme gjinore.
Pra, siç shihet, kërkesa e Aleancës LGBTI u pranua pa asnjë kundërshtim dhe pa asnjë debat publik gjatë procesit të konsultimit.
Projektligji përmban edhe elemente të tjera që tregojnë qartë daljen nga binari (kuptimi dypolar) tradicional burrë–grua. Një prej tyre është togfjalëshi “identitet gjinor”. Ai shfaqet në përkufizimin e gjinisë, ku thuhet “lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore”. Po ashtu, përmendet edhe në nenin 6, pika 1, që ka të bëjë me “Ndalimin e diskriminimit për shkak të gjinisë”, ku theksohet:
Nëse koncepti i gjinisë do të kishte mbetur dypolar, fjala “gjini” do të nënkuptonte thjesht nocionin burrë/grua. Mirëpo, projektligji është i qëllimshëm: duke futur konceptin “identitet gjinor”, hapet mundësia që një individ të shpallë një identitet të ndryshëm nga seksi biologjik që ka. Kështu, një grua biologjike mund të deklarojë se është burrë që ka lindur gabimisht në trupin e një gruaje, dhe në të njëjtën mënyrë, një burrë biologjik mund të thotë se është grua që ka ngecur në trupin e një burri. (Shtrëngimi për të shtuar përcaktimin “biologjik” kur përdorim fjalët “burrë” ose “grua” është diçka e panatyrshme dhe e pazakontë; një tregues i qartë që pasqyron në thelb problematikën që rrethon këtë temë). Po ashtu, dikush tjetër mund të shpallë një “gjini të tretë” ose një formë tjetër jo-binare të gjinisë.
Në tekstin e projektligjit “Për Barazinë Gjinore” (2025) nuk jepet një listë konkrete e gjinive jo-binare. Megjithatë, po të mbështetemi në diskursin ndërkombëtar mbi temën e identitetit gjinor, disa burime sugjerojnë ekzistencën e 68 identiteteve[6], të tjera flasin për 72[7], ndërsa disa nuk vendosin fare kufi.[8] Edhe pse projektligji nuk i rendit këto identitete, përkufizimi i tij gjithëpërfshirës i gjinisë hap mundësinë që çdo identitet gjinor jo klasik të kërkojë mbrojtje ligjore.
Implikimet ligjore dhe pasojat problematike
Nuk jam jurist, por nuk është e vështirë të kuptohet se ky ndryshim i nocionit të gjinisë do të sillte implikime ligjore jo vetëm në fushën e politikës dhe vendimmarrjes, por edhe në gjendjen civile, arsimin, tregun e punës, marrëdhëniet familjare dhe vetë gjuhën publike.
Për shembull, në draftin final të projektligjit, Neni 10 ka në fokus “Gjuhën me ndjeshmëri gjinore” dhe përmban këto pika:
Implikimet e këtij neni janë problematike në shumë drejtime.
Së pari, termi “gjuhë gjithëpërfshirëse” është i vagullt. Çfarë konsiderohet gjuhë gjithëpërfshirëse? Kush e vendos standardin? Kjo hap një fushë të gjerë për interpretime subjektive dhe për abuzime ligjore.
Së dyti, kjo qasje e fut ligjin në terrenin e gjykimit mbi fjalët dhe gjuhën, duke rrezikuar lirinë e shprehjes.
Së treti, gjuha shqipe është një gjuhë gramatikore gjinore: çdo emër, mbiemër dhe përemër ka formë mashkullore ose femërore, por nuk ekzistojnë forma neutrale apo jo-binare. (Për shembull, gjuha angleze përdor përemrin “they” si formë neutrale, pra jo gjinore.) Futja e një detyrimi për “gjuhë gjithëpërfshirëse” do të nënkuptonte shpikjen ose imponimin e formave artificiale, gjë që mund të sjellë deformim gjuhësor dhe të krijojë konfuzion në përdorimin e gjuhës standarde në dokumente zyrtare, akte juridike dhe tekste shkollore.
Së katërti, nëse tekstet mësimore dhe materialet studimore do të duhet të përshtaten sipas këtij standardi të ri, atëherë arsimi, në vend që të mbetet neutral dhe i përqendruar në dije, rrezikon seriozisht të humbasë objektivitetin e tij dhe të kthehet në një arenë indoktrinimi ideologjik.
