Pirlo, rikthim tek Interi!

18 Mars 2011, 11:02Sport TEMA

Andrea Pirlo është kthyer në një prej objektivave të shumë skuadrave, duke qenë se ende nuk ka gjetur një marrëveshje me Milanin dhe një fund të sezonit pritet që të jetë një lojtar i lirë. Për mesfushorin e kombëtares italiane ka shprehur një interesim tashmë të hapur Juventusi, që kërkon të përforcojë mesfushën pikërisht me 32-vjeçarin. Por, gjatë orëve të fundit duket se ka dalë në skenë edhe një tjetër hipotezë. Rikthimi i Pirlos tek Interi. Ende nuk ka asnjë konfirmim të interesimit të Interit për Pirlon, por mediat italiane bëjnë me dije se drejtuesit e Interit janë duke menduar seriozisht rikthimin e tij. Pirlo është një nga keqardhjet e mëdha të presidentit të Interit, Masimo Morati, pasi e la të kalonte tek rivalët e Milanit pothuajse falas, kur ende ai nuk ishte bërë ylli i sotëm. Për Pirlon, kohë më parë ka shprehur interesim edhe Çelsi, por transferimi i tij në Angli varet nga e ardhmja e Karlo Ançelotit. Nëse ky i fundit do të qendrojë edhe sezonin e ardhshëm në Londër, atëherë kalimi i Pirlos tek Çelsi do të ishte një mundësi reale. Ajo që duket e sigurtë tashmë, është fakti se milani duket se nuk ka ndërmend që të rinovojë me mesfushorin dhe kërkon ta lërë të lirë. Pirlo fiton 6 milionë euro në sezon dhe është pikërisht kjo arsyeja që Milani nuk kërkon të rinovojë me 32-vjeçarin. Drejtuesit e Milanit mendohet se i kanë ofruar Pirlos vetëm gjysmën e kësaj shifre, gjë që lojtari nuk e pranon.

Lini një Përgjigje