Superliga, Skënderbeu frenohet, lamtumirë titull?

12 Mars 2011, 16:38Sport TEMA

U luajtën të shtunën katër ndeshje të javës së 24-t të Kategorisë Superiore. Në ndeshjen kryesore, atë mes Besës dhe Skënderbeut, që u luajt në Kavajë s’pati asnjë fitues, teksa të dyja ekipet i mbyllën 90 minutat në një barazim pa gola. Një hap fals i korçarëve që pas këtij rezultati mund t’i kenë dhënë lamutimrën luftës për titull. Nëse Flamurtari kryesues fiton të dielën në Ballsh, distanca mes vendit të parë dhe Skënderbeut të vendit të dytë do të shkojë 6 pikë. Në Krujë, Kastrioti merr pikë të plota ndaj një rivali si Tirana, që tashmë nuk njihet më dhe regjistron rezultatin negativ të radhës, teksa vazhdon të përjetojë një nga momentet më të errëta në histori. Krutanët fituan me rezultatin 2-0. Në Durrës, barazim 0-0 mes Teutës dhe Vllaznisë. Keqardhja më e madhe për këtë rezultat kanë vendasit, të cilët humbën edhe një penallti. Ndërsa, në Tiranë, Dinamo nuk e pati aspak të vështirë të mundësi Elbasanin në shifrat 3-1.

Ndeshja e luajtur në Kavajë ka qenë një nga më interesantet dhe më emocionueset, ndonëse nuk u shënua asnjë gol. Të dyja ekipet vinin në kushte krej ekstreme në këtë sfidë, me Besën që përpiqet t’i largohet zonës së ftohtë, ndërsa Skënderbeu donte tre pikët për të mbajtur gjallë shpresta për titull. Duhet theksuar, se sfida ka qenë e barabartë, me të dyja skuadrat që kanë pasur raste për gol, por pa mundur t’i shfrytëzojnë ato. Tashmë, Skënderbeu ka 49 pikë, 3 më pak se Flamurtari i vendit të parë, që luan të dielën ndaj Bylisit. Besa mbetet në vendin e tretë nga fundi me 23 pikë.

Kastrioti shënoi dy gola në pjesën e dytë për të marrë një fitore të pastër ndaj Tiranës. Për bardheblutë, që nuk fitojnë prej 6 javësh, kjo humbje mund të ketë pasoja të rënda. Në minutën e 63-të ishte Alvizh që kaloi në avantazh krutanët, ndërsa në minutën e 76-të Ikong dyfishoi shifrat, duke firmosur kapitullimin e Tiranës. Ekipi kryeqytetas zbret nga vendi i katërt në të gjashtin, kurse Kastrioti ngjitet në vendin e tetë dhe barazon Shkumbinin e vendit të 7-ta me pikë (29).

Në “Niko Dovana”, sulmuesi Pepa u kthye brenda një jave nga hero në zero, pasi nuk mundi të transformonte në gol një 11-metërsh, që mund t’i kishte dhënë fitoren Teutës në sfidën ndaj Vllaznisë. Kujtojmë se pepa rezliaoi dy golat në atë fitore të teutës 2-1 ndaj Tiranës një javë më parë. Përveç penalltisë, sulmuesi ka humbur edhe një tjetër rast të pastër për gol. Nga ana tjetër Vllaznia mori një pikë që vlen për të forcuar pozitat e saj në vendin e vendin e tretë. Shkodranët tashmë duhen t’i ruhen Laçit dhe Dinamos, që kanë zëvendësuar Tiranën në rivalitetin për vendin e tretë.

Ndërkaq, Dinamo arriti një fitore komode 3-1 ndaj Elbasanit, me blutë që e zgjidhën takimin që në pjesën e parë. Së pari, ishte Ferraj që shkundi rrjetën në minutën e 36-të pasi ekzekutoi në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi. Pa kaluar dy minuta, Bërkiç dyfishoi rezultatin për dinamovitët. Elbasani është i pafuqishëm përpara bluve, që gjejnë edhe golin e tretë në minutat e fundit me Martinenën. Në sekondat e fundit, verdjeblutë gjëjnë golin e ngushëllimit me Kacolljen. Pas kësaj fitoreje Dinamo ngjitet në vendin e pestë me 36 pikë.

