“21 Janari”: Dëshmojnë në prokurori, Sterkaj, Doshi, Bare e Ndreu. Sterkaj: Jemi të hapur për drejtësinë

11 Shkurt 2011, 10:45Politika TEMA

UPDATE- Pas dëshmive të deputetëve socialistë Paulin Stërkaj dhe Tom Doshi dy eksponentë të tjerë socialistë janë thirrur sot në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar për ngjarjet e 21 janarit.

Mësohet se deputeti Besnik Bare dhe Kreu i Partisë Socialiste për rrethin e Tiranës Pjerin Ndreu janë paraqitur paraditen e sotme në prokurorinë e Tiranës në cilësinë e personave të cilët kanë dijeni për ngjarjen e 21 janarit.

Në dalje nga prokuroria, deputeti Stërkaj ka deklaruar se PS mbetet e hapur për të bashkëpunuar me drejtësinë për zbardhjen e ngjarjes së muajit të kaluar.

“Dhamë para prokurorëve shpjegimet për ngjarjet e 21 janarit. Iu përgjigjëm thirrjes së prokurorëve për të mos penguar hetimet. Treguam se jemi pro hetimeve të 21 janarit dhe se jemi të hapur për institucionet e drejtësisë në cdo moment”, ka pohuar Stërkaj.

Ndërkohë prokuroria e Tiranës ka thirrur më herët eksponentë të opozitës të cilët janë pyetur për ngjarjen e 21 janarit ku u vranë 4 persona dhe u plagosën disa të tjerë. Në prokurori janë thirrur për të dëshmuar kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDK-së Nard Ndoka si dhe deputetët socialistë Stërkaj dhe Doshi.

Ndërkohë që në ditët në vijim Prokuroria e Tiranës pritet të thërrasë të tjerë eksponentë të opozitës për t`i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.

Lini një Përgjigje