Gianluigi Buffon, i përjetshëm. Në moshën 45-vjeçare vazhdon të mbrojë portën e Parmës në Serinë B italiane.
Në kanali Twitch të ish-shokut të tij të skuadrës në kombëtaren italiane, Christian Vieri, Buffon i bëri një rishikim të shkurtër karrierës së tij profesionale prej gati tri dekadash.
Veçanërisht interesante janë deklaratat e tij në lidhje me kohën e tij te Paris Saint-Germain, ku luajti në sezonin 2018-19.
“Ishte eksperienca më e bukur e jetës sime. U ndjeva njeri i lirë. Mësova shpejt frëngjisht, fola me njerëz në rrugë, vizitova muzetë… Kisha ndjenjën se luaja në një ekip të madh”, tha Buffon.
Dhe pikërisht në qytetin e dashurisë, portieri nga Carrara ndante dhomën e zhveshjes me futbollistë të tillë si Mbappé, Neymar, Cavani, Di María, Verratti, Dani Alves apo Thiago Silva.
I pyetur nëse PSG, i drejtuar atëherë nga Thomas Tuchel, mund të kishte fituar Championsin, Buffon është i qartë.
“Isha i bindur, ishim superiorë. Ne shkuam në Mançester për të luajtur ndeshjen e parë të 1/16-tave me United dhe dominuam, por ata na eliminuan në ndeshjen e dytë. Ky ishte zhgënjimi më i madh i karrierës sime”, – ka rrëfyer Buffon, ish-kampion bote me Italinë në Gjermani 2006.
Buffon u largua pas një sezoni nga PSG për t’u kthyer tek Juventusi.
“Largimi ishte gabimi më i madhi i jetës sime, hoqa dorë nga 10 milionë euro. Më thanë që Areola do të luante në Champions League dhe nuk e pranova. Për mua luan ai që e meriton. Prandaj u ktheva tek Juventusi. Më pas u pendova, sepse Areola u dëmtua dhe në vend të tij firmosën Keylor Navasin”.
Më në fund, ai caktoi një datë për tërheqjen e tij nga futbolli.
“Do të doja të tërhiqesha pas sezonit të ardhshëm, jo më shumë. Nuk dua të më konsiderojnë portier të dytë”, përfundon Buffon.
Lini një Përgjigje