Laçi dërrmon Shkumbinin 5-2 në Peqin

Të premten, Laçi ka shkatërruar Shkumbinin, duke fituar me rezultatin 5-2 në takimin e luajtur në Peqin dhe që hapi javën e 24-t të Kategorisë Superiore. Një goleadë me një rezultat befasuar që nuk e kishte parashikuar askush.

Shkumbini, që nuk është larg zonës së ftohtë, është mundur thellë në fushën e vet, aty ku çdo ekip e ka të vështirë të dalë me pikë. Dhe ka qenë pikërisht Laçi ekipi që i ka bërë “gjëmën” peqinasve, duke i shënuar pesë gola Shkumbinit si rrallë ndonjëherë.

Ndeshja nisi krej normalisht me Shkumbinin që kaloi fillimisht në avantazh në minutën e 12-të. Dervishi fiton një 11-metërsh, që transformohet në gol nga Kuli. U duk se pqinasit do të merrnin një fitore komode por në minutat e fundit të pjesë së parë nis kthesa e madhe. Në minutën e 37-të është Dragiçeviç që barazon shifrat pas një aksioni personal, duke vënë në gjumë mbrojtësit vendas dhe dërgon topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më pas, është sërish Dragiçeviç ai që përmbys gjitha dhe kalon laçianet në avantazh pas një kombinimi me kolegun e sulmit Selimi. Peqinaset duken të gjunjëzuar, ndërsa tifozët kontestojnë. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-2. Me fillimin e pjesës së dytë vjen edhe goditja e radhës nga Laçi. Këtë herë është Selimi që gjen golin, në minutën e 48-të, pasi shfrytëzon edhe mefshtësinë e mbrojtjes peqinase. Shkumbini e humb toruan dhe laçianët përfitojnë më maksimum. Në minutën e 54-të vjen edhe goli i 4-1, me Dragiçeviçin. Peqinasit shkurtuan diferencën e golave në 4-2, në minutën e 67’të, falë sulmuesit boshnjak Gërboviç, por Laçi arriti të shënojë edhe golin e pestë në minutën e 76-të falë sulmuesit Vilfor Hysa. Gol që fikson rezultatin përfundimtar në 2-5.

Pas këtyre tre pikëve të fituara në transfertë ndaj Shkumbinit, në një sfidë që cilësohej si mjaft e rëndësishme për mesin e renditjes, Laçi gjendet në vendin e katërt me 37 pikë, duke kaluar në renditje skuadrën e Tiranës e duke rritur shpresat për një vend në Europa League edhe sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që Shkumbini gjendet në vendin e 7-të me 29 pikë, larg objektivave të vendosura në fillim të sezonit.

Të dielën zbret në fushë Flamurtari kryesues, që do të duhet të luajë në transfertën e vështirë të Ballshit, ndaj Bylisit vendas, që së fundmi ka larguar edhe trajnerin maqedonas Nikolla Ilievski./sportishqiptar/

Kategoria Superiore

Java e 24-t

Të premten

Shkumbini-Laçi      2-5

Shënues: Kuli 12’ (11m), Gërboviç 67’/ Dragiçeviç 37’, 39’, 53’, Selimi 48’, Hysa 78’

Të shtunën

Besa-Skënderbeu    0-0

Teuta-Vllaznia         0-0

Kastrioti-Tirana     2-0

Shënues: Alvizh 63’, Ikong 76’

Dinamo-Elbasani    3-1

Shënues: Ferraj 36’, Brkiç 38’, Martinena 87’ / Kacollja 89’

Të dielën

Bylis – Flamurtari ora 13:00

Lini një Përgjigje