Së pesti, në teori ligji synon të garantojë barazi. Por në praktikë, duke imponuar gjuhë “gjithëpërfshirëse”, ai u jep përparësi identiteteve jo-binare në kurriz të përdoruesve të zakonshëm të shqipes, të cilët rrezikojnë të penalizohen vetëm pse flasin sipas normës tradicionale të gjuhës. Në këtë mënyrë, parimi i barazisë përmbyset dhe ligji shndërrohet në një instrument imponues.
Absurditeti matematikor dhe pazbatueshmëria e ligjit
Ky projektligj, për shkak të angazhimit për të ripërkufizuar nocionin e gjinisë, çon në absurditete matematikore dhe, si rrjedhojë, bëhet i pazbatueshëm në praktikë.
Le të marrim një shembull: te neni 4, pika 1, gërma “h” të projektligjit, lexojmë:
“Përfaqësim i barabartë gjinor” – përfaqësimi i secilës prej gjinive në të gjithë diversitetin e tyre, në mënyrë të barabartë dhe asnjëherë me jo më pak se 30 deri në 50 për qind, sipas përcaktimit në këtë ligj, në terma të aksesit dhe fuqisë së barabartë në të gjitha sistemet e vendimmarrjes (në sektorët politikë, publikë, ekonomikë, digjitalë, etj.)
Edhe këtu, projektligji pranon më shumë se dy gjini. Nuk mjaftohet me përdorimin e fjalës “gjini”, e cila tradicionalisht ka nënkuptuar burrë/grua. (Edhe sikur të ndalej këtu, pika “ë” tashmë e ka zgjeruar kufirin përtej binaritetit klasik.) Por kjo pikë shkon edhe më tej: thekson shprehjen “në gjithë diversitetin e tyre”. Në momentin që ky formulim merr status juridik, hapet rruga që edhe 72 apo më shumë identitete gjinore të mundshme të kërkojnë automatikisht përfaqësim.
Për rrjedhojë, nëse çdo gjini e mundshme duhet të përfaqësohet jo më pak se 30% deri në 50% në vendimmarrje, zbatueshmëria e ligjit përfundon në një absurditet matematikor.
Nëse ekzistojnë vetëm dy gjini (burra dhe gra), kuota 30–50% është e kuptueshme: p.sh. 30% gra dhe 70% burra; 40% gra dhe 60% burra; ose ndarja 50% me 50%. Por sapo numri i gjinive zgjerohet, logjika e ligjit shembet. Nëse njihen katër gjini dhe secila duhet të ketë të paktën 30% përfaqësim, atëherë totali arrin 120% – matematikisht e pamundur. Absurditeti bëhet edhe më i madh nëse njihen 72 gjini: secila, duke kërkuar 30–50% përfaqësim, do të prodhonte një total minimal prej 2160%, ndërkohë që përfaqësimi real nuk mund të kalojë kurrë 100%.
Nëse përfaqësimi ndahet në mënyrë të barabartë mes 72 gjinive, secila do të kishte vetëm 1.39%, pra shumë poshtë kufirit minimal prej 30% që ligji kërkon. Kjo tregon qartë se ligji, në këtë formë, është i pazbatueshëm matematikisht. Duke dashur të zgjerojë barazinë, ai në fakt e bën atë të pamundur. Nga dy kategori të qarta (burrë–grua), të cilat mund të rregullohen matematikisht, kalojmë në një univers fluid ku çdo identitet i vetëdeklaruar bëhet subjekt kuotash – dhe ku llogaritë nuk mbyllen kurrë.
Siç shihet, kur gjinia përkufizohet si gjithëpërfshirëse apo fluide, edhe vetë ligji bëhet fluid dhe pa një themel të qëndrueshëm. Për pasojë, ai kthehet në një nocion kontradiktor: sa më shumë përpiqet të përfshijë, aq më pak arrin të garantojë barazi. Në vend që të garantojë përfaqësimin e barabartë, ligji rrezikon të shndërrohet në një konstrukt qesharak.
“E duam Shqipërinë më evropiane se Evropa”
E gjithë kjo përpjekje ligjore ndërmerret në emër të integrimit evropian. Në faqen zyrtare të konsultimeve thuhet hapur se “Ligji i propozuar ‘Për barazinë gjinore’ lidhet drejtpërdrejt me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin 2022–2030 … si dhe aktet politike për përparimin e procesit të integrimit evropian të vendit.”
