Pato: Del Piero është idhulli im

4 Mars 2011, 11:46Sport TEMA

Sulmuesi brazilian i Milanit, Alesandre Pato, në prag të sfidës me Juventusin, ka dhënë një intervistë për torinezen “Tuttosport”, në të cilën tregon se kapiteni dhe simboli i bardhezinjve, Alesandro Del Piero, është idhulli i tij.

Pato, ç’mund të na thoni për fotot me Barbara Berluskonin?

Flasim vetëm për futboll më mirë.

Si të doni. Nesër do të zbrizni në Torino për të luajtur kundër Juventusit. Galiani i trembet një Juventusi të plagosur pas dy humbjeve të fundit. Juve?

Do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerët: Juventusi apo ekipi i fundit në renditje, për mua është e njëjta gjë. Objektivi ynë është që të fitojmë kampionatin dhe për këtë arsye duhet të mundim çdo kundërshtar. Fakti që bardhezinjtë janë pak a shumë të zemëruar, mua nuk më intereson.

E prisnit që Juventusi të ishte në këtë situatë të vështirë? Në fazën e parë ju mundi në “San Siro”…

Në Milano Juventusi bëri një ndeshje të mëdha, por kur je nga jashtë, nuk mund të shpjegosh këto ulje-ngritje. Unë nuk ndjek në fakt shumë se çfarë ndodh me ekipet e tjera, kur kthehem në shtëpi shoh vetëm ndeshjet tona.

Nëse do të kishe shkopin magjik, cilin lojtar do t’i hiqje Juventusit?

Ka shumë lojtarë të zotët. Po përmend nga një për çdo pozicion: Bufon, Kielini, Felipe Melo, një person i mirë dhe futbollist i zoti dhe Del Pieron.

E dini që prej muajsh në Torino po diskutohet për rinovimin e tij?

Në radhë të parë dua të them një gjë: Del Piero është një nga idhujt e mi më të mëdhenj. Kur isha i vogël dhe luaja playstation, Del Pieron e vendosja gjithmonë në ekipin tim. Ai është një shembull, ka bërë shumë për Juventusin, Italinë dhe futbollin botëror, njësoj si Maldini dhe Ronaldo.

Do t’i kërkoni fanellën në fund të ndeshjes?

Po, edhe pse besoj se do t’ja kërkojnë edhe shumë të tjerë. Shpresoj që të ma japë mua.

Keni mësuar diçka nga Del Piero?

Ai është i pabesueshëm në ekzekutimin e goditjeve të dënimit. Më kujtohet magjia e tij kundër Realit të Madridit, por edhe kontrolli i tij i topit, stopimi që i bën. Është një lojtar përallor.

Në moshën 36-vjeçare, e shihni veten “flamur” të milanit, siç ka ndodhur me Del Pieron tek Juventusi?

Unë po, kam një kontratë deri në vitin 2014 me Milanin, por që të jem i ndershëm, aktualisht jam duke menduar për të tashmen.

Ndaj Napolit luajtët një ndeshje të madhe, por në tre ndeshjet e mëparshme kishit përfunduar në pankinë. Është rikthyer Pato i vërtetë?

Unë nuk jam rikthyer, kam qenë gjithmonë këtu, por kam pasur shumë dëmtime në vitin 2010, që megjithatë, edhe pse kam luajtur pak ndeshje, kam shënuar gjithmonë gola. Megjithatë, në pankinë kam përfunduar edhe me Ançelotin. Dëgjoj të thuhet se unë punoj më shumë që të rikthehem titullar, por unë nuk dua që ta kem vendin e siguruar. Punoj gjithmonë për t’u përmirësuar dhe që të jap maksimumin për ekipin. Për mua, të luaj 20 minuta apo të gjithë ndeshjen, është e njëjta gjë. Trishtohem vetëm kur më ndodhin shumë dëmtime, si në sezonin e kaluar, jo për qëndrimin në pankinë dy apo tre ndeshje me radhë.

Lini një Përgjigje