Flamuri mori dje një letër të gjatë nga dy reporterët e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut që vizituan javën e shkuar Shqipërinë në një mision faktmbledhës. Dy reporterët pasi shprehnin kënaqësinë e tyre për disa arritje thelbësore të Shqipërisë në fushën e të drejtave të pakicave të rrezikuara siç është komuniteti Gay, pakica rome, si dhe e drejta për vetdeklarim të kombësisë në jug të vendit, radhiste një sërë problemesh për të cilat Shqipëria pritet të ketë probleme në Këshillin e Evropës. Fakti më i rëndë sipas dy reporterëve ishte pranuar publikisht nga ish/ zëvendëskryeministri Ilir Meta në një seancë pyetjesh në një komision parlamentar dhe më pas në Kuvend. Reporterët ishin të shqetësuar që zoti Ilir Meta kishte kërkuar që, nëse shpallej fajtor për korrupsion të mbyllej në një qeli të errët pa drita, me lagështirë, dhe me brejtës që shëtisnin lirshëm brenda saj. “Kjo deklaratë është tronditëse, dhe na kujton standardin e burgjeve të diktaturës” thoshin në letrën e tyre dy reporterët faktmbledhës të Këshillit ë Evropës.
Flamuri i shqetësuar i kërkoi Jozit të sqaronte situatën. Ajo e dëgjoi me vëmendje i hodhi nj sy letrës dhe e hodhi në kosh.
-Ata janë të marrë Flamur, çka mërzitesh për ta. A nuk i sheh se çfarë arritjesh na vlerësojnë. Por ne kena ba zgjedhje të lira s’po na vlerësojnë, kena shmang një puç shteti s’po na vlerësojnë, kena përballu krimin e organizuar në rrugë duke vrarë katër prej tyne s’po na vlerësojnë, e po na vlerësokan për homoseksualë, e romë, e grekë, e ku di unë. Leni mo ata mos u merr hiç, hidhi në kosh….
-E ke gabim. Ti e ke kollaj po e mbaj unë përgjegjësinë. Se atij burrit nuk guxojnë ti thonë gjë dhe më zbrazen mua këta të Evropës. Prandaj duhet të bëjmë diçka.
Po çka me ba mor Flamur, se don njeriu me u mbyll në qeli pa drita, pa ajër, me minj, le të hyjë, çka kena me i ba na atij. Ne amuj të shkelim të drejtat e njeriut e të mos ja plotësojmë dëshirat.
-Jo Jozi nuk është atje puna. Këta reporterët nuk e kanë hallin e Ilir Metës por e kanë hallin pse ne paskemi ende qeli të tilla.
-Ke të drejt po çka kena me u ba atyne me u mbyll gojën. Ça di unë ç’duhet me ba?
-Unë them ti kërkojmë këtij Gaz Dibrës ti bëj një letër këtij Ilir Metës dhe ta kritikojë publikisht për kërkesën tij. Pastaj ne marrim letrën dhe ua tregojmë si fakt që s’kemi qeli të tilla.
-Boll mirë të ka shku menia Flamur. Mirë është me ja bë urgjent atë letër në emër të Gaz Dibrës.
Ashtu u bë. Gaz Dibra u detyrua ti bëjë një letër zyrtare Ilir Metës të cilën ja përcolli si kopje dhe Flamurit që ta përdorte tek reporterët e KiE..
“I nderuar zoti Meta. Dëgjova me shqetësim të madh deklaratën tuaj se kishe dëshirë të dërgoheshe në një qeli të errët pa drita me lagështirë dhe minj brenda. Kjo deklaratë pavarësisht dëshirave të tua zemërgjera, errëson shumë imazhin e burgjeve shqiptare, të cilat janë reformuar ndjeshëm vitet e fundit. I nderuar zoti Meta. Në burgjet tona jo vetëm që nuk do të gjesh qeli të errëta plot lagështirë dhe me minj, por ke për të gjetur dhoma banimi të ndriçuara me internet brenda. E di që ke pas probleme në përdorimin e internetit dhe se largimi i Haxhinastos si Ministër i jashtëm të ka hapur telashe pasi nuk ka kush t’i hapë e-mailet, por të siguroj se në burg, ka plot djem të rinj që do të gjenden pranë për të dhënë asistencën e nevojshme. Fal kushteve që kemi krijuar në burgje, shumë nga të rinjtë që dërgojmë me leje kthehen para afatit se brenda kushtet janë më të mira se jashtë. Aty kanë ushqim të siguruar internet falas dhe siguri për jetën, kurse jashtë nuk kanë asgjë të sigurt.
Me shpresë se do ta korrigjoni deklaratën tuaj, presim të vini sa më shpejt pranë qelive tona për ta parë nga afër realitetin që është ndryshe nga sa e përshkruan ti.”
Pasi mori letrën Flamuri u kënaq shumë. Vendosi një sekretare ta përkthente në anglisht dhe t’ua niste dy reporterëve. Pastaj u kujtua se Ilir Meta mund të nxehej seriozisht dhe e mori në telefon.
-O vlla, Flamuri jam. Shiko të ka bërë ky Gaz Dibra një letër se na duhet për këta reporteret e KiE, mos e merr seriozisht o vëlla Se janë muhabete koti këto. Hë vëlla mos ki merak. Faleminderit.
Si e qetësoi dhe Metën mori sërish Jozin.
-E ndreqa tha. Fola dhe me Metën, në rregull gjithçka.
-Ashtu boll mirë se na ka lodh dhe ai. I tash dërgojua atyne idiotëve e u thuj që skena arritje veç në homo dhe romë por dhe në LSI.