Janë ndarë rrugët mes trajnerit Ditmar Bicaj dhe ekipit të Lushnjes. Gjithçka ka ndodhur pas situatave të fundit në klub, ku rezultatet kanë munguar dhe ekipi ka vuajtur nga oshilacionet e njëpasnjëshme.
Trajneri Bicaj sot ka pasur një takim rreth 30 minuta me kryebashkiaken Eriselda Sefa në Bashki, ku të dyja palët kanë parashtruar problematikat përkatëse. Trajneri ka kërkuar me ngulm ndërhyrje dhe blerje të reja, në mënyrë që ekipi të ndryshojë fizionominë e brishtë të lojës.
Ndërkohë, nga ana tjetër, bashkia insiston të ketë futbollistë me pagesa sa më të ulëta, me qëllim minimizimin e shpenzimeve.
Kriza e krijuar ka ndikuar në lojë dhe në klasifikim. Lojtarët kanë tre muaj që nuk paguhen dhe madje ushqehen vetëm me një vakt në ditë, ndërsa nuk grumbullohen para ndeshjeve që zhvillohen në Lushnje.
Në mes të gjithë këtij konfuzioni, ideja e shitjes së klubit në ankand te privati u mendua si shpëtim, por edhe kjo lëvizje nuk ka pasur rezultat, pasi nuk është gjetur interes konkret.
Duke mos pasur zgjidhje, Bicaj ka kërkuar të mos vazhdojë projektin, ndërkohë që kryetarja Eriselda Sefa e ka falënderuar ish-trajnerin e Burrelit për kontributin e deritanishëm.
Lini një Përgjigje