Futbolli italian prej kohësh është duke kaluar një krizë të rëndë, sidomos nga fakti që nuk është duke nxjerrë futbollistë të rinj të talentuar. Edhe ata pak të rinj që dalin nga ekipet zinxhir, e kanë të vështirë që të gjejnë vend në formacionet e ekipeve, për shkak se ekipet italiane kanë shumë pak besim tek ata dhe për më tepër që kërkojnë të fitojnë menjëherë dhe nuk mund tëp resin pjekjen e tyre. Për këtë arsye, trajneri i kombëtares italiane, Çezare Prandeli, ka menduar një zgjidhje alternative, që do t’i shërbente futbollistëve të rinj italianë. Ai kërkon që kombëtarja e 21-vjeçarëve të luajë në kategorinë e dytë të kampionatit italian, në atë që njihet si Seria B. Ideja është propozuar nga ana e Demetrio Albertinit dhe pritet që të diskutohet. Një prej trajnerëve legjendarë italianë dhe tani kordinator i kombëtares së të rinjve italianë, Arigo Saki, e ka mbështetur këtë ide, e cila është një tentativë e dëshpëruar për të shpëtuar futbollin e sëmurë italian. Megjithatë, duhet parë se si mund të realizohet kjo ide dhe si mund të binden klubet që të lejojnë lojtarët e tyre të rinj për të garuar me ekipin kombëtar.