Topi me ambasadorët: Zgjedhjet, me rëndësi për demokracinë

16 Mars 2011, 16:44Politika TEMA

Presidenti Bamir Topi është takuar gjatë pasdites së sotme me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë, për të diskutuar mbi zgjedhjet vendore më 8 maj.

Presidenti është shprehur se këto zgjedhje janë të rëndësishme jo vetëm për rezultatin, por për mënyrën se si ato do të zhvillohen dhe për pjekurinë që do të tregojnë partitë politike.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë pune në zyrën e tij me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart.

Fillimisht, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të organizmave ndërkombëtare dhe të vendeve mike e aleate në forcimin e shtetit të së drejtës, demokratizimin e mëtejshëm të vendit, konsolidimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe më aktualisht, në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura. Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011.

Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart shprehën kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, të cilin e konsideruan si tepër të rëndësishëm, dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Kreu i shtetit shqiptar, së bashku me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate, nënvizuan domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike.

Njëkohësisht bashkëbiseduesit vunë në pah se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e presidencës për këtë takim.

1 komente në “Topi me ambasadorët: Zgjedhjet, me rëndësi për demokracinë”

  1. beso says:

    Qe Topi qe u tha atyre,apo ata qe i thane Topit…?!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje