SHFYTYRIMI I MADH

15 Shkurt 2011, 20:32Politika TEMA

Nga Prof. Dr.  Rexhep Qosja

Shqipëria po i çon botës lajme të këqija e të zymta për veten.
Janë këto lajme të këqija e të zymta për Shqipërinë që botës ia çon klasa politike shqiptare.
Ani çfarë lajmesh se!
Në Shqipëri u bë grushtshtet! Ende është e paqartë kush e bëri: ushtria apo oligarkia e Partisë Socialiste!
Në protestat që organizoi Partia Socialiste, Garda e Republikës vrau tre protestues të paarmatosur dhe plagosi rëndë e lehtë disa dhjetëra.
Protestë shumë e madh në Tiranë. Mbi njëqindmijë qytetarë!
Grushtshtet! Grushtet në Tiranë me bomba molotov, me çadra pistoleta, me stilolapse pistoleta dhe me thika të helmatisura – deklaroi kryeministri i vendit!
Me teknologjinë e grushtshtetit Shqipëria ia ka kaluar Afrikës!
Shqipëria në prag të luftës civile!
Krahas protestës së paralajmëruar të socialistëve do të mbajë miting edhe partia në pushtet!
Pas Tunizisë edhe Shqipëria. Kazani mysliman në botë do të vlojë! Pas Shqipërisë-Kosova e pas Kosovës Egjypti!
Shkak i protestës së përgjakshme të socialistëve- megakorrupsioni i qeverisë. Dhe, vjedhja e votave nga Partia demokratike.
Zëvendëskryeministri i qeverisë shqiptare i kapur në korrupsion.
Kryeministri ndalon vendimin e prokurorisë së përgjithshme shqiptare për ndalimin e vrasësve të demonstruesve – gardistë të tij!
Qeveria e kryeministrit Sali Berisha – universitet i korrupsionit në rajon!
Këto lajme u sjellin shqetësim, keqardhje, dëshpërim të gjithë atyre që e duan Shqipërinë, që e duan Shqipërinë si atdheun e tyre sepse atdhe e çmojnë edhe në qoftë se jetojnë jashtë saj.
Këto lajme u sjellin keqardhje edhe të gjithë miqve të Shqipërisë në botë, që e duan Shqipërinë, që e duan historinë e saj, kulturën e saj, gjuhën shqipe.
Këso lajmesh, të zymta, për Shqipërinë klasa politike shqiptare i çoi botës edhe në vitin 1997. Ishin ato lajme për ish-sekretarin e organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë, që ishte njëkohësisht sekretar i organizatës së partisë në gjithë Universitetin Shtetëror të Tiranës, i cili kishte mbërritur të bëhej kryetar i Shqipërisë, por i cili çdo gjë ishte i gatshëm të bënte, por vetëm një gjë nuk ishte i gatshëm të bënte: nuk ishte i gatshëm, për kurrfarë çmimi, të bënte pajtim kombëtar me ish – bashkëpartiakët, me ish-bashkëpunëtorët, me ish-eprorët dhe me ish-vartësit e tij partiakë. Me ta, me ish- bashkëpartiakët, ish-bashkëpunëtorët, ish-eprorët dhe ish-vartësit, sekretari i partisë, i njohur për fundamentalizmin e tij partiak stalinist, thoshte: as në parajsë, as në skëterrë! Dhe, kjo politikë e tij e solli Shqipërinë në prag të luftës qytetare, disa shkruajnë, madje, se e solli në luftë qytetare, që për pasojë pati shumë shkatërrime dhe disa mija të vdekur – numri i saktë i të cilëve kurrë s’është shpallur! Ishin ato lajme për kryetarin e Shqipërisë, i cili në gjendje të jashtëzakonshme, që kishte shpallë vetë, u rizgjodh kryetar i Shqipërisë. Dhe, kështu, u vetëquajt kryetar demokrat sado i rizgjedhur në gjendje të jashtëzakonshme, në të cilën vriteshin qytetarë me urdhërat e tij. Pse jo! Në fakt, përpos kryetar i Shqipërisë, ai ishte edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Ministër i plotfuqishëm i Policisë dhe, madje, Shef i Sigurimit Informativ Kombëtar! Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e quajtën të domosdoshme të dërgojnë në Shqipëri politikanin e shtetarin austriak, Vranicki, për të ndërprerë luftimet mes partive dhe për të rregulluar punët e shqiptarëve të hasmëruar mesveti dhe punët e shtetit shqiptar të shpërbërë prej politikanëve të vet! Dhe, paqja u arrit, por urrejtjet midis pushtetarëve e pretorianëve të tyre nuk pushuan!
Këso lajmesh, të këqija, të zymta, për Shqipërinë klasa politike shqiptare i çoi botës edhe në vitin 1998. Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, me pretorianët e tij bëri grushtshtet. Gjatë grushteshtetit të tij, në të cilin nuk u përdorën shkopinj, guraleca, çadra pistoleta, stilolapsë pistoleta dhe thika helmuese, po armë të lehta e të rënda, puçistët që i kishin lexuar doracakët për grushtshtet të suksesshëm, përpos institucioneve kryesore shtetërore, pushtuan edhe Radio Televizionin shtetëror. Pas Luftës së Dytë Botërore ky ishte grushteti i dytë në Evropë –pas grushtetit të kolonelëve grekë prej të cilëve diçka edhe kishin mësuar!
Puçistët me në krye Sali Berishën do ta kurorëzonin grushtshtetin me fitore të vërtetë sikur të mos ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian që shpejt çuan porosi: në Evropë dhe në Amerikë nuk mund të merret pushtet më me grushtshtete. E qartë, shokë puçistë! Dhe, puçistët u kthyen në zyrat e partisë së Sali Berishës, kurse kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, i cili kishte kërkuar shpëtim në Maqedoni, u kthye në atdhe, madje në kabinetin e tij.
Këso lajmesh, të këqija, të zymta për Shqipërinë klasa politike shqiptare i çoi botës edhe në fillim të këtij viti, 2011.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-të u detyruan rishtazi të dërgonin ndërmjetësues në Shqipëri. Bota dyshonte në suksesin e tij dhe ky dyshim u dëshmua shpejt. Ndërmjetësuesi evropian donte t’i bënte qejfin krejt botës dhe babait, prandaj edhe s’mund të bënte gjë për popullin shqiptar. Dhe, kjo ua la të lirë hapësirën dyluftimeve partiake dhe përrallave të Sali Berishës duke e shtuar shumë valën e lajmeve të këqija, të zymta për Shqipërinë në botë. Ani çfarë lajmesh se! Secili më i zymtë se tjetri. Po i paraqes disa prej këtyre lajmeve për Shqipërinë jashtë Shqipërisë, kryesisht lajme-reagime në deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi se demonstrata e organizuar prej Partisë Socialiste në të vërtetë ishte puç për marrjen e pushtetit me dhunë.
Një partizan i Sali Berishës në Prishtinë u tha miqve të tij: Edi Rama me socialistët dhe Gjinushin e Ngjelën, ndoshta edhe do të bënte puç sikur të mos e dinte se do t’i ngjante si Sali Berishës më 14 shtator 1998: evropianët dhe amerikanët nuk do ta lejonin të kurdisej në pushtet. Kjo deklaratë, prandaj, është marrëzia e radhës e Sali Berishës.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi seriozisht se puçi u bë me bomba mollotov, me çadra pistoleta, me stilolapsa pistoleta dhe me thika të lyera me helm!
Disa televizione dhe gazeta amerikane dhe evropiane shkruan: kësi puçi nuk është parë ende as në Afrikë, as në Azi, por as në Amerikën Latine. Puçet zakonisht bëhen me armë, duke përfshirë këtu edhe tanket, kurse Radiotelevizioni shtetëror është institucioni kryesor shtetëror që puçistët turren ta shtien në dorë.
Një cinik italian, që kishte punuar në Kosovë në kuadrin e UNMIK-ut e që po dëgjonte bisedën e kolegëve për puçin në Shqipëri u tha atyre: Shqipëria ka një letërsi shumë origjinale; edhe kur është socrealiste, partizanët e Sali Berishës e quajnë moderne dhe disidente, prandaj pse të mos ketë edhe puç origjinal, që dallon prej puçeve të parakëve afrikanë, aziatikë dhe latinoamerikanë!
Sali Berisha deklaroi seriozisht se bashkëpjesëmarrës të puçit të organizuar prej Partisë Socialiste, doravetë prej kryetarit të saj, Edi Tama, ishin kryeprokurorja, Ina Rama (të cilën e karakterizoi me cilësor të turpshëm që më vjen keq ta shënoj këtu), kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi dhe shefi i SHISH-it.
