Sa energji shpenzon një shkollë?

17 Shtator 2022, 20:10Sociale TEMA

Sa energji shpenzon një shkollë?

Shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”, është e rindërtuar me kushtet më bashkëkohore, ndaj dhe konsumi i energjisë është më i lartë. Bashkia paguan mesatarisht 90 mijë lekë të reja në muaj, për këtë shkollë.

“Konsumi më i shpeshtë është ndriçimi, përdorimi i pompës së ujit, që është uji i vazhdueshëm, gjatë dimrit kemi kaldajat edhe pajisjet teknologjike, janë salla e kompjuterëve, kemi dy salla. Janë në funksion gjatë gjithë procesit mësimor dhe përfshin orën 7:30 deri në orën 2 pa çerek që është procesi i rregullt mësimor,” – u shpreh drejtoresha Anita Korbi.

Në këtë shkollë, ka disa laboratorë. Ai i informatikës, shpenzon energji më shumë se të gjithë.

“Janë 17 kompjuterë në këtë sallë dhe 17 tek salla tjetër, ku një kompjuter harxhon 250-300 WAT,” – tha Korbi.

Dushet e vendosura në tualete, në dhomat e zhveshjes, serveri i internetit, kamerat, dhoma e dentistes, janë disa nga pajisjet që konsumojnë energji.

Drejtoresha tregon sesi mund të kursehet.

“Ajo që është bërë e udhës, është që ndriçimi natyral të jetë sa më i përdorshëm gjatë ditës dhe gjatë verës, ajrimi të jetë sa më i plotë, dritaret qëndrojnë të hapura,” – u shpreh ajo.

“Ndriçimi tek tualetet është menduar ndryshe, funksionojnë përmes sensorëve, që domethënë koha e përdorimit të llampave është më e shkurtër,” – tregoi Korbi.

Në sezonin e dimrit, shpenzimet e energjisë janë më të larta, por me këshillat e dhëna, drejtoresha, shpreson që të kenë sado pak rezultat.

Lini një Përgjigje