Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për medie, duke dashur të dëshmojë edhe një herë karakterin e saj shtetndërtues, respektimin e plotë të vendimeve të institucioneve të pavarura të shtetit, pranon Vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nacionale.
Megjithatë, kjo parti edhe një herë vlerëson se këto zgjedhje kanë qenë të pandershme, jodemokratike, të manipuluara dhe të përshkuara me vjedhje masive të votës së qytetarëve si dhe janë përcjellë me shkelje të ligjit dhe të kodit të mirësjelljes nga kryeministri i shkarkuar dhe lideri i PDK-së, me premtimet dhe vendimin e paligjshëm për rritjen e pagave gjatë procesit zgjedhor.
“Vlerësojmë se, përpos zgjidhjes së disa lëshimeve dhe problemeve teknike, procedurat e zhvilluara pranë organeve të parapara me Ligj, KQZ, PZAP dhe Gjykatës Supreme, nuk kanë arritur të sigurojnë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh përmasat e gjera dhe mënyrat e shumta të manipulimeve të votës së qytetarëve në tërë territorin e Kosovës”, vlerëson LDK.
Sipas kësaj partie, dobësitë e manifestuara në këto zgjedhje, e vënë në dyshim legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve që dalin nga këto zgjedhje: të Presidentit, të Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Burim i këtyre problemeve dhe dobësive, përpos manipulimeve nga Partia Demokratike dhe Qeveria e shkarkuar, ka qenë edhe sistemi zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi, që duhet të ndryshohen sa më shpejt dhe të hapen rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, të cilat do t’ua kthenin legjitimitetin dhe besueshmërinë institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thekson Lidhja Demokratike e Kosovës.
Lidhja Demokratike Kosovës mbetet e përkushtuar thellë që të punojë për fuqizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për sundimin e ligjit dhe që institucionet e pavarura të jenë vërtet të tilla, pra të pavarura.
“ZERI”