Sa shumë sportistë të prekur nga tumori!

16 Mars 2011, 15:17Sport TEMA

Lajmi për sëmundjen e mbrojtësit francez të Barcelonës, Erik Abidal, ka tronditur gjithë botën e futbollit, e cila është shprehur e bashkuar për t’i qëndruar pranë në këto momente të vështira 31-vjeçarit. Mbrojtësi i Spanjës, megjithatë, nuk është i vetmi futbollist në Spanjë që është i prekur nga sëmundja e tumorit. Mbrojtësi i Real Betisit, Miki Roque, i është nënshtruar pak kohë më parë një operacioni për heqjen e malinjës. Duke shpresuar që futbollisti francez dhe ai spanjoll, të fitojnë ndeshjen më të rëndësishme, atë të jetës së tyre, duhet theksuar se precedentet e mëparshme në sport, bëjnë të besohet një fund i lumtur. Janë të shumta rastet kur sportistët janë prekur nga sëmundja e kancerit dhe kanë mundur që të mbijetojnë, duke filluar nga Molina tek Roben, nga Penev tek Aragoneses, për të arritur tek emblema e luftës kundër kancerit: Lens Armstrong.

Mesfushori holandez i Bajernit, Arjen Roben, pak veta e dinë, por ai ka qenë i diagnostifikuar me kancer dhe mundi që t’ia dalë mbanë, duke u shëruar plotësisht. Në fillim të vitit 2004, kur holandezi kishte filluar të identifikohej si një talent në futbollin ndërkombëtar, Roben u diagnostifikua me tumor në testikuj. Lajmi mbeti sekret dhe pas kalimit të frikës për sëmundjen, u bë publik nga ana e holandezit.

Roben nuk është i vetmi futbollist që ka qenë i prekur nga tumori: edhe sulmuesi bullgar i Valencias, Lubo Penev, në vitin 1994 u diagnostifikua me kancer në testikuj. Kjo bëri që sulmuesi të humbiste botërorin e futbollit të zhvilluar në Amerikë. Por, ai mundi që të fitojë betejën me sëmundjen dhe në vitin 1995 u rikthye sërish në fushat e futbollit, për të luajtur me Atletiko Madridin, me të cilin qe deçiziv në fitimin e kampionatit dhe Kupës së Spanjës.

Tumori i testikujve, që duket se nuk ka pushuar së persekutuar botën e futbollit, ka prekur edhe dy porierë, Molina dhe Aragoneses. Edhe në këto dy raste, sëmundja është mposhtur. Ish-portieri i Deportivos, Molina, në vitin 2002 mori vesh që ishte i prekur nga tumori në testikuj, por nuk u dorëzua dhe me anë të kimioterapisë mundi që të triumfojë ndaj sëmundjes dhe të rikthehet në fushë gjashtë muaj më vonë. E njëjta gjë edhe për portierin e Tenerifes, Serxhio Aragoneses, i cili në vitin 2005 u diagnostifikua me tumor, por mundi që ta mposhtë sëmundjen dhe vazhdon që të mbrojë portën e Tenerifes aktualisht.

Xherman Burgos është një tjetër portier që është prekur nga tumori. Në vitin 2003, kur ai luante për Atletiko Madrid, u diagnostifikua me tumor, por, si në rastet e mësipërme, ai e mposhti sëmundjen dhe u rikthye sërish në fushë, për t’u tërhequr më pas në vitin 2004.

Me futbollin nuk ka lidhje, por është shembulli më i shkëlqyer i luftës ndaj sëmundjes. Lens Armstrong ka qenë një nga sportistët më të persekutuar nga sëmundja, pasi ka qenë i diagnostifikuar me tumor në testikuj. Në vitin 1996, Armstrong kishte vetëm 40% mundësi që të vazhdonte të jetonte. Por, ai jo vetëm që arriti të fitonte ndaj sëmundjes, por u bë edhe shembull frymëzimi për sportistët e tjerë të prekur nga kjo sëmundje, si p.sh për holandezin Arjen Roben. Armstrong nuk u ndal nga sëmundja dhe në vitin 2005 arriti që të fitonte të shtatin Tur të Francës radhazi.

Lini një Përgjigje