E ardhmja e sulmuesit gjerman, Lukas Podolski mund të jetë në Itali. Sipas faqes gjermane transfermarkt.de, për sulmuesin e Këlnit kanë shfaqur një interesim të fortë bardhezinjtë e Juventusit, të cilët kërkojnë që të forcojnë sulmin me 26-vjeçarin. Megjithatë, Juventusi duhet t’i bëjë llogaritë me një tjetër klub italian, Xhenoan. Presidenti i Xhenoas, Preciozi, me sa duket ka vendosur që të inevstojë një shumë prej 11 milionë eurosh për sulmuesin e kombëtares gjermane, kontrata e të cilit me Këlnin përfundon në vitin 2013. Një transferim i Podolskit në Itali do të ishte e dëshiruar nga ana e këtij të fundit dhe sidomos në një klub të madh. Podolski luajti për dy sezone tek Bajerni i Mynihut, por nuk arriti që të fitonte një vend titullari në ekip dhe për këtë arsye u rikthye tek Këlni. Megjithatë, ai vazhdon që të jetë titullar në kombëtaren gjermane dhe një nga shënuesit dhe pikat më të forta të saj. Për të arritur maksimumin në karrierën e tij, Podolskit i duhet një ekip i madh. Dhe këtë mundësi, për momentin duket se ja ofron vetëm Juventusi.