BE-ja po e humb durimin me konstruksionet e Martyt

14 Mars 2011, 10:32Rajoni TEMA

Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i interesuar për hetime profesionale dhe sqarime deri në fund për akuzat që ka bërë Dick Marty ndaj disa ish- udhëheqësve të UÇK-së, ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj vetë BE-së,  për rastin e dyshuar të trafikimit të organeve. Por, në kohën kur  në BE pohojnë se EULEX-i tashmë ka nisur hetimet e veta, fitohet përshtypja se Dick Marty sikur nuk dëshiron të ndihmojë dhe, në vend që të ofrojë prova për akuzat që ka bërë ai, vë në dyshim vullnetin e BE-së dhe profesionalizmin e EULEX-it për ta çuar këtë punë deri në fund. Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, Dick Marty në kontaktet e pakta që ka pasur me BE-në, qoftë në mënyrë të shkruar apo edhe në paraqitjen e fundit në një takim të mbyllur në Komitetin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi konkrete, madje ka zgjeruar akuzat duke vënë dyshime edhe ndaj disa deputetëve të Parlamentit Evropian. “Sa më shumë që kemi kontakte me Dick Martyn aq më shumë konfuzë bëhemi, ai jep deklarata kontradiktore dhe nuk dëshiron të sqarojë. Kur i vërtetojmë disa pohime të tija kuptojmë se nuk e ka thënë të vërtetën. Për shembull, edhe vetë autoritetet e Serbisë janë shprehur të shokuara kur Marty ka thënë se nuk ka marrë informata nga ta, sepse vetë serbët pranojnë se i kanë dhënë disa paketa me material“, ka thënë një zyrtar evropian për “Kohën Ditore”.
Edhe shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë dalë të hutuar nga debati me Dick Martyn, të enjten e shkuar në Strasbourg. Ai atyre nuk ua ka dhënë asnjë dëshmi për akuzat që ka bërë, madje i ka zgjeruar ato duke vënë në dyshim profesionalizmin e EULEX-it që të kryejë hetimet. Sipas disa deputetëve të Parlamentit Evropian, Dick Marty ka thënë disa të pavërteta. Së pari ka përmendur si bazë një raport të UNMIK-ut të vitit 2003 (raport i cili nga Beogradi është lëshuar në qarkullim këto ditë), i cili flet për të ashtuquajturën „Shtëpi të verdhë“ në veri të Shqipërisë. Në konstatimin e Dick Martyt se „pas këtij raporti të UNMIK-ut nuk ka pasur hetime të mëtejme“ kanë reaguar disa deputetë duke e quajtur këtë pohim si të pavërtetë, sepse vetë Tribunali i Hagës ka bërë hetime dhe ka konstatuar se nuk ka fakte për të dëshmuar akuzat. Disa deputetë e kanë pyetur Dick Martyn se „kush do të duhej, sipas tij, të bënte hetimet, pasi që, siç thotë ai, Tribunali i Hagës nuk bën, EULEX-i nuk bën, UNMIK-u nuk i ka bërë si duhet, e kush bën atëherë?“, nuk ka pasur përgjigje nga senatori zviceran.  „Nuk mund të pranojmë argumentet se dëshmitarët kanë frikë nga e tërë bota, por i besojnë vetëm Dick Martyt. Në këtë rast ne duhet të mbrojmë edhe autoritetin dhe kredibilitetin e BE-së dhe të misionit tonë EULEX-it“, ka thënë për gazetën një deputet. Marty nuk ka qenë në gjendje të saktësonte nëse dëshmitarët e tij i kanë parë apo jo operacionet e heqjes së organeve, për çka ai ngre akuza. Deputetë të shumtë kanë kritikuar në takim Martyn për qasje joprofesionale, për shkrim të raportit në një mënyrë e cila diskrediton një parlamentar, sepse nuk mund të bëhen akuza pa nxjerrë prova.
Marty po ashtu është dukur jobindës sepse shihej se nuk i kishte as informatat elementare për rrethanat në të cilat ishte zhvilluar lufta në Kosovë, ngatërronte zonat dhe komandantët. Një tjetër shkon aq larg, saqë thotë se “gjithnjë e më shumë duket se Marty i ka të dhënat nga Beogradi”.  Marty, i zënë në befasi me pyetjet që ia bënin deputetët e Parlamentit Evropian, duke vënë me fakte në dyshim disa pohime të tij, ka filluar t’i akuzojë disa se kanë „interesa personale, sepse kanë lidhje me politikanët e Kosovës”.

2 komente në “BE-ja po e humb durimin me konstruksionet e Martyt”

  1. rexha italia says:

    BE ben mire te uli taksat e vendeve erozone dhe te reduktoj shpenzimet qe ben psh SI AI RESTORANT KROKODILI qe nga emri qe ka me duket se nuk ngopet kollaj

Comments are closed.

Lini një Përgjigje