Presidenti i Bajernit të Mynihut, Kalr Hainz Rumenige, ka thënë se trajneri holandez, Luis Van Gal, do të qëndrojë në krye të klubit gjerman deri në fund të sezonit, pavarësisht eliminimit në Ligën e Kampioneve me Interin. “Jemi të gjithë të zhgënjyer nga rezultati. Ishte një goditje në zemër për ne. Tani duhet të limitojmë dëmet në Bundesligë, edhe pse kjo gjë nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë Rumenige. Bajerni është duke kaluar një nga momentet më të vështira gjatë këtyre viteve të fundit, pasi tashmë nuk lufton për asnjë titull, duke qenë se në kampionat është shumë larg vendit të parë, ndërsa u eliminua nga Kupa e Gjermanisë dhe Liga e Kampioneve. