Dje ka pasë një ngjarje të rrallë në TV Klan. Në mesditë, në hyrje të ndërtesës kryesore u shfaq Flamuri. Roja i ndërtesës u hutua nga pamja e njeriut që ju prezantua si Flamuri.
– Jam Flamuri, dua të takoj Sandrin, i tha.
Roja e mblodhi veten menjëherë dhe e shtyu tutje.
– Shko mor pis, i tha. Me kë tallesh ti? Sikur nuk e di unë që ti s’je njeri i vërtetë. Dashke të tallesh dhe me shefin tim. Prit se ta tregoj unë qejfin …
Roja mori në telefon Sandrin.
– Shefo, kanë nisë ata të gazetës Tema një provokator këtu dhe tallet me mu, thotë jam Flamuri, du me taku Sandrin. A t’i bi, apo bëhet problem?
– Jo mo k…, si t’i biesh se është Flamuri i vërtetë ai, ka lënë takim me mua…
– Pse mo shef, i vërtetë qenka ky. Unë thashë se qe një budalla i sajum, ky qenka krejt si në gazetë. Dhe për të fol, flet njësoj.
– Çfarë gazete thu ti mor legen, ku lexo gazetë ti, ku e gjen atë gazetë ti…?
– Po këta gazetarët ma tregojnë mo shef, e hapin në internet. Sa del jashtë ti, të gjithë aty e çojnë. Po ty nuk t’i thonë ca gjëra.
– Shko mor k… por lere të hyjë brenda, tha Sandri, po prapë iu prish gjaku.
Flamuri e pa rojen me përçmim dhe me kokën lart hyri brenda TV Klanit. Sandri i doli pari dhe filloi t’i tregoj televizionin. E çoi tek zyra e Bejtes.
– Ky është Andi, i tha. E kemi drejtor lajmesh…
– Shumë mirë, gëzohem, i tha Flamuri. I shikoj me kënaqësi lajmet. Më ka folë dhe ai Burri për ju që jeni shumë i zoti. Ka respekt të veçantë për lajmet..
– Flamuro, ke ngatërru Burrin, i tha Bejtja. Ai Burri që thua ti, ka respekt për atë Burrin që po takon ti, se nuk di fare që ka burra të tjerë këtu. Për mu, jo e jo.
– E ke gabim, i tha Flamuri serioz. Ai i di të gjitha dhe i vlerëson shumë sakrificat tuaja. Ai më ka folur për punën e madhe që keni bërë që nga 2005-a kur erdhëm në pushtet e deri më sot.
Bejtja ngriti kokën me përtesë nga kompjuteri ku po shifte ndeshjet live dhe sa u mat të fliste, ndërhyri Sandri.
– Ikim Flamuro se ky k… s’ka qenë me atëherë. Mezi e ktheva unë më 2008-ën.
Flamuri pa i çuditur dhe doli jashtë.
– Si e ka emrin ky tha, Andi apo Bejtja.
– Andi Bejtja, i tha Sandri, po bëre gabim që i fole se tani një muaj barsoleta me ty ka për të qitë.
Flamuri u hutua fare. Hynë tek regjia e lajmeve.
– Ja këtu bëhen lajmet, i tha. Njeriu që rri tek pulti ëshëë njeriu im më i besuar. Me atë i fut porositë urgjente të Doktorit. Se po t’i thuash atij që takuam në zyrë, pas dy ditësh t’i nxjerr.
Flamuri i përshëndeti me kokë.
– Ma vini pak atë reklamën kundër 21 Janarit, iu tha, se e kam bë vetë. Ka fillu të mburret ai Altin Goxhaj lart e poshtë, por e kam bë vetë. Dhe lekët unë i paguaj, se ai nuk ka NIPT fare në atë lëvizjen Zgjohu. I thashë nxirr një NIPT se do ngrejnë ndonjë komision ata të opozitës për hetime dhe do kemi telashe.
– Po s’e ndërpresim dot emisionin, i tha njeriu i besuar. Sandri u vu në siklet dhe i shkeli syrin për “Jo”.
– Meqë ra fjala, i tha Sandri Flamurit, eja ta mbyllim dhe atë muhabetin që kemi lënë gjysëm.
– Po për atë kam ardhë, tha Flamuri.
– Është hera e parë dhe e fundit që po ngatërrohemi kot, i tha Sandri. Dy zëra kemi për të bërë lekë unë e ti, ose mitingjet ose reklamat. Që mos të bëjmë sherr, duhet t’i ndajmë punët. Kur reklamat i prodhon ti me atë studion Ministria e Komunikimit që ke bërë me ata djemtë, ne duhet të marrim pjesën e luanit në transmetim, kur i prodhojmë ne, ju duhet të bëni ndonjë lek me koncertet si ai i 20 shkurtit.
– Dakord, i tha Flamuri. Nuk kam kundërshtim. Problemi është se po afrojnë zgjedhjet lokale dhe ata djemtë kanë një propozim, që ata të merren me prodhimin e spoteve për secilin kandidat që t’i paguajë PD, kurse ju të merrni lekët e transmetimit.
– Jo, këtu mos u përziej, tha Sandri. Këtë duhet ta lëmë të lirë në dorë të kandidatëve… Debati vazhdoi gjatë derisa në derë u dëgjua një trokikje. Ishte sekretarja.
– Shefo, ka marrë në telefon Fevziu dhe kërkon urgjent një makinë që t’i çojë një kravatë se do dalë tek Cim Peka…
Flamuri dhe Sandri shtangën.
– Tek Çim Peka, thanë me një gojë….dhe duke parë njëri- tjetrin ja plasën të qeshurës…
– Ik se na pordhe muhabetin, i tha sekretares. Çoja Fevzos një kravatë.