Ende jo i rrëzuar..., i rrënuar!

26 Shkurt 2011, 14:49Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë! Ajo që e kanë thënë dikur francezët me elegancë, sot në Shqipëri thuhet dhe jetohet me trishtim. Në harkun e 20 vjetëve, Shqipëria është pakrahasimisht ndryshe me çfarë ka qenë. Fatkeqësisht mbas 20 vjetëve pluralizëm, në Shqipëri kanë ndryshuar fare pak gjëra. Jo në krahasim me pritshmërinë, por në raport me thelbin e sistemit. Komunizmi që sundoi në Shqipëri për mbi katër dekada ende nuk është rrëzuar si mentalitet. Ai është rrënuar, por fatkeqësisht është ende në këmbë.

Formalisht ka demokraci, ka fjalë dhe treg të lirë, ka institucione të pavaruara dhe ushtarë që luftojnë terrorizmin në Lindje të Mesme. Ka votime të përgjithshme, zgjedhje lokale e decentralizim. Madje ka edhe Kuvend të dalë nga votat. Praktikisht, ka shumë më pak se këto. Thelbi i asaj që po ndodh sot në Shqipëri, por dhe i çka ndodhte dje nën qeverisjet e socialistëve, është i ngjashëm për tmerr me periudhën e fundit të drejtimit të vendit nga një parti e vetme komuniste. Sot Shqipëria është nën diktaturën e një partie të vetme, ndaj së cilës, opozita ka shumë pak shans t´i ndryshojë qëndrim, ka të drejtë ta qortojë, por të mos dëgjohet, ka të drejtën e fjalës, por llogaritet gjithmonë shtrembër dhe konsiderohet armike. Ka të drejtën të votojë kundër, por jo t´i numërohet vota. Sot, më shumë se bukë e punë, në Shqipëri konsumohet demagogji.

Në 20 vjet, nga Partia e komunistëve, janë derivuar kryesisht dy parti që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe thjesht luftojnë njëra-tjetrën. Partitë e tjera rreth tyre janë dëshmuar thjesht dhe vetëm nuanca të së njëjtës ngjyrë. Ngjan sikur katër dekadat e diktaturës së djeshme, pjestohen rregullisht me katër vjet dhe në ato katër vjet të një mandati – bëhen dy të tillë të njëpasnjëshëm – partia fituese sillet në të njëjtën mënyrë si partia e djeshme e komunistëve. Për shkak të shumicës së thjeshtë të votës, ato ushtrojnë tiraninë e shumicës.

Opozitës i mbetet të luajë rolin e dekorit. Të dekorit që gënjen thelbin dhe deformon dukjen e tij: vendi është nën diktaturën e një partie, opozita bën që diktatura të ngjajë pluraliste. Një diktaturë e moderuar kur qeverisnin socialistët, një diktaturë më e drejtpërdrejtë tani që qeverisin ata që flasin për antikomunizëm.

Sot, njëlloj si dje, problemi vazhdon të qëndrojë fatkeqësisht në shpatullat e një individi. Sot, njëlloj si para njëzet vjetësh Adil Çarçani, kryeministri Berisha është jashtë realitetit. Shumë më i fortë se Adili, po aq dogmatik sa ai, zoti Berisha e refuzon realitetin. Sheh atë që dëshiron të shohë dhe kërkon të bindë të varfërin se është i pasur, të bindë të uriturin se është i ngopur, të bindë të privuarin nga liria se është i lirë.

E gjithë qeverisja e vendit i ngjan trullosjes së Byrosë Politike të komunistëve. Ata trembeshin se po vinin armiqtë e klasës, klasat e përmbysura, bejlerët dhe agallarët që do të rrënonin fitoret e socializmit, sot në mënyrë identike flitet për rrezikun që sjellin çunat e bllokut, për frikën e riinstalimit të komunizmit dhe sulmin ndaj integrimit të vendit dhe fitoreve që ka korrur demokracia. Marrëzia nuk ka fund. Marrëzia si komuniste dje, si demokrate në Tiranë, si diktatoriale në Libi, fjala vjen, ngjan si dy pika uji. Më parë Doktori i Tiranës dhe pas tij edhe Koloneli i Tripolit, ndanë të njëjtin fjalor për demonstruesit kundër tyre. Njëri në veri të Mesdheut, tjetri në jug të tij, njëri në janar, tjetri në shkurt, premtojnë pastaj reforma për të njëjtët të pakënaqur ndaj qeverisjes së tyre. Sepse sa më shumë ndryshon, siç thonë francezët, aq më shumë është e njëjta gjë.