Mirëpo, edhe këtu shfaqet një kontradiktë të dukshme. Në fakt, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë një qasje të unifikuar ndaj identitetit gjinor. Disa kanë zgjedhur ta pranojnë nocionin gjithëpërfshirës, ndërsa të tjera ruajnë me vendosmëri një përkufizim strikt dypolar të gjinisë. Për krahasim, le të marrim disa vende të BE-së si Polonia, Hungaria, Letonia, Lituania dhe Rumania.
Polonia: Sistemi ligjor polak dhe dokumentet zyrtare njohin vetëm termat “burrë” dhe “grua”. Në prill 2021, qeveria polake refuzoi me vendosmëri çdo opsion “të tretë gjinie” në kartat e reja të identitetit të BE-së, me deklaratën: “Ka vetëm gra dhe burra në sistemin ligjor polak… Prandaj, kartat do të përmbajnë këto dy gjini” . Edhe regjistrat civilë dhe censusi kombëtar lejojnë vetëm dy opsione: mashkull/femër.[9]
Hungaria: Në vitin 2020, Hungaria miratoi një ligj që ndryshoi kodin civil dhe e përkufizoi termin nem (seks/gjini) vetëm si “seksi biologjik i përcaktuar në lindje”, duke e bërë të pandryshueshëm në dokumentet civile. Po atë vit, një amendament kushtetues e përforcoi këtë përkufizim binar, duke deklaruar shprehimisht se gjinia e një personi është seksi i lindjes, gjë që përjashton çdo njohje të identiteteve transgjinore ose jo-binare.[10]
Letonia: Në Letoni personat që identifikohen si transgjinorë mund të ndryshojnë shenjuesin e gjinisë në dokumente, por vetëm pas ndërhyrjes mjekësore. Nuk ka asnjë opsion ligjor për kategori të tjera gjinore, si “jo-binare”.[11]
Lituania: Në Lituani personat që identifikohen si transgjinorë mund të ndryshojnë gjininë në dokumente zyrtare, por vetëm pas një diagnoze mjekësore “transgjinoriteti”. Që nga viti 2022, nuk kërkohet më ndërhyrje kirurgjikale, por përsëri ligji lejon vetëm kalimin nga mashkull në femër ose anasjelltas, jo kategori jo-binare.[12]
Rumania: Ligji rumun lejon ndryshimin e gjinisë ligjore vetëm në kuadrin binar mashkull/femër dhe shpesh kërkon procedura mjekësore ose kirurgjikale për ta bërë këtë të vlefshme. Megjithatë, nuk ekziston asnjë kuadër ligjor për kategori të tjera gjinore; çdo dokument civil regjistron vetëm “M” ose “F”.[13]
Krahasuar me këto vende, projektligji shqiptar “Për Barazinë Gjinore” (2025) paraqet një kontrast të qartë: ndërsa disa shtete të BE-së mbrojnë ende një përkufizim strikt binar të gjinisë, ky projektligj e zgjeron atë në mënyrë gjithëpërfshirëse (jo-binare), duke e bërë Shqipërinë më “evropiane” se vetë disa vende anëtare të Unionit. Por pse ky zell për të na nxjerrë nga binari?
Është kontradiktore, në mos edhe hipokrite, të pretendohet se ky projektligj është një kusht i integrimit evropian, kur vetë Bashkimi Evropian nuk ka një standard të unifikuar mbi këtë çështje.
Një devijim i vogël me pasoja të rënda
Për ta mbyllur, ndonjë lexues i nderuar mund të thotë: “Është vetëm një përkufizim, është thjesht një ligj. Të mos bëjmë shumë zhurmë për asgjë.” Por le ta ilustroj këtë shqetësim me një histori tragjike, që dëshmon se edhe një devijim i vogël nga kursi mund të sjellë pasoja të mëdha.
Më 1 shtator 1983, avioni i Korean Air Lines Flight 007 u nis nga aeroporti i Nju Jorkut me destinacion Seulin, në një udhëtim të gjatë ndërkontinental. Në fillim të fluturimit gjithçka dukej normale, por autopiloti ishte devijuar vetëm disa milimetra nga kursi i duhur, një ndryshim aq i vogël saqë pilotët nuk e vunë re. Ky devijim minimal, i padukshëm në fillim, gjatë orëve të gjata të fluturimit u shndërrua në një spostim të madh, duke e çuar avionin rreth 200 milje larg kursit të planifikuar dhe duke e futur në hapësirën ajrore sovjetike – një zonë jashtëzakonisht e ndjeshme në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Autoritetet ushtarake sovjetike e konsideruan avionin civil si një mjet spiunazhi. Për këtë arsye ngritën në ajër avionë luftarakë Su-15 për ta ndaluar. U bënë disa thirrje paralajmëruese, por pa marrë asnjë përgjigje nga ekuipazhi i avionit korean. Si pasojë, pilotët sovjetikë lëshuan dy raketa të tipit Kaliningrad R-98MR, të cilat e goditën avionin. Brenda pak minutash ai u rrëzua dhe 269 njerëz humbën jetën.
