Argjentinë, arbitri nxjerr 36 kartona të kuq

4 Mars 2011, 10:25Sport TEMA

Futbolli në Amerikën e Jugut ka shënuar një rekord të ri. Në një ndeshje në kategorinë e pestë argjentinase, në ndeshjen mes Claypole dhe Victoriano Arenas, arbitri Damian Rubin ka nxjerrë plot 36 kartona të kuq: 22 për lojtarët që kanë qenë në fushë, nga shtatët për lojtarët që ndodheshin në të dyja bankinat dhe dy të tjera për trajnerët e ekipeve. Shkak për këtë është bërë një zënkë masive në të cilën janë përfshirë lojtarët, madje edhe tifozët. Por, duke qenë se arbitri nuk ka mundur dot që të identifikojë se cilët nga lojtarët kanë qenë të përfshirë në zënkë, ka nxjerrë kartonin e kuq për të gjithë të pranishmit. Trajneri i Claypole, Sergio Micieli, është shprehur i pakënaqur me vendimin e arbitrit, pasi sipas tij, në zënkë janë përfshirë tre lojtarë nga njëri ekip dhe tre të tjerë nga ekipi tjetër dhe “për këtë arsye, duke qenë se arbitri nuk mund t’i identifikojë dot, nuk mund të na përjashtojë të gjithëve. Tashmë do të detyrohemi që ndeshjen e ardhshme në kampionat të luajmë më djelmosha”. Federata argjentinase e futbollit tashme ka nisur një hetim për këtë rast.

Lini një Përgjigje