Ohoho! Ohoho! Filluan të çuditen disa deputetë në Parlamentin Evropian. Gjuha tragjike politike – tha njeri prej tyre – lehtë mund të kthehet në gjuhë komike politike. Kusht për një shndërrim të tillë të gjuhës politike është formimi i djeshëm dhe inzhenieringu i sotëm politik i folësit.
Një gazetare e njohur angleze, që i njeh mirë zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, deklaroi se gjuha dhe sjelljet e kryeministrit të Shqipërisë janë paranojake!
Kryeminisri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi se ata që do të provojnë edhe njëherë të marrin ndërtesën e qeverisë derisa unë jam kryeministër do të marrin përgjigjen që kurrë nuk kanë qenë në gjendje ta imagjinojnë! Më së pari kjo përgjigje e imja do t’i jepet kryepuçistit, Edvin Kristaq Rama.
Ohoho!Ohoho!Ohoho!Ohoho! U katërfishuan çuditjet e disa deputetëve të Parlamentit Evropian. Sali Berisha – tha njëri prej tyre – veç po i emërton viktimat e ardhshme të gardistëve të Republikës së tij!
Lajmet e këqija, të zymta për Shqipërinë në botë u shtuan kur Sali Berisha ua shtoi nga një rrogë të gjithë policëve që u kishin qëndruar përballë protestuesve; kur ua shtoi nga dy rroga të gjithë policëve që ishin plagosur apo gërvishtur prej protestuesve; kur ua shtoi rrogat gardistëve që e kishin “mbrojtur” godinën e qeverisë së tij; kur e urdhëroi ministrin e financave të ndajë eurot me të cilët do të paguhen spiunët që do të “tregojnë” kush prej protestuesve dhe me çka ishte i armatosur; kur formoi Komision njëpartiak parlamentar për hetimin e puçit; kur u takua me policët dhe familjarët e tyre; kur u takua me gardistët që i quajti heronjt e ri të Shqipërisë demokratike, kur u takua me oficerët – gjeneralët, kolonelët dhe majorët e Ushtrisë së Shqipërisë si të ishte komandant suprem i tyre ai e jo kryetari i shtetit, Bamir Topi.
Ohoho! Ohoho! Ohoho! Ohoho! Ohoho! U pesëfishuan çuditjet e disa deputetëve në Parlamentin Evropian. Me gjuhën që flet klasa politike shqiptare, me sjelljet që bën klasa politike shqiptare, me gjuhën që flasin dhe me sjelljet që bëjnë, sidomos, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian? A është e mundshme kjo? – e shprehu dëshpërimin e tij një eurodeputet. Shqipëria është kriza e Evropës. Si Bjellorusia. Nuk do ta rëndojmë Evropën me papërgjegjshmërinë e tyre? Nuk është e arsyeshme!
Dhe, kështu vala e sjelljeve të çmendura politike në Shqipëri dhe vala e lajmeve të zymta që prej Shqipërisë shkonin në botë vetëm sa po rritej! Si pasojë e kësaj batice sjelljesh e lajmesh Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më në fund, sadopak e ashpërsuan gjuhën ndaj Shqipërisë. Kur e pa se gjuha e tyre sadopak po ndryshon, kryeministri Sali Berisha, i pushoi rrenat dhe kërcënimet. E harroi puçin. Ua la në përdorim vetëm disa pretorianëve të padukshëm më parë. Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi,prokurorja e përgjithshme, Ina Rama dhe Shefi i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, nuk po quhen më bashkëpuçistë. Pretorianët kryesorë të kryeministrit – ministri i Rendit Publik, ministri i Mbrojtjes, ministri i Rrugëve dhe deputetët e deputetet e shpërdorura në fushatën puçiste të kryeministrit njëherë për njëherë nuk shihen më në media. Fytyrat e tyre janë brë shumë të padëshiruara, madje të neveritshme, për shumicën e shqiptarëve, kurse gjuha e tyre politike shumë komprometuese për shtetin shqiptar në botë.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili dikur marrëveshjes prej pesë pikash të paraqitur prej Parlamentit Evropian në restorantin emërsimbolik Krokodili, i ishte përgjigjur shkurt Kurrë , tani do t’i thotë drejtorit menaxhues për krizat në Ballkan: “Vetëm më thuaj ç’të bëj tani dhe unë do të bëj”!
Dëgjoni dhe shikoni mirë! Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i tha kështu “Vetëm më thuaj ç’të bëj tani dhe unë do të bëj” jo kryetarit të Bashkimit Evropian, jo komisioneres për siguri dhe politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, jo kryeministres së Gjermanisë, jo kryeministrit britanik, jo kryeministrit të Francës, të Danimarkës a të Holandës, po një çuni sllovak, i quajtur Mirosllav Lajçak, që zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian e çojnë në vendet e krizave ku përtojnë apo nuk denjësojnë të shkojnë vetë!
Kryeministri i Shqipërisë mjerueshëm i gjunjëzuar para Lajçakut! Vetëm për të mbetur në pushtetin aq të ndotur prej vetë atij.
Para tij, para Lajçakut, pra, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u bie hashe, domethënë i përbin, të gjitha ato që i kishte pështyrë gjatë tri javëve përpara: të gjitha gënjeshtrat, të gjitha mashtrimet, të gjitha kërcënimet, të gjitha marrëzitë, të gjitha paranojat, të gjitha ndyrësitë e tij të shqiptuara e të bëra në Shqipëri.
Nuk ka dyshim se maska, që para shqiptarëve i kishte rënë që në vitin 1991, para zyrtarëve të institucioneve evropiane dhe amerikane i bie tek tani. Plotësisht. Por me shumë vonesë.
Komprometimi i tij është i plotë.
Gënjeshtari ontologjik tregohet edhe servil ontologjik. Pse jo? Rrena dhe Servilizmi ndaj të huajve e egërsia ndaj të vetëve janë mjeti i tij, taktika e tij, strategjia e tij, për më tepër qenia e tij.
Por, komprometimi i tij është një komprometim edhe i shtetit shqiptar, madje, edhe i vetëdijes shtetërore shqiptare. Çfarë populli është ky që duron një kryeministër të këtillë: mashtrues, gënjeshtar, shpifës, fyes, fyes ndaj meshkujve dhe grave, i korruptuar, agresiv, kërcënues, servil, rrënues i parimeve, standardeve, vlerave themelore të demokracisë – do të thonë ata që thanë: Të mos e bëjmë Togon si Shqipëria! Të mos e tolerojmë një Shqipëri të dytë në rajonin tonë (latinoamerikan)!
Çfarë populli është ky që duron një kryeministër të tillë, i cili nesër kur të mbetet pa pushtet mund të jetë i detyruar të dalë në gjyq për shkeljet e kushtetutës, aferat e ndryshme korruptive të anëtarëve të qeverisë së tij, tragjedinë e Gërdecit, vrasjen e dëshmitarit kryesor të Gërdecit, Kosta Trebickës, katër vrasjet në protestën e 21 janarit. E të tjera.
Dinjiteti shtetëror i Shqipërisë, vetëdija shtetërore e popullit shqiptar, kultura e tij është rëndë e fyer prej kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetares së Kuvendit të tij, Jozefina Topalli. Populli shqiptar duhet ta mbrojë e ta rikthejë dinjitetin e vet. Dhe vetëdijen e vet shtetërore. Dhe, do t’i mbrojë e t’i rikthejë duke e larguar Sali Berishën me shërbëtoren e tij prej pushtetit siç e largoi populli tunizian Ben Alinë, edhe pse Ben Alia ishte shumë më i kulturuar se kryeministri shqiptar dhe ashtu siç e largoi populli egjiptian Mubarakun, edhe pse Mubaraku ishte shumë, shumë më i qytetëruar se kryeministri shqiptar. E them me bindje e me përgjegjësi se: në qoftë se e largon Sali Berishën prej pushtetit, nderimi i botës për popullin shqiptar do të rritet dhe do të rritet-shumë, shumë, siç u rrit tani për popullin tunizian mbasi e largoi Ben Alinë dhe për popullin egjiptian mbasi e largoi Mubarakun.
Prishtinë 10.2.2011.

19 komente në “SHFYTYRIMI I MADH”

  1. AlbinoBlackSheep says:

    Sa te dhimbshme jane keto te verteta qe thote akademiku i madh R.Qosja. Fatkeqesisht ne miliona shqiptare te Kosoves je i vetem. Hipokrizia dhe egoizmi i vellezerve tane te kosoves eshte i peshtireshem. Nuk duan ta dijne per vuajtjet e Shqiptareve nen regjimin Berishian. Durres-Kukes eshte cfare shohin e jo 1.2 miliard dollare vjedhje te Argites e Bashes nga sofrat e varfra te shqiptareve.Jemi fajtore qe nje monster si Berisha e lejojme te vendose fatet tona e te femijeve tane.Shpresoj qe te premten ti japim nje goditje te forte pushtetit te pushtit.

  2. fede says:

    Populli shqiptar duhet ta mbrojë e ta rikthejë dinjitetin e vet. Dhe vetëdijen e vet shtetërore. Dhe, do t’i mbrojë e t’i rikthejë duke e larguar Sali Berishën me shërbëtoren e tij prej pushtetit siç e largoi populli tunizian Ben Alinë, edhe pse Ben Alia ishte shumë më i kulturuar se kryeministri shqiptar dhe ashtu siç e largoi populli egjiptian Mubarakun, edhe pse Mubaraku ishte shumë, shumë më i qytetëruar se kryeministri shqiptar. E them me bindje e me përgjegjësi se: në qoftë se e largon Sali Berishën prej pushtetit, nderimi i botës për popullin shqiptar do të rritet dhe do të rritet-shumë, shumë, siç u rrit tani për popullin tunizian mbasi e largoi Ben Alinë dhe për popullin egjiptian mbasi e largoi Mubarakun.
    JO KOMENT!

  3. fede says:

    POPULLI IM QE NXJERR DHE GJENI,LIDERA PER BOTEN MBARE-ne token tende pse mba tradhetare,xhuxhmaxhuxha e te perdale?!

    N’kështjellë të atdheut, në tempull të kresëJanë shtruar sarafët, pa shpirt e pa besëTregtojnë e gënjejnë, rrëmbejnë e shfrytojnë,Na thonë: “Kështu vendin, e mbrojmë, e shpëtojmë”NOLI

  4. loni says:

    Falenderoj nga zemra akademikun Rexhep Qosja per shkrimet e tij pishtare dhe frymezuese, per demaskimin qe i ka bere dhe i ben kriminelit komunist Sali Berisha, |te lumte pema zoti Qosja qe i nxjerr ne drite ndyresite e ketij hibridi komunisto mafioz qe shkaterroi Shqiperine. Dua te te siguroj qe populli shqiptar nuk e ka duruar dhe nuk e duron kete qelbesire qe quhet Berisha, populli kurre nuk e ka votuar kete hibrid komunisto mafioz…ky i dashur zoti Qoshja ka vjedhur votat gjithmone sa here jane bere zgjedhje dhe bente pazare me binjakun e tij, ndyresiren tjeter Fatos Nano dhe me elementet me te piste dhe me te inkriminuar te Shqiperise. Edi Rama po ja ngushton lakun dhe shume shpejt populli do t’ja tregoje vendin ketij qelbesire qe ka lyer duart me gjak dhe ministrave te tij kriminele, hajdute dhe te korruptuar.
    Ju uroj shendet zoti Qoshja dhe mbaresi ne punen tende fisnike per ringjalljen e shpreses tone (shqipetareve pa dallim), per hyrjen ne nje demokraci te vertete.

