
Ideja moderne e të qenit « mjaftueshëm” mbart në vetvete një mizori shpesh të padukshme. Ndërsa tingëllon e butë si fjalë dhe gati-gati çliruese, vetë fjala ‘mjaftueshëm’ fsheh një kërkesë më të vjetër, atë të pritshmërisë për të qenë të përsosur. Sot, ne nuk luftojmë më për t’u shfaqur perfektë, por kërkojmë të jemi në përmirësim të vazhdueshëm. Për shumëkënd, veçanërisht për ata që janë prindër, kjo përpjekej e vazhdueshme është shndërruar në ritmin e përditshmërisë s ëtyre.
Në episodin e radhës të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, ndalemi me sociologen Marsi Simo për të analizuar sfilitjen emocionale që vjen bashkë me përpjekjen për të përmbushur versionet e pafundme të vetes, herë të përcaktuara nga shoqëria, e herë nga pritshmëritë e tepërta që i imponojmë vetes. Biseda zhvendoset gradualisht nga intimiteti i familjes tek panorama më e gjerë e presioneve sociale, si puna, gjinia, imazhi dhe frika e dështimit apo të mbeturit pas në jetë.
Simo ndalet fillimisht tek mënyra se si shoqëria përcakton role të padukshme, ku çdo etiketë që na vendoset, mbart edhe përgjegjësitë e pritshmëritë e veta për të qenë sa më efikasë në punë, sa më të pranishëm emocionalisht në shtëpi dhe sa më të vetëpërmbajtur e më të përkorë në publik. E gjithë kjo, shprehet Simo, kthehet në një peshë të madhe emocionale, që na mban me kokën pas, drejt të shkuarës, duke menduar vazhdimisht se çfarë nuk kemi bërë mirë.
Më pas, biseda kalon tek fëmijët dhe pasojat e ekspozimit të tyre të hershëm ndaj teknologjisë dhe ekraneve. Simo shprehet se ekranet jo vetëm shkaktojnë shpërqëndrim, por përcaktojnë edhe vetë mjedisin e perceptimit. Një fëmijë që mëson ta përjetojë kënaqësinë përmes ngjyrave të forta dhe tingujve, thotë Simo, është i prirur ta shohë botën reale si të mërzitshme dhe të zymtë.
Simo rikthehet gjithashtu tek ideja e atashimit, ndërsa thotë se truri i fëmijëve zhvillohet përmes kontaktit dhe pranisë njerëzore. “Një përqafim,” thotë ajo, “është më i rëndësishëm se sa një fjalë e mirë.” Dhe ekranet bëjnë pikërisht të kundërtën, duke reduktuar afërsinë fizike. Shumë fëmijë rriten të rrethuar me përmbajtje online, por mbeten të uritur për vëmendje njerëzore.
Dëmet shpesh shfaqen vonë, kur fëmijët janë tashmë në moshë për të hyrë në shkollë. Simo tregon se në pjesën dërrmuese të klasave të para, apo në parashkollorë, mësuesit shprehen se kanë nevojë për mësues ndihmës, që të punojnë me fëmijë, të cilët e kanë të pamundur të përqëndrohen ose janë tërësisht të tërhequr. Problemi, sipas saj, nuk është dështimi individual, por mospërputhja midis moshës emocionale dhe moshës fizike të fëmijëve.
Kriza që sociologia Simo përshkruan është sa emocionale, aq edhe teknologjike. Ajo lidhet me mungesën e pranisë njerëzore, aftësisë për të komunikuar natyrshëm dhe me pjekuri emocionale me fëmijët, në mungesë të të cilës, edhe dashurisë i duhet të konkurrojë për vëmendje.
÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷Pa u martuar kishja gjashtē ide÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷ për edukimin e femijve,÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷ tani i martuar÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ kam gjashtë femijë÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷ ÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷÷dhe asnjë ide.÷÷÷÷÷÷÷÷÷