Kjo histori na kujton se tragjeditë e mëdha shpesh nisin me një devijim të vogël nga kursi. Po ashtu, një ndryshim i vogël në themel – qoftë në gjuhë, qoftë në ligj – ka fuqinë të tronditë të gjithë ndërtesën mbi të cilën mbështetet shoqëria.
Së shpejti, projektligji “Për Barazinë Gjinore” (2025) do të kalojë në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë plenare.
A do të gjenden burra e gra me guxim që të mos lejojnë shoqërinë tonë të dalë nga binari?
[1] Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Projektligji “Për Barazinë Gjinore”. Propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Publikuar më 10 mars 2025. Aksesuar më 2 shtator 2025. https://www.parlament.al/dokumentacioni/aktet/c94610c7-8f7f-4274-a3a7-bdf6ff2459f6.
[2] Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Raporti individual për konsultimin publik për Projektligjin “Për Barazinë Gjinore”, RENJK 826, postuar në platformën e Konsultimit Publik (konsultimipublik.gov.al), 11 korrik 2025, aksesuar më 2 shtator 2025, PDF.
[3] Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Raporti individual për konsultimin publik për Projektligjin “Për Barazinë Gjinore”, RENJK 826, postuar në platformën e Konsultimit Publik (konsultimipublik.gov.al), 11 korrik 2025, aksesuar më 2 shtator 2025, PDF.
[4] Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Projekt-ligj për Barazinë Gjinore, nr. [jo-numeruar], botuar më 27 gusht 2025, në faqen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (PDF), faqe 3, aksesuar më 2 shtator 2025, https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/202508271100576196BARAZIA%20GJINORE.pdf
[5] Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Projektligji “Për Barazinë Gjinore”. Propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Publikuar më 10 mars 2025. Aksesuar më 2 shtator 2025. https://www.parlament.al/dokumentacioni/aktet/c94610c7-8f7f-4274-a3a7-bdf6ff2459f6.
[6] Mere Abrams and Sian Ferguson, “68 Terms That Describe Gender Identity and Expression” (medically reviewed by Francis Kuehnle, MSN, RN-BC; updated January 26, 2024), Healthline, aksesuar më 2 Shtator 2025, https://www.healthline.com/health/different-genders.
[7] Shaziya Allarakha, MD, “What Are the 72 Other Genders?” (reviewed by Pallavi Suyog Uttekar, MD, February 9, 2024), MedicineNet. Aksesuar më 2 Shtator 2025,
https://www.medicinenet.com/what_are_the_72_other_genders/article.htm.
Me poshtë është lista me 72 gjini: Agender – pa gjini; 2) Abimegender – gjini e thellë; 3) Adamasgender – e pathyeshme; 4) Aerogender – ndryshon me mjedisin; 5) Aesthetigender – e lidhur me estetikën; 6) Affectugender – ndikohet nga emocionet; 7) Agenderflux – mes asnjë gjinie dhe një gjinie; 8) Alexigender – e paqartë, e lëvizshme; 9) Aliusgender – krejt ndryshe nga të tjerat; 10) Amaregender – ndikohet nga marrëdhëniet; 11) Ambigender – dy gjini njëherësh; 12) Ambonec – dy gjini, por jo plotësisht; 13) Amicagender – ndryshon me miqtë; 14) Androgyne – kombinim mashkull/femër; 15) Anesigender – afër një gjinie, por jo e plotë; 16) Angenital – pa karakteristika gjinore; 17) Anogender – gjini që vjen e shkon; 18) Anongender – e paemërueshme; 19) Antegender – përtej çdo koncepti; 20) Anxiegender – ndikohet nga ankthi; 21) Apagender – mungesë gjinie; 22) Apconsugender – shfaqet përkohësisht; 23) Astergender – e lidhur me yjet; 24) Astralgender – e lidhur me shpirtëroren; 25) Autigender – e lidhur me autizmin; 26) Autogender – buron nga vetvetja; 27) Axigender – rrotullohet rreth një boshti; 28) Bigender – dy