  5. Gramozi says:

    -Ooo i MADHI dhe i URTI R.QOSJA!—Ne jemi te gatshem tamam sic i ka hije Shqiptarit…por…pa nje opozite organizuese te forte ne jemi si TESPIE pa FILL.–Ju lutem beni me shume intervista si ajo ne emisionin SHQIP…Ishte shume inkurajuese dhe mesazh i FORTE..

  6. mic sokoli says:

    Si bageti pa bari eshte populli shqipetar ne keto momente, po e shqyejne ujqit. Vetevendosje Shqipetare! Tradhetaret, hajdutet dhe kriminelet para gjyqit. Rrofte populli shqiptar!

  7. pellasgu says:

    Prf.Dr Qosja mbetesh i vetem!Sikur kombi yne i vyer te kishte dhe nje tjeter si ti me siguri do kishim nje perparim te ndritshem….tu befte pena TOP!!Fjalet per personin tend jane gjithmone te pakta dhe pamjaftueshme, por inkurajimi per juve duhet te jete fakti qe kombi shqyptar ju sheh si drite qe duhet ndjekur!!Me cudit pak pelqimi/perkrahja qe i keni dhene rregjimit te tanishem ne Kosove,dhe gjithashtu me ngaterron mendimet e mia fakti qe nuk po thoni gje per krahun e vertete te perfaqesuesve te ceshtjes/kauzes shqyptare,pikerisht per Vetevendosjen e Albin Kurtit?!Urimet me te sinqerta per nje jete sa me te gjate dhe te ndritur….Zoti ju bekofte!!

  8. sociologu says:

    “…Dinjiteti shtetëror i Shqipërisë, vetëdija shtetërore e popullit shqiptar, kultura e tij është rëndë e fyer prej kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetares së Kuvendit të tij, Jozefina Topalli. Populli shqiptar duhet ta mbrojë e ta rikthejë dinjitetin e vet. Dhe vetëdijen e vet shtetërore. Dhe, do t’i mbrojë e t’i rikthejë duke e larguar Sali Berishën me shërbëtoren e tij prej pushtetit siç e largoi populli tunizian Ben Alinë, edhe pse Ben Alia ishte shumë më i kulturuar se kryeministri shqiptar dhe ashtu siç e largoi populli egjiptian Mubarakun, edhe pse Mubaraku ishte shumë, shumë më i qytetëruar se kryeministri shqiptar. E them me bindje e me përgjegjësi se: në qoftë se e largon Sali Berishën prej pushtetit, nderimi i botës për popullin shqiptar do të rritet dhe do të rritet-shumë, shumë, siç u rrit tani për popullin tunizian mbasi e largoi Ben Alinë dhe për popullin egjiptian mbasi e largoi Mubarakun.
    Prishtinë 10.2.2011. “” NO COMMENT!!!

  9. sociologu says:

    “Who is riding on a wild tiger, is afraid to slow down!” proverb afrikan. Edhe Saliu ka frike t’i zbrese tigrit te tij se jo vetem qe do vritet, po rrezikon qe tigri i uritur ta gllaberoje me gjithe lecka!
    Nuk jam aspak i zhgenjer qe shumica e kosovareve jane lidhur pas Sali Berishes! Kjo eshte edhe diagnoza me e qarte, skanimi me lakuriq i injorances dhe i oportunizmit te tyre historik. Rexhep Qosja eshte nje nga zerat e vetme e me mendjendrituri qe kane nxjerre deri me sot!
    Shqiperia eshte vertete ne udhekryq te madh historik. Vetem Populli Shqiptar mund te zgjidhe kete situate, ose mjere ky popull!

