Reformat në parti që Isa Mustafa i ka premtuar kur ka marrë drejtimin e LDK-së nuk po shihen kurrkund, tre muaj pas përmbylljes së procesit zgjedhor nacional. Po kështu, as bërja e një opozite të fortë në Parlament, shkruan gazeta “Koha Ditore”.
Mustafa është zgjedhur kryetar partie pak para se të organizoheshin zgjedhjet në nivel nacional. Popullariteti si kryetar i Komunës së Prishtinës i ishte rritur në parti, kryesisht për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj bashkëqeverisjes PDK-LDK. Ai e donte LDK-në në opozitë.
Tash kur ka dështuar t’ia kthejë LDK-së statusin e partisë më të madhe në vend, ka vendosur ta lërë në opozitë, që është hera e parë prej kur kjo parti është themeluar në vitin 1989. Një opozitë që prej një muaji nuk ka dhënë asnjë alternativë për të kundërshtuar politikat e subjekteve që përbëjnë pushtetin dhe që nuk ka provuar të bëjë një bllok opozitar me të tjera parti.
Mustafa ka dhënë të premten një arsye për këtë.
“Kemi të bëjmë me luajtjen e një roli shumë të përgjegjshëm të LDK-së si parti opozitare dhe ne nuk dëshirojmë t’ua imponojmë qëndrimet tona partive të tjera opozitare, ashtu siç nuk pranojmë që ato të na i imponojnë qëndrimet e tyre neve. Ne i kemi të qarta politikat tona, të cilat do t’i zhvillojmë”, ka këmbëngulur Mustafa. “Ne do të luajmë rolin e një opozite konstruktive, natyrisht duke bërë vërejtje në atë se çfarë ka ndodhur gjatë procesit zgjedhor dhe në çështje të cilat ne nuk i konsiderojmë se janë në harmoni me politikat që i zhvillon LDK-ja”.
Prej kur është konstituuar legjislatura e katërt rreth një muaj më parë, kanë qenë dy vendime me peshë që janë marrë nga deputetët – është zgjedhur presidenti i Republikës dhe është miratuar një rezolutë për dialogun Kosovë-Serbi. LDK-ja, si subjekti më i madh opozitar, nuk ka nxjerrë një kundërkandidat për president dhe as nuk ka nxjerrë një kundërrezolutë për dialogun. Kjo, ndonëse ka bojkotuar seancën kur është votuar Behgjet Pacolli president, si dhe ka votuar kundër rezolutës për dialog, të sponsoruar nga PDK-ja.
1 komente në “LDK pa reforma të brendshme dhe pa rolin e premtuar opozitar”
Comments are closed.