Policia ndërtimore në Bashkinë e Sukthit ka nxjerrë 12 urdhëra për prishjen e lokaleve të ndërtuara gjatë viteve 1999-2007 në zonën e plazhit të Hamallajt. Sot ishte dita e parë e zbatimit të këtyre urdhrave, ku filluan të prisheshin objektet e para në këtë zonë. Konfirmimi për këtë aksion është marrë edhe nga drejtoria e ALUIZNI-t të Durrësit. Synimi është që të pastrohet 15 hektarë sipërfaqe me qëllim për t’u bërë plazh publik. Kryetari i Bashkisë së Sukthit Hyrjan Hasani i pyetur se cilët do të ishin objektet që do të prisheshin sot ka thënë: “Inspektoriati i policisë ndërtimore të Bashkisë Sukth ka nxjerrë 12 urdhra për prishjen e objekteve që kryesisht janë lokale, të ndërtuara rreth viteve 1999-2007. Sigurisht që ne kemi marrë konfirmim edhe nga drejtoria e ALUIZNI-t të Durrësit që ka skualifikuar nga procesi i legalizimit dhe normalisht jemi të vendosur për të respektuar ligjin. Sot është dita e parë dhe nuk ka pasur ndonjë problem me banorët, në një farë mënyre kemi rënë dakord për prishjen e këtyre objekteve, e cila do të vazhdojë me një fazë, ne do të bëjmë studimin e zonës së plazhit rreth 15 hektarë, do sistemohet do pastrohet dhe normalisht do të jetë një plazh publik për të gjithë banorët e bashkisë tonë dhe gjithë Shqipërisë”. Gjithashtu i pyetur se nëse më pas do të ketë edhe prishje të tjera në këtë zonë zoti Hasani është përgjigjur se “sigurisht që do të ketë, por gjithmonë bëhet fjalë për në bregdet”. Situata ishte përgjithësisht e qetë, banorët ishin mbledhur për të vëzhguar dhe pjesa që kishte rënë dakord kishte filluar me boshatisjen e lokaleve vetë. Mirëpo sigurisht kishte dhe banorë të revoltuar siç ishte rasti i një familjeje, e cila kishte lokalin dhe shtëpinë në të njëjtin vend dhe sigurisht ishin mjaft të revoltuar. Zonja e lokalit Pranvera Guri shprehet: “Ne në këtë banesë kemi ardhur në 1999 dhe unë kam ardhur me mendimin që do bëja menaxhim dhe jo do të punoja sepse duke qenë se isha invalide nuk ecja dot. Kam hedhur djersën e ballit këtu pasi isha pa asnjë lek në xhep. Kemi aplikuar për legalizim dhe e kam marrë në 2000, 2001, 2002, 2003 ku na erdhi dhe policia dhe e them me ndërgjegje të pastër që si nga socialistët si nga demokratët na kanë marrë para e kanë ikur. Të gjitha taksat i kemi paguar në rregull dhe unë edhe pse jam me statusin politik, me invaliditet në fund të fundit këto nuk e pyesin njeriun e ndershëm. Këtu edhe Fatosi po të ishte do e kishte prishur ashtu si edhe Sala që kemi paguar 1 milionë e 300 mijë lireta në 1990 për të votuar për demokracinë që na e punoi kështu. Na prishën lokalin e nuk na dhanë kohë as të hiqnim plaçkat”.
E pyetur nëse e ka paditur këtë fakt në gjykatë zonja Guri përgjigjet se edhe atje ka shkuar, por nuk i ka pirë ujë padia, “Në qoftë se këtu në qeverinë tonë nuk njifet kushtetuta, nuk njifet policia, gjykata e shteti ne jetojmë kot” vazhdoi ajo.
Më pas fadroma vazhdoi me prishjen e lokaleve të tjerë, proces ky që do të vazhdonte deri në orët e mbrëmjes e sigurisht edhe në ditët në vazhdim.