Skeptikët që janë në modë dhe e sulmojnë edhe vetëm për modë opozitën dhe kush është mësuar të bëjë gjithmonë llogari me qeveritë e rradhës, megjithatë kanë një argument që duhet t´i ndryshojë dhe t´u tretë dilemat. Vrasjet e katër qytetarëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, e bëjnë qeverisjen e sotme jo një trupë që duhet korrigjuar, por një klikë që duhet ndëshkuar. Ai ishte një prolog që dëshmon se deri ku është në gjendje të arrijë një trupë gati-gati militare për të mbrojtur pushtetin. Në këtë klimë kur gjithë pellgu i Mesdheut ka marrë zjarr, kur diktatorët e këtyre vendeve që afronin stabilitetin e rrejshëm në kurriz të lirisë dhe të drejtave të qytetarëve të tyre, Tirana është e dënuar të gjejë orientimin e saj. Dhe sa më shpejt, aq më mirë. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë as dramë, as traumë. Zgjedhjet e parakohshme janë mjeti që zgjidh dilemën: më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund. Fatkeqësisht, topin në qendër mund dhe duhet ta vejë qeveria. Sali Berisha është përballë një shansi të rrallë që rrallë i vjen një politikani në jetë. Në rastin më të keq për të, ai duhet të luajë me magjinë e epilogut të karrierës së një politikani. Shpesh mënyra sesi dilet nga skena errëson gjithë mënyrat sesi ka luajtur politikisht në skenë. Ajo do të ishte alibia e tij e nesërme për mëkatet e shumta të së djeshmes, ajo do të ishte me shumë gjasë, edhe amnistia e tij personale. Sidomos në raport me historinë, dashurinë e tij të madhe. Eshtë e njëjta gjë, në fakt, sado ndryshe të luajë politikani dinak i Tiranës. Epilogu dihet. Fatura që duhet të paguhet jo! Berisha ende nuk është rrëzuar. Ai është rrënuar!

13 komente në “Ende jo i rrëzuar…, i rrënuar!”

  1. ...question says:

    ….Lenco, e paske rrenu fare Salen!

    1. albaniac says:

      po e shkel me kembe pllaq pllaq…..

  2. raimondi says:

    Ky Vangjeli nuk di ca thote .
    Sipas ketij komunizmi nuk eshte rrezuar si mentalitet…..hahahahahahaahhaahahahahaha
    Ky s’e ka haberin fare te mentalitetit komunist , flet per kodren prapa bregut me kopetencen me te plote
    Pse dikush kekron te qendroje ne krye te vendit ne menyre te pandershme –kjo s’ka lidhje fare me mentalitetin komunist
    Kjo ka lidhje me natyren njerezore,me egon per pushtet qe eahte akoma e pa pjekur per demokraci moderne dhe ka atavizma FEUDALE
    Sepse feudalet ne Mesjete apo edhe ne kohet me te hersheme e kishin kete mentalitet primitiv qe pasi ishin ne krye te nje pjese te vogel te vendit benin luftera te zgjeronin zoterimet e tyre dhe pastaj pasi mernin edhe tokat e te tjereve e shpallnin veten i pari i atij vendi apo beheshin mbreter dhe e perjetesonin sundimin e tyre
    Ky thote eshte mentaliteti komunist qe i ben te tille —Jo ore jo, se kete mentalitet per te qendruar sa em gjate ne piushtet e kane edhe ketu, qe kane 200 vjet demokraci dhe bejne namin qe ti fitojne zgjedhjet por ketu nuk i lejon kushtetuta, se ndryshe edde keta te njejten gje do benin –Psh kryetarii Bashkise se New Yorkut ndryshoi Kushtetuten e New Yorkut ne menyre qe teqendronte si kryetar edhe per here te trete –Skandal !
    Ne mes te demokracise ai per te qendurar ne pushtet ndryshoi ligjet kushtetuese te shtetit te New Yorkut
    Po kjo qe beri ky ketu ne NY City ca eshte ?—Mentalitet komunist sipas teje o

  3. raimondi says:

    ………….se me kaloi pa dashje
    Ik ore lexoni Historine e zhvillimit te sistemeve komuniste ,
    se po beheni qesharake duke krahasuar cdo gje me komunizmin , sikur Shqiperia ishte ndonje vend qe prodhonte filozofine komuniste
    Komunizmi shqiptar ishte vetem per te zhvilluar ekonomine e pavarur dhe mbrojtjten e Shqiperise nga armiqte e saj te deklaurar ( fqinjet )
    kjo , ne aspektin e pergjjithshem——Dhe ne planin personal komunizmi ishte per te zene ndonje vend pune pakez me te mire,
    megjithse atehere te gjithe ishin njelloj dhe per te ritur frymen e bashkepunimit dhe ndihmes per nejri tjetrin , pavaresisht luftes se klasave qe ishte fatkeqsia e sistemti dhe e jona
    Enveri kishte cdo gje ne duar t e tij dhe nuk ja lejonte vetes te bridhte me helikopter nga nje qytet ne nje tjeter, sic bejne keta sot
    Nuk jane njerezit aq budallenj sa c’mendoni ju o Vangjooooo

    Po te shikosh nje site amerikano-europian ku po behet testi inteligjences midis popujve te Europed dhe , botes
    Deri tani shqiptaret jane ne vendin epare me koeficient intelektual me te Lartin ne Bote dhe jane lag nga vendi i dyte qe eshte Spanja ,plot 4 poins?

