Mesfushori holandez, Mark Van Bomel, edhe pse ka ardhur vetëm në merkaton e janarit, është kthyer në një pikë të rëndësishme të formacionit të Milanit. Aventura e tij deri më tani mund të quhet e kënaqshme, ndërkohë që Van Bomel ka folur edhe për ndeshjen e së shtunës kundër Juventusit. “Është gjithmonë një emocion që të luash kundër Juventusit. Të luash ndeshje të tilla është gjithmonë e bukur. Për mua do të jetë një emocion më shumë, pasi me Juventusin luan edhe miku im, Saliahmixhiç. Do të jetë një garë e komplikuar, sepse Juventusi nuk është duke kaluar një moment të mirë. Kanë humbur shumë ndeshje dhe kjo e komplikon më shumë situatën, pasi të gjithë mendojnë se do të fitojmë ne. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, duke parë edhe faktin që ndeshja luhet në fushën e Juventusit”, ka thënë holandezi.