  10. MEMEDHETARI says:

    Nderimet me te larta,o Profesor Qosja,o MEMEDHETAR i MADH,qe ndodhesh gjithmone prane Kombit me analizat dhe keshillat e Tua qe jane si ilace per hallet tona !!!
    Kete njeri te eger qe me njemije menyra te peshtyra erdhi ne krye te shtetit shqiptar,ju keni merite te padiskutueshme se e keni diskredituar qysh ne fillim…
    Cdo fjale ne kete artikull eshte nje dush i ftohte ne mes te Janarit per kete karagjoz,qe qellim te vetem ka qenien ne Pushtet,”vetem per te mbetur ne pushtetin aq te ndotur prej vete atij”…
    I nderuari Profesor,do te deshiroja shume qe fjala Juaj te analizohej dhe te behej PROGRAM per derjtuesit e Opozites se Bashkuar ,te cilet fatkeqesisht,qendrojne te ndrojtur dhe jo gjithmone ne krye te mases demonstruese..
    Jam i bindur se ashtu sic thoni edhe Ju,populli shqiptar do ta largoje Sali Berishen nga pushteti i pamerituar dhe do ta ktheje ne vend DINJITETIN….

  11. saimir says:

    I nderuari profesor Qosja,akademik i madh Je krenaria dhe nderi i ketij kombi .Ju falemniderit

  12. Blini says:

    Përshëndetje!

    Nëse ka emër publik shqiptar që do të duhej ti besohej për gjithcka thotë rreth zhvillimeve politike në hapsirat shqiptare të fundit do të duhej ti binte për “hise” z. Qosja. Ai për të gjithë ata që e njohin mirë është njeriu më i njëanshëm, më inatcor e më hakmarrës që ka pasur ndonjëhere bota intelektuale shqiptare.
    Dikur armik i përbetuar deri në verbëri ndaj Rugovës dhe politikës së tij e që villte vrerë e helm kudo ndodhej, qenë e paqenë nevoja e ndërsa sot kur Thaci me kompani në shumë drejtime ia ka kaluar Rugovës për “lëshime” dhe “pacifizëm” sidomos ndaj ndërkobtarëve nuk kam lexuar kurrë as edhe një shkrim kritik të z. Qosja për këte cështje.
    Pyetja vjen natyrshëm: si është e mundur që akademiku ynë shikon qimen në sytë e tjerëve e nuk e pengon trau në sytë e tij, si është e mundur për të njejtat probleme të matë me dy kute, pse kaq aktiv në demaskimin e njërit dhe po aq heshtës, symbylltë ndaj të njetjëve para hundës së vet.
    Në sytë dhe mendjen time qëndrimet e tij politike jo vetëm nuk janë të besueshme por edhe neveritëse. Në rastin konkret mund të jenë 100% të sakta por pikërisht pse i thotë z. Qosja ato janë të pavlera pur tu marrë në konsideratë.
    Gazeta “Tema” sidomos z. Baze do të bënin mirë të botonin jo shkrime figurash të njohura publike tonat apo të huaja që shfrytëzojnë ngjarjet aktuale për të shfryrë mllefet e tyre por shkrime ku mbi të gjitha autori të jetë i xhveshur prej mllefeve personale, të bazohet në fakte mbi të gjitha duke pasur motiv të mirë jo tendencioz.

    1. AdrianGJ says:

      Blini – nje koment shume is sakte dhe me vlere (te cilite nuk jane te shpeshte ne kete site).
      Cilido person qe krahason Shqiperine me Egjiptin apo Tunizine nuk ja vlene te degjohen shume – per mendimin tim…

    2. AlbinoBlackSheep says:

      Në rastin konkret mund të jenë 100% të sakta por pikërisht pse i thotë z. Qosja ato janë të pavlera pur tu marrë në konsideratë.

      Hajde llogjike idioti hajde.Por edhe sikur Hitleri ta thote, e verteta mbetet e vertete. E merr apo se merr ne konsiderate tij nuk i behet vone njeriu.

