Vila ku jeton Shkëlzen Berisha

23 Shkurt 2011, 09:38Politika TEMA

Një nga banesat e djalit 32-vjeçar të kryeministrit të Shqipërisë. Rezidenca luksoze në kompleksin ndërtimor në Farkë, në letra figuron në pronësi të një sipërmarrësi të huaj të çimentos. Regjistrat e Rinasit: Familja e Shkelzen Berishes me shtetësi suedeze ka lënë Shqipërinë 2 ditë pas gjakderdhjes së 21 janarit

Disa vite më parë kur vajza e kryeministrit shqiptar deklaronte pasurinë dhe e justifikonte atë me “punën në Kosovë”, kolegë të saj punonjës të administratës ndërkombëtare në Prishtinë, u hidhnin kunja shqiptarëve në një forum online duke qeshur me batutën: “E dini si mund të bëhesh miliarder me rrogë? Duhet të kesh babanë kryeministër të Shqipërisë”. Po nuk është vetëm Argita që “i ka rregulluar punët e veta” gjatë qeverisjes së babait të saj.
Shkëlzen Berisha i datëlindjes 27 shkurt 1979, emri i të cilit del e ridel në skandale nga më të rëndat gjatë këtyre viteve, bën gjithashtu një jetë luksoze, para së cilës as Suedia ku ai jetoi deri para riardhjes së babait të tij në pushtet, me sa duket nuk ia vlen më. Në foton që shoqëron këtë shkrim shihet një vilë. Një vilë “e denjë për djalin e kryeministrit të Shqipërisë” siç do qesëndisnin ish-kolegët e Argitës në Kosovë.
Kjo shtëpi ndodhet në një zonë të qetë larg metropolit të zhurmshëm. Është e ndërtuar sipas stilit amerikan dhe aktualisht është streha e Shkëlzen Berishës. Vetëm, një prej banesave të tij. Ndodhet në zonën e vilave që mund të shihet nga rruga Tiranë-Elbasan në komunën e Farkës. Djali i kryeministrit, zyrtarisht thotë se vilën e ka me qera. Sigurisht që ashtu si për ndonjë apartament gjithashtu luksoz pranë pallatit ku banon babai, “letrat janë gati për përgënjeshtrim” pavarësisht se ndonjë kompani telefonike do nënqeshte pas kësaj.
Edhe në rastin e kësaj vile, “letrat” dëshmojnë pronësinë e një biznesmen libanez që ka një sipërmarrje çimentoje në Shqipëri. “Letrat” flasin për qera diçka mbi 2000 euro në muaj. Ju duket shifër e kripur? Jo për të gjithë. Edhe sikur të paguhej vërtet, ajo nuk do ishte problem për fitimet e larta që djali i kryeministrit ka deklaruar se ka në aktivitetin e tij të çuditshëm si “ndërmjetës dhe konsulent”. Ç’thonë deklaratat e pasurisë së Shkelzenit? Kur Sali Berisha u bë kryeministër i vendit në 2005, i biri deklaronte se kishte vetëm disa shumë të vogla kursmesh në bankë dhe një shtëpi që e kishte marrë kundrejt kredisë.
Sipas deklaratës së pasurisë së nënshkruar nga Shkëlzen Berisha për vitin 2005, atëherë ai kishte një situatë normale financiare, që i vinte më së shumti nga bashkëshortja me qëndrim në Suedi, duke patur vetëm 10 për qind të një apartamenti prej 100 metrash katrorë atje. Atëherë ai deklaronte se punonte si “konsulent në studion e të motrës, Argita Malltezi”. Më pas ai hapi studion e vet juridike dhe në deklarimin e pasurisë të bërë në vitin 2007 shprehej se kishte shitur apartamentin në Suedi dhe rreth gjysma e parave iu kthyen bankës kredidhënëse, ndërsa të tjerat, duke i bashkuar me kursimet e bashkëshortes i investoi në një shtëpi më të vogël. Në 2007 ai thoshte se jetonte në një shtëpi në Tiranë kundrejt qirasë dhe kësaj here krahas fitimeve nga studio e konsulencës ligjore shtoi të ardhurat nga puna si drejtues i zyrës juridike në një kompani që iu shit turqve. Një vit më vonë ai do të deklaronte një rritje të ndjeshme të të ardhurave, duke depozituar në një bankë rreth 85 mijë euro. Këto të ardhura ai deklaronte se i vinin nga puna si “konsulent ligjor”. E kështu me rradhë, vit pas viti, deklarimi i pasurisë shënon shifra të reja, dhe të mos harrojmë se këto janë vetëm ato që deklarohen vetë.
Emri i djalit të kryeministrit është përmendur rëndom në të gjitha skandalet e viteve të fundit në Shqipëri. Implikimi më i rëndë është padyshim Gërdeci me të vrarët dhe të gjymtuarit e tij. Mes të cilëve edhe fëmijë. Pas shpërthimit në 15 mars 2008, emri i djalit të kryeministrit doli i lidhur me takimet dhe telefonatat e shumta me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe bosin e firmës “Albademil”, Mihal Delijorgji, siç treguan më pas tabulatet e bisedave të të akuzuarve. Dëshmitari kyç i skandalit, e përmendi gjithashtu emrin e Shkëlzen Berishës, por detajet që do sqaroheshin gjatë hetimit, nuk u sqaruan kurrë. Ai vdiq në aksident rrugor në kulmin e hetimeve.
Më pas emri i Shkëlzenit do të dilte në aferën e tokave të Orikumit, ku biznesmeni Rahman Selmanllari, miku i njohur i tij, dilte si investitori kryesor në ndërtimet në zonën bregdetare. Si me të qeshur, në Tiranë thonë shpesh që vetëm shoferi i Shkëlzenit (ju kujtohet ai gardisti që të vriste për një tavëll duhani?) ka “pare xhepi” shuma sa ato për të cilat diku tjetër (në Kroaci përshembull) vetë kryeministrit i duhet të jetojë në qeli.
Sipas të dhënave më të fundit, duke u bazuar në daljet e shtetasve në pikat kufitare të Shqipërisë, familja e Shkëlzenit e ka lënë Shqipërinë pas demonstratës së 21 janarit 2011. Më 23 janar 2011 në mesditë ata (përveç Shkelzenit) kanë fluturuar nga Rinasi me fluturimin e orës 14.00 të Austrian Airlines.
Pasuria e deklaruar nga Shkëlzen Berisha në 2009

