"Ja pse Shqipëria është destinacioni unik i turizmit", Mirela Kumbaro prezanton potencialet e Shqipërisë në OKB

5 Maj 2022, 11:32Turizëm TEMA

"Ja pse Shqipëria është destinacioni unik i turizmit",

Në fjalimin e saj në Organizatën e Botërore të Turizmit në Kombet e Bashkuara në New York, ministrja Mirela Kumbaro prezantoi Shqipërinë si destinacion turistik unik dhe i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

“Filozofia e përcaktimit të Shqipërisë si një destinacion unik do të thotë të bësh miqësi me njerëzit e këtij vendi, të cilët të ftojnë menjëherë të jesh pjesë e botës së tyre. Do të thotë të ndash përvoja origjinale me ta. Është vështrimi i një dielli ngjyrë portokalli të zhytur në detin Jon, i rrethuar nga njerëz që shkëlqejnë prej një drite po aq rrezatuese sa plazhet dhe po aq e thellë sa pyjet e parqeve kombëtare”, tha Kumbaro në sallën e OKB-së gjatë takimit të nivelit të lartë dedikuar turizmit të qëndrueshëm dhe ringritjes së sektorit pas pandemisë.

Ajo prezantoi edhe shifrat e viteve të fundit në turizëm, duke thënë se viti pandemik pati edhe efekte positive në zbulimin e turizmit të brendshëm. “Pritëm 6.4 milionë turistë në vitin 2019 dhe 5.6 milionë turistë në vitin 2021. Megjithatë, sfidat e viteve të fundit na tregojnë se luftën për një botë më të mirë nuk e fitojnë numrat, por soliditeti i shoqërive, qëndrueshmëria, solidariteti, largpamësia e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit gjatë fjalimit të saj.

“Shqipëria është destinacioni i preferuar i kureshtarëve, destinacioni ku maja me dëborë e një mali është gjysmë ore me makinë nga plazhet më të bukura në botë, sipas prestigjiozes “The Guardian Travel” që i rendit plazhet shqiptare ndër 40 plazhet më të mira për këtë vit”, u shpreh Kumbaro. “Një destinacion duhet të komunikojë idenë që e veçon atë nga të tjerët dhe e bën atë një përvojë të veçantë. Filozofia e përcaktimit të Shqipërisë si një destinacion unik do të thotë të bësh miqësi me njerëzit e këtij vendi, të cilët të ftojnë menjëherë të jesh pjesë e botës së tyre”, u shpreh ndër të tjera Kumbaro.

Ministrja e Turizmit prezantoi paketën stimuluese për investimet strategjike, ndërsa shtoi se turizmi shqiptar po njeh trende positive në drejtim të zgjatjes së sezonit, zgjerimit të hartës turistike dhe zhvillimit të agroturizmeve si një model zhvillimi i qëndrueshëm.

Mirela Kumbaro ndodhet në New York ku ka pasur takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili, Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Abdulla Shahit dhe me homologe ministra të turizmit te vendeve te tjera për rritjen e bashkëpunimeve me qëllim prezantimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e investimeve në turizëm.

1 Komente

  1. S
    Shoku i Shullazit

    Mirela e Luan Pobratit.

    Lini një Përgjigje