Hansi Flick nuk largohet nga stoli i Gjermanisë

8 Dhjetor 2022, 14:42Sport TEMA

Hansi Flick nuk largohet nga stoli i Gjermanisë

Hansi Flick do të vazhdojë të jetë trajner i Gjermanisë, edhe pse u eliminua në fazën e grupeve të Kupës së Botës në Katar.

Ky ishte rezultati i një takimi të gjatë mes trajnerit dhe dy presidentëve të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf dhe Hans-Joachim Watzke, të zhvilluar këtë të mërkurë në Frankfurt. 

U përfol se dorëheqja e Oliver Bierhoff, tashmë ish-menaxheri i skuadrës gjermane dhe njeriu i besuar i Flick, mund të çonte edhe në lamtumirën e trajnerit, por në fund ai vendosi të përmbushë kontratën e tij deri në “Euro 2024”, që do të zhvillohet në Gjermani.

“Ne jemi të bindur se Evropiani i vitit 2024 në vendin tonë përfaqëson një mundësi të madhe për futbollin në Gjermani”, citohet të ketë thënë Neuendorf në deklaratën e federatës.

“Qëllimi ynë është që ky turne të jetë një sukses sportiv. Ne kemi besim të plotë se Hansi Flick do ta kapërcejë këtë sfidë, së bashku me ekipin e tij. Në lidhje me pasardhësin e Oliver Bierhoff, ne kemi rënë dakord që së pari të diskutojmë strukturën e ardhshme të kësaj fushe të përgjegjësisë brenda DFB-së dhe më pas të marrim një vendim për personelin”, theksoi Presidenti.

Vetë Flick u shpreh: “Stafi im teknik dhe unë jemi optimistë për Evropianin në vendin tonë. Si skuadër mund të arrijmë shumë më tepër se sa treguam në Katar. Humbëm një mundësi të madhe dhe do të nxjerrim mësime. Unë kam besim në rrugën që kemi rënë dakord me Bernd Neuendorf dhe Aki Watzke sot. Ne duam që e gjithë Gjermania ta mbështesë sërish ekipin në Euro 2024 në shtëpi”.

Lini një Përgjigje