  4. pumbo9 says:

    O Lorenc,po jo keshtu more djale jo keshtu,ki pak respekt e kemi kryminister,merr pak shembull nga Z.Cili, a jo jo keshtu.

  5. pelasgian3 says:

    Jemi te gjithe deshmitare te trukimit te sistemit fashist nen festen e nje sistemi pluralist dhe demokratik. Amerika eshte shembulli kryesor e ndjekur nga shtetet me te fiqishme europiane dhe boterore. Sistemi skllavo-pronar eshte babi i pluralizmit te sotem. Zgjidhja e vetme ekonomike dhe sociale mbetet komunizmi. Komunizmi utopik duhet te kthehet ne praktike

  6. reformatori says:

    Nuk eshte cudi qe pushteti, i perjetuar si dehje nga fuqia e tepruar, te veproje si nje katalizator per dekompozimin e mbeturinave te nje mendimi te semure politik-ekstremist dhe pastaj ta mbruaje kete permbajtje te kalbur si propagande te gatshme per ta servirur ne mase. Kjo propagande eshte nje tallje cinike me mendjen e shendoshe njerzore! Ajo fyen bonsensin, ndjeshmerine dhe logjiken. Ajo duket si nje triumf i nje gjendje te ekzaltuar mendore qe ka prodhuar psiko-politiken e sotme shqiptare, eshte nje lloj deliri psiqik, qe vetushqehet me iluzione paranojake dhe vetjustifikuese per nje dhune te pritshme barbare! Vini re: ajo i referohet vetem vetvetes! Ajo pranon vetem tezat e veta dhe i argumenton ato pa asnje reference tjeter te jashtme! Total madness!

  7. reformatori says:

    Vrasjet ne Bulevard (jo ngjarjet ne Bulevard!) jane paraprire nga nje PROPAGANDE e shfrenuar paranojake, produkt i nje dekompozimi mendor te nje individi te veshur me pushtet qe quhet Sali Berisha, kryearqitektin e Psiko-Politikes shqiptare! Psiko-politika Berishiane eshte nje projektim i frikes paranojake tek kundershtaret e tij: nuk ka asnje logjike te shendoshe ne ate grupim tezash vetreferuese, qe nuk provohen, por hidhen per konsum, si te ishin nje ushqim i helmuar. Teze vetreferuese eshte teza se kundershtaret kane pregatitur nje puc, teze vetrefruese eshte edhe fakti qe demonstruesit trajtohen si bandite! Nje mendje qe nuk perpiqet te provoje asgje, eshte nje mendje qe i ka mbyllur dyert e komunikimit, duke u zhytur keshtu ne erresiren e marrezise se vet! Amen!

  8. Elza says:

    Vertet, duket sikur eshte ne grahmat e fundit. “gjynah” i shkreti.

  9. patriot says:

    Vrasjet ne Bulevard (jo ngjarjet ne Bulevard!) jane paraprire nga nje PROPAGANDE e shfrenuar paranojake, produkt i nje dekompozimi mendor te nje individi te pa veshur me pushtet qe quhet EDI RAMA, me 20janar deklaroi qe Sali Berisha do te pranoje zgjidhje politike se nuk mund te kaloje mbi te vdekurit. Me 2 janar ngjela (aleat i rames) tha qe cfare jane 3 asgje nuk jane, jemi pergatitur per fitore edhe me 13000 te vdekur

  10. Dino USA says:

    Sa mire do benin te gjithe,te mos e zinin ne goje komunizmin:as media,as politikanet,as te persekutuarit,as ish komunistat!Pse do thoni ju:Se komunizmit nuk i ka mbetur as nam as nishan.Nuk ka paralelizem midis diktatorit komunist Enver Hoxha dhe diktatorit pluralist Sali Berisha:I pari mbronte idete e sistemit,i dyti mbron karriken e korrupsionit.I pari i zhdukte kundreshtaret me ligjet e diktatures se proletariatit,i dyti i zhduk opozitaret me ligjet mafioze te klaneve.

  11. Ndoc Sukaj says:

    Shkrimet e gazetarit Lorenc Vangjeli jane nje analize e qarte dhe e sakte e asaj cfare po ndodhe ne Shqiperine e sunduar nga njerez me pamje njeriu dhe me vepra anti njerezore.Mbetet pak per te komentuar pas ketyre argumentave te cituar nga Z.Vangjeli.Shqiperia po vazhdon te paguaj pasojat e trashegimit te ,,kultures diktatoriale,,nga qeveritaret dhe politikanet qe kane ,,fituar mo vote,,apo kane vjellur votat per tu pasuruar per vete se bashku me pjestaret e ,,korporates se tyre mafioze,,Ne kundershtim me spotet publicitare te disa TV qeveritare gjendja ne Shqiperi eshte e rende ne ekonomi,ne politike(nese quhet politike kjo e sotmja) dhe ne nivelet e zbatimit ne praktike te sistemit demokratik(pasi ne teori ja kalojme edhe Amerikes).

  12. Nabukodonosor says:

    Tamam te gjithe keta komunistet e vjeter qe kane jetuar me “komandantin”shohin enderra me sy hapur.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje