Tre policë të EULEX-it sulmohen në veri

14 Janar 2011, 13:36Rajoni TEMA

Tre zyrtarë policorë të EULEX-it janë sulmuar fizikisht nga një grup i personave, ende të paidentifikuar, në veri të Mitrovicës.
“Rasti është raportuar rreth orës 02:30min, të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës, ndërsa patrulla policore e Policisë së Kosovës, fillimisht kishte identifikuar dy persona të shtrirë për tokë me lëndime të dukshme derisa disa kalimtarë të rastit po mundoheshin t’iu ndihmonin për t’u ngritur në këmbë”, ka njoftuar Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë.
Në vendngjarje, patrulla policore ka ftuar një ekip të ambulancës për t’i dërguar viktimat e rastit në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për trajtim mjekësor.
“Gjatë mbledhjes së informatave operative për viktimat e rastit, policia ka kuptuar se bëhej fjalë për pjesëtar të komponentës policore të EULEX-it, jashtë detyrës zyrtare, të sulmuar nga grupi i personave ende të paidentifikuar”, ka njoftuar policia.
Gjithashtu në vend të ngjarjes, policia ka kuptuar se së bashku me dy viktimat e rastit kishte qenë i shoqëruar edhe personi i tretë, gjithashtu zyrtar i policisë së EULEX-it, i cili është kontaktuar më pas nga policia e Kosovës në veri të Mitrovicës.
Nuk është raportuar për natyrën e lëndimeve të viktimave të rastit ndërsa shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij akti kriminal, deri në këtë moment mbetet të panjohura.
Rasti i sulmit fizik është regjistruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës ndërsa pas kontaktit me prokurorin publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, rasti është kualifikuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare” të paraparë sipas nenit 141 të Kodit Penal të Kosovës.
Hetimet e këtij rasti do të ndiqen nga hetuesit rajonalë të policisë së Kosovës në Mitrovicë.

“EXPRESS”

Lini një Përgjigje