gjini; 29) Biogender – e lidhur me biologjinë; 30) Blurgender – e mjegullt, e paqartë; 31) Boyflux – intensiteti i djalërisë ndryshon; 32) Burstgender – shfaqet me shpërthime; 33) Caelgender – e lidhur me qiellin; 34) Cassgender – e parëndësishme; 35) Cassflux – luhatje mes interesit dhe mosinteresit; 36) Cavusgender – ndikohet nga boshllëku emocional; 37) Cendgender – gjithmonë në qendër të vetëdijes; 38) Ceterogender – e ndryshme nga binari; 39) Ceterofluid – lëviz mes gjinive jo-binare; 40) Cisgender – përputhet me seksin biologjik; 41) Cloudgender – si re: lëvizëse, e mjegullt; 42) Collgender – e përbërë nga shumë gjini; 43) Colorgender – e lidhur me ngjyrat; 44) Commogender – ndikohet nga shoqëria; 45) Condigender – shfaqet vetëm në kushte të caktuara; 46) Deliciagender – sjell kënaqësi kur shprehet; 47) Genderblank – boshllëk gjinor; 48) Genderfluid – gjinia ndryshon me kohën; 49) Genderfuzz – e paqartë, e ndërthurur; 50) Genderflux – luhatje mes gjinive; 51) Genderpunk – sfidon normat gjinore; 52) Genderneutral – neutral, as mashkull as femër; 53) Genderquestioning – në kërkim të gjinisë; 54) Gendervariant – ndryshe nga pritshmëritë shoqërore; 55) Graygender – lidhje e dobët me gjininë; 56) Gendervoid – boshllëk total; 57) Greygender – e mjegullt, e paqartë; 58) Intergender – mes dy gjinive; 59) Maverique – e pavarur nga mashkull/femër; 60) Neutrois – gjini neutrale; 61) Novigender – gjini e re, e pazakontë; 62) Pangender – përfshin të gjitha gjinitë; 63) Polygender – përfshin disa gjini; 64) Quoigender – konfuzion mbi gjininë; 65) Sexgender – e lidhur me seksin biologjik; 66) Subgender – nën një gjini tjetër; 67) Surgender – më e fortë se gjinitë e tjera; 68) Third gender – kategori e tretë (p.sh. hijra, muxhe); 69) Trigender – tre gjini; 70) Xenogender – e lidhur me koncepte jashtë njerëzores; 71) Ze/Zir – përdor neopronome të posaçme; 72) Two-spirit – identitet tradicional indigjen.
[8] Veronica Zambon, “What Are Some Different Types of Gender Identity?” (medically reviewed by Francis Kuehnle, MSN, RN-BC), Medical News Today, December 21, 2023, aksesuar më 2 Shtator 2025,
https://www.medicalnewstoday.com/articles/types-of-gender-identity.
[9] Notes from Poland, “Poland rejects inclusion of third gender in new EU identity cards,” Notes From Poland, 27 prill 2021, aksesuar më 2 Shtator 2025, https://notesfrompoland.com/2021/04/27/poland-rejects-inclusion-of-third-gender-in-new-eu-identity-cards/.
[10] “Hungary Fundamental Law Changes Attack Rule-of-Law, Rights”, Human Rights Watch, April 17, 2025, aksesuar më 2 shtator 2025, https://www.hrw.org/news/2025/04/17/hungary-fundamental-law-changes-attack-rule-law-rights.
[11] Outright International, Latvia: Country Overview, aksesuar më 2 shtator 2025, https://outrightinternational.org/our-work/europe-and-central-asia/latvia.
[12] Outright International, Lithuania: Country Overview, Outright International, aksesuar më 2 shtator 2025, https://outrightinternational.org/our-work/europe-and-central-asia/lithuania.
[13] Outright International, Romania: Country Overview, Outright International, aksesuar më 2 shtator 2025, https://outrightinternational.org/our-work/europe-and-central-asia/romania.
Po shefi sikur tha "Kurrë më mbrapa" ?!?!?
Te verteta te pa kontestueshme.
U shofte fara e keqe LGBTQJKLMNOP-qirave! Zoti a natyra ka bere burrin dhe gruan, cdo qenie tjeter eshte deformim i natyres jo rregull i saj! Ansolutisht nuk duhet ligjeriar e panatyrshmja! Ata le te ekzistojne si perjashtim i natyres dhe jo te imponohen me ligj.