Ndërsa drejtuesit e Juventusit kërkojnë qetësi në këto momente, numrat janë alarmante dhe është e vështirë që mos ta kontestosh këtë ekip. Me vetëm 11 pikë të grumbulluara gjatë këtyre 12 ndeshjeve të fundit të kampionatit italian, Juventusi do të ishte vetëm në vendin e katërt nga fundi, duke lënë pas vetëm Parmën, Sampdorian dhe Barin. Një bilanc sportiv dramatik për një ekip si Juventusi, që gjithmonë është mësuar të luftojë për kreun, por edhe ekonomik, duke parë shpenëzimet e kryera për lojtarët që ka në dispozicion. E vërteta është pra, se edhe pas 12 muajsh, situata tek Juventusi është e njëjtë dhe ekipi është në krizë të plotë, pavarësisht revolucionit që ndodhi gjatë kësaj vere tek bardhezinjtë. Në këtë fazë të kampionatit, ekipi, që iu besua Zakeronit, ishte në një krizë të thellë, ashtu siç është tani, pavarësisht disa ndeshjeve të mirë. Në fund të sezonit, bardhezinjtë mezi arritën që të fitonin një vend për kompeticionin më të ulët evropian, Ligën e Europës. Ashtu si atëherë, pas provës kurajoze me Interin, edhe këtë vit filloi disheza e plotë. Një dishezë që reflektohet në mënyrë të rëndë në tabelën e klasifikimit, aq sa tashmë Liga e Kampioneve duket si një mirazh për bardhezinjtë, por edhe Liga e Europës rrezikon që të largohet, nëse vazhdohet me këto ritme. Fiorentina dhe Palermo janë vetëm 2 pikë larg, ndërsa Bolonja dhe Kaljari ndodhen tre pikë larg. Kujt ja merrte mendja në fillim të sezonit që Juventusi do të ishte kaq pranë në renditje me ekipe si Kaljari dhe Bolonja? Ja që kjo tashmë është e vërtetë. Mjafton një hap fals dhe Juventusi mund të përfundojë akoma dhe më poshtë. Dhe kjo, duke parë edhe kalendarin e vështira, nuk është çudi që të ndodhë. Bardhezinjtë duhet të luajnë në transfertë më Fiorentinën, Romën dhe Lacion, ndërsa do të presin në shtëpi edhe një ekip të vështirë si Napoli në javën e fundit. Për më tepër shqetësuese është edhe vlera e grupit të lojtarëve. Pepe, Martinez, Bonuçi dhe Mota, të afruar në merkaton e verës, nuk kanë dhënë atë që pritej, duke zhgënjyer. Por, edhe lojtarë që kanë qenë edhe sezonin e kaluar, si Jakuinta, Amauri dhe Kielini, kanë lënë për të dëshiruar gjatë këtij sezoni. Të gjithë tashmë kanë filluar që të kërkojnë përgjegjësi tek drejtuesit, duke nisur në radhë të parë nga tifozët e Juventusit dhe deri tek mediat sportive që janë pranë bardhezinjve. Tifozët tashmë e kanë humbur durimin dhe kërkojnë që të rikthehet ish-drejtori i bardhezinjve, Luçiano Moxhi. Së bashku me mediat, si gazeta torineze “Tuttosport”, kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të teknikut Del Neri. Ky i fundit, përveç rezultateve negative, i ka acaruar së tepërmi edhe me deklaratat e tij, duke thënë pas humbjeve të fundit se ka parë përparime tek ekipi, në një kohë që tifozët dhe media presin fitore, jo fjalë. Situata është aq e tendosur, sa drejtuesit e Juventusit bënë edhe një deklaratë kundër gazetës sportive torineze, “Tuttosport”, e cila ka qenë shumë kritike gjatë javëve të fundit me trajnerin Del Neri dhe drejtorin sportiv, Marota. Duke parë se çdo gjë është negative, ajo që presin të gjithë në verë, është një tjetër revolucion tek Juventusi. Por, këtë radhë nuk duhet të bëhet me lojtarë të mesëm dhe trajnerë që nuk janë mësuar të luftojnë për objektiva të rëndësishme. Këtë radhë revolucioni duhet bëre me lojtarë kampionë dhe trajnerë që dinë si fitohet. Kjo nuk do të jetë e lehtë, duke parë që Juventusi me shumë mundësi nuk do marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, gjë që do të ndikojë në të ardhurat e klubit, por edhe në dëshirën e lojtarëve të mëdhenj për të ardhur tek klubi torinez.