Trajneri i përfaqësueses maqedonase të futbollit, Mirsad Jonuz, ka grumbulluar katër futbollistë shqiptarë për ndeshjen miqësore kundër Kinës, që zhvillohet më 22 dhjetor.
Ky është numri më i madh i futbollistëve me kombësi shqiptare që grumbullohen me Maqedoninë. Kjo vjen në një kohë kur kampionati i Maqedonisë dominohet nga dy ekipet shqiptare, Shkëndija e Tetovës dhe Renova e Xhepçishtës. Sipas ekspertëve, ky fakt dëshmon se futbolli shqiptar në Maqedoni po rritet gjithnjë e më shumë.
Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Qenan Idrizi, vlerëson këtë rritje, por sipas tij, futbolli shqiptar në Maqedoni nuk ka zënë ende vendin që meriton, shkruan “Koha Ditore”.
“Futbolli shqiptar në Maqedoni është rritur shumë, nëse krahasohet me vitet e kaluara. Por, nëse e krahasojmë me numrin e popullatës shqiptare që jeton në Maqedoni, atëherë mund të themi se niveli nuk është i kënaqshëm. Për shembull, në Ligën e Parë duhet të luajnë të paktën katër ekipe shqiptare, ndërkohë që aktualisht kemi vetëm dy. Presim që ky numër të rritet në vazhdim”, ka thënë ai.
Qenan Idrizi e mori detyrën e nënkryetarit të Federatës Maqedonase të Futbollit para një vit. “Deri para një viti Federata e Futbollit nuk u ka kushtuar fare rëndësi klubeve shqiptare. Nuk i ka llogaritur fare ato. Në vitin e fundit qasja e federatës ka ndryshuar pozitivisht. Rezultatet janë evidente. Kemi më shumë lojtarë shqiptarë në klube, më shumë në përfaqësuese, ndërsa kampionatin e kaluar, për herë të parë një skuadër shqiptare u bë kampione e Maqedonisë”, thekson Idrizi.
Kampione në fuqi e Ligës së Parë të Maqedonisë është Renova e Xhepçishtës. Kjo skuadër aktualisht ndodhet e dyta në kampionatin e Maqedonisë, me 31 pikë, një më pak se Shkëndija udhëheqëse. Dhjetë skuadrat e tjera janë maqedonase, por në disa prej tyre numri i lojtarëve shqiptarë është rritur dukshëm në vitet e fundit. Renova drejtohet nga trajneri shqiptar nga Kosova, Bylbyl Sokoli.
“Me ardhjen e tij, ndryshimet pozitive në klub janë vërejtur menjëherë. Në fakt, në zhvillimin e futbollit shqiptar në Maqedoni, kanë ndikuar të gjithë trajnerët dhe lojtarët shqiptarë, pa marrë parasysh se prej nga kanë ardhur ata, nga Kosova apo Shqipëria”, ka shtuar Idrizi, që është edhe themelues i klubit Renova.
Edhe trajneri Bylbyl Sokoli vlerëson se futbolli shqiptar në Maqedoni është zhvilluar dukshëm. Ai pret që në vitet e ardhshme, zhvillimi të jetë edhe më i madh.
“Pas dy vitesh jam kthyer në Maqedoni dhe kam vërejtur se cilësia e klubeve shqiptare është më e mirë. Ndërsa futbolli i Maqedonisë në përgjithësi ka mbetur në nivel të njëjtë. Klubet shqiptare janë më të organizuara dhe po investojnë më shumë se në të kaluarën, prandaj edhe zhvillimi është i natyrshëm”, ka thënë Sokoli. Ai për herë të parë në Maqedoni ka punuar në vitin 1999, kur drejtoi Shkëndijën e Tetovës. Më pas, ai ka drejtuar edhe Bashkimin e Kumanovës, Milanon dhe Renovën.
“Fakti që Ligën e Parë e udhëheqin dy ekipe shqiptare, dëshmon më së miri për ngritjen e futbollit shqiptar. Kjo ngritje do të jetë edhe më e madhe në vitet e ardhshme. Organizimi i mirë i klubeve shqiptare e garanton këtë”, ka shtuar Sokoli.
Trajneri i Maqedonisë, Mirsad Jonuz, të mërkurën ka shpallur listën me emrat e futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore me Kinën. Për herë të parë janë ftuar sulmuesi i Shkëndijës, Ferhan Hasani dhe mesfushori i Thunit në kampionatin zviceran, Muhamed Demiri.
Sulmuesi i Nordsjaellandit në kampionatin danez, Bajram Fetai, është ftuar për herë të dytë, ndërsa mesfushori i skuadrës kroate të Istrës, Armend Alimi, deri më tani ka luajtur tetë herë me Maqedoninë. Herë pas here për Maqedoninë ftohen edhe Besart Ibraimi e Agim Ibraimi, ndërsa kandidat për një vend në përfaqësuese vlerësohet edhe Emin Sulimani.