200 mijë euro- nga aktiviteti privat të shitjes së pasurive të paluajtshme (pa specifikuar se cilat pasuri të paluajtshme janë shitur, apo ku ka ndërhyrë në shitje, si ndërmjetës).
796.713 lekë të reja-fitime nga puna si konsulent juridik.
18 mijë euro-shuma e makinës së blerë tip “Audi Allroad”, prodhim i vitit 2007.

Ndryshimi i projektit pikerisht aty…

Zona ku ka marrë de jure supervilën “me qera” djali i kryeministrit është ndër më të lakmuarat në periferi të Tiranë, si për banim, ashtu edhe për të bërë biznes. Kjo pjesë nën juridiksionin e komunës së Farkës, që drejtohet nga PD-ja është zhvilluar veçanërisht pas ardhjes së Berishës si kryeministër në 2005. Pak muaj më parë qeveria vendosi të hapë tenderin për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, një investim që mendohet se do të kushtojë rreth 400 milionë euro. Aktualisht qeveria shqiptare ka parashikuar një fond qesharak për këtë segment të gjatë 31,5 kilometra me katër korsi dhe një tunel 2,5 kilometra të gjatë.
Por ajo që bie në sy është devijimi nga projekti. Në afërsi të vendit ku ka “vilën me qera” Shkëlzen Berisha si dhe ku po përfundon së ndërtuari edhe një qendër e re tregtare, qeveria ka shtuar edhe një bypass, që do të jetë në funksion të zonës së preferuar për milionerët e rinj./shekulli/

4 komente në “Vila ku jeton Shkëlzen Berisha”

  1. ...question says:

    …dergojini ne prokurori, mjaft me gazeta !!

  2. bbb says:

    Do te jete montazh i Filip Cakallit…

  3. Dajti says:

    NEna ka ikur djathi ce duam hirren.

  4. nicolla disha says:

    Populli ka faj qe pranon te lejoje Berishen te vjedhe.

    Populli ka faje qe pranon te vetepunsohet duke mbledhur kanaqe per te nxjerre nje luge supe ne dite.

    Populli ka faje qe pranon te jetoje nen diktatin e Berishes.

    Populli ka faje qe sakrifikon me buke te thate per te mbajtur ne pushtet Berishen.

    Populli ka faje qe nuk merr mesime nga Tunezianet, qe i vunen flaken pasorive te diktatorit Ben Ali.

    Perse mos te jetoje Shkelzen Berisha si Mbret? Pra eshte Populli qe e lejon Berishen dhe femijet e tije te jetojne ne kurrize te Shqiptareve.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje