Rama: Shqipëria duhet të ketë turizëm të nivelit të lartë, të mos profilizohemi si ‘low cost’

3 Tetor 2023, 18:59Turizëm TEMA
Rama: Shqipëria duhet të ketë turizëm të nivelit

Kryeministri Edi Rama në një aktivitet këtë të martë bëri një bilanc të sezonit turistik këtë vit. Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria nuk duhet të profilizohet si një vend i turizmit low cost. Sipas Ramës, në Shqipëri ka vend edhe për turizëm për low cost, por duhet përqendruar tek turistët e nivelit të lartë pasi ata sjellin më shumë para për ekonominë. Këtu, kreu i qeverisë mori si shembull jahtet. Sipas tij, 400 jahte sjellin para njësoj si 40 mijë turistë low cost që mund të vijnë.

“Shqetësimi i shqetësimeve është që Shqipëria të mos karakterizohet dhe të mos profilizohet dhe të mos mbyllet në perceptimin e ri që ka krijuar si një vend i turizmit low cost. Ne nuk duam dhe nuk mund të jemi vend i turizmit low cost. Ne duhet të jemi një vend ku ka edhe turizëm low cost, por ka turizëm të nivelit të lartë që sjell konsumatorët e mëdhenj sepse ata sjellin shumë më tepër para për ekonominë tonë. 

Çfarë sjellin 400 jahte është e barabartë me çfarë sjellin 40 mijë turistë low cost që të jemi qartë. Kjo vlen dhe për ata që thonë pse këta mbështesin jahtet. Ne nuk mbështesim jahtet, ne mbështesim ekonominë. Dhe prandaj duhet të krijohen portet turistike dhe Shqipëria të bëhet një vend që të sjellë sa më shumë jahte, sa më shumë anije të vogla turistike dhe sa më shumë turistë të cilët kur prekin tokën konsumojnë, personi 50 herë më shumë sesa njëri që vjen përmes tokës”, u shpreh Rama.

Një tjetër pikë ku u ndal kryeministri ishte edhe infrastruktura. Kreu i qeverisë theksoi se puna për Korridorin Blu është në rrugën e duhur. Sa i përket Tunelit të Llogarasë ai nënvizoi se puna është në një fazë shumë të avancuar.

“Aksesi në aeroport është zgjeruar dhe do të shumëfishohet me aeroportin e Vlorës. Aksesi portual është përmirësuar dhe do të zgjerohet me portet turistike, gjithmonë duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të kuptohet mirë që portet janë vendimmarrje dhe përgjegjësi e qeverisë. Natyrisht edhe korridoret. Puna për korridorin më të rëndësishëm që është Korridori Blu Adriatiko-Jonian ka nisur me segmentin e Thumanë-Kasharit. 

Janë drejt përfundimit marrëveshjet edhe për segmente të tjera. Vitin e ardhshëm do të jemi në kantier për këtë korridor më në fund. Kështu nga Mali i zi deri në Vlorë ne do të kemi, flas për bregdetin, një korridor të standardeve europiane dhe do durojnë edhe pak ata që përdorin vazhdimisht gjatë sezonit të verës dhe kanë të gjithë të drejtën e botës që të ndihen të persekutuar, korridorin lart nga Shkodra deri në Fushë Krujë. Rëndësi ka që kjo është në rrugë.

Tuneli i Llogarasë është në një fazë shumë të avancuar. Shpresojmë se me tunelet e kam mësuar nga puna në rrugë që them gjithmonë shpresojmë se asnjëherë nuk i dihet gjeologjisë etj, megjithëse aty nuk duket që ka probleme, që vera e ardhshme të jetë vera e parë me një tunel funksional. Vazhdojmë edhe në segmentin më poshtë për të shtruar një rrugë turistike”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi subjektet e shërbimeve se do të ngrihet një task forcë dhe do të miratohet një ligj për të mos pasur më gropa septike apo për të derdhur ujërat e zeza në det apo liqen.

“Nuk mundet dot që vitin e ardhshëm të kemi derdhje ujërash të zeza në det, as në Liqenin e Pogradecit. Në asnjë liqen. Si bëhet kjo? Kjo bëhet duke u thënë shumë qartë jo vetëm me fjalë, por edhe me një akt të menjëhershëm ligjor që po bëjmë gati dhe me një task forcë që po ngrihet të gjithë atyre që kanë hotele, restorante, kafene, pra njësi shërbimi që epoka e gropës septike mbaroi. Do investosh për depurimin e ujërave të tua të zeza. Jo të tuat, por të tuat bashkë me kolegët që vijnë të marrin shërbime tek ty se bashkarisht i çoni në gropë. Është bërë edhe studimi sa kushton. Nuk po them që t’u vemë kufirin banorëve, familjeve për banesat, shtëpitë që kanë gropa septike sepse kjo do të ishte e padrejtë.

Ujërat e kristalta të Maldiveve të Europës nuk i ndotin ata që jetojnë dem baba dem në kodër dhe kanë një gropë septike, por i ndotin ata që në ballë hotelit i venë 5 yje dhe nga mbrapa i lëshojnë komunitetit mbetjet e yjeve”, tha Rama.

3 Komente

  1. k
    k

    KM ,ka arritur fazën përfundimtare delirante ku mbetet vetëm të vetëquhet Napoleone dhe të pretendojë se flet shpesh me zotin dhe i jep atij këshilla.

    1. C
      Cfar derdellit o i Pafytyre !

      O te placin syte , turizmi jot ka nivelin e amatoreve e pisllikut ,injorances e qeneive primitive me nji Fake Ministri ,qe ose s'ja ka iden se cdo te thote Turizem ose eshte total e paafte , nderkohe qe ti vet je nji qe s'ja ke iden cdo te thot Shtet e Turizem

      1. S
        Suksese te metejshme

        Rama, të lutem, mos shko kaq larg.... mos ëndërro deri në idiotësi. Si vizitor që isha dy behare rresht nuk e prisja rrëmujën dhe shërbimin plerë nga jugu në veri. Ju qofshi me pompat që I bëni vetes.

        Lini një Përgjigje