  13. LORA says:

    I dashur Profesor,ju faleminderit qe ndodheni fisnikerisht ne krah te shumices derrmuese te shqiptareve
    ne keto zhvillime,te padeshiruara ne kendveshtrimin e perdhosjes se cdo vlere te substances kombetetare nga qeveria ilegjitime e dr.Tyryry-se,te mezipritura ne kendveshtrimin e te drejtes se patjetersueshme te shqiptareve per te qene zot te vetes e per te shijuar demokracine ne standart real perendimor.Beteja dyvjecare per transparencen e vullnetit te sovranit nuk ka te beje vetem me zgjedhjet e kuseruara te 28/06/2009-es,ajo eshte revolta kunder deformimit,per dy dekada, te vullnetit te sovranit.Keshtu qe dhimbja Juaj,zoti Qosja,nuk duhet te gjykoje shqiptaret qe pranojne te kene nje qenef-kryeminister;ai nuk eshte votuar ne shumice qe nga zgjedhjet lokale te 1992-it.Ky rreth vicioz ,imponuar me dhune mbi shqiptaret nga kurverimi politik,ka nisur te refuzohet me force qe me protesten e 20-22 Nentorit 2009 e ka vijuar duke u rritur e forcuar si e vetmja rruge,qe shohim,per tu ndare me 20 vjet kaos e turperim kombetar e per te hyre ne rrugen e perparimit te matur e vleresuar nga vete shqiptaret e jo nga raporte te vdekura shifrash qe nuk kane lidhje me ta.Jam e bindur qe jemi ne rruge te mbare per detyrat tona ne shekullin e ri e do ja arrijme te flakim tutje qeneferine,shume shpejt.

  14. Blini says:

    AlbinoBlackSheep -it …. sepse i thotë një njeri i pamoral, inatcor dhe hakmarrës, sepse motivi i tij nuk është motiv për të ndricuar të vërtetën apo luftuar të keqen por për të përfituar prej tyre.
    dhe se …. askush nuk e tha nëse fjalët e tij (Qosjes) ishin ose jo të sakta por të pavlera pikërisht për shkak të motivit të tij të padenjë dhe kjo lexo: … në sytë e mi …
    Këtu rreshtohemi për të diskutuar e jo për ti bërë “tifozllëk” njërit apo tjetrit taborr aq më pak për të fyer njëri tjetrin. Përndryshe po ti skanonim Ramën dhe Berishën vec e vec zor se do të dilte ndonjëri më i pastër se tjetri.

    1. mic sokoli says:

      O Blini po me beni shume pershtypje!! Ne radhe te pare dua te them se nuk jam fare tifoz I PS-se por nuk mund te krahasohet Edi me Saliun. Per 97-en Saliu duhet te ishte akoma ne burg edhe sot e kesaj dite, vodhi votat ne 96-en, firmat piramidale u bekuan nga vete ai nje krim qe e verferoi popullin gjer ne kocke. 98-en beri puc shteti, gerdeci, etj etj. Nuk po flase per vjedhjet masive dhe shfrytezimin e cdo cepi te shqiperise per perfitime vetjake dhe klanore. Ta zeme se Edi eshte hajdut po nuk krahasohet me nje bishe si Sala. Por R. Qosja

      1. mic sokoli says:

        Po R. Qosja cfare perfitimi ka? Ai ben nje analize shume te sakte dhe me karakter, nje fjale kjo qe I mungon shume intelektualeve dhe komplet klases politike. Qeveria dhe opozita duhet te punojne per popullin dhe jo ne kurriz te tyre. PS-ja eshte e keqja me e vogel. Te ishte klasa politike sa gjysma e Prof. Shqiperia do ishte vendi me i emancipuar I bllokut lindor sot. Rrofte Populli Shqipetar.

  15. Falcon says:

    Prof dr Rexhep Qosja .jo vetem nje intelektual i madh por dhe nje Qytetar i Madh.. por fatkeqsisht (si thone dhe komentusit me siper) nga te paktit ne Kosove qe jeton me kembe ne toke dhe njef realitetin Shqiptar…Kucedra anti-shqiptare Berisha me ceten e tij prej hajdutesh dhe injorantesh shkaterroi shqiperine dhe shqiptarin

Comments are closed.

Lini një Përgjigje