Jasir Asani u largua pak ditë më parë nga Irani, për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme.
Sulmuesi ka lënë përkohësisht Esteghlalin, pasi kampionati iranian është pezulluar. Në një intervistë për emisionin “Në Shtëpinë e Futbollit”, Asani zbuloi se do të udhëtojë drejt Tiranës, për tu stërvitur me Partizanin, në mënyrë që të jetë gati për grumbullimin e Kombëtares.
Ndër të tjera, sulmuesi theksoi se atmosfera para ndeshjes me Poloninë në “play off” është shumë e mirë, ndërsa lojtarët e presin me padurim.
“Gjatë këtyre ditëve jam stërvitur këtu në Maqedoninë e Veriut. Do të rikthehem në Tiranë dhe do të stërvitem me Partizanin. Atmosfera para Polonisë është shumë pozitive. Ne mezi po presim. E dimë se stadiumi do të jetë plotë, ndërsa do na ndjekin të gjithë shqiptarët nga mbarë bota. Kemi shanse për t’ia dalë”, deklaroi Asani.
Kujtojmë se Asani ka qenë pjesë e Partizanit edhe në të kaluarën, kur pati shkëlqimin e tij, para se të largohej jashtë.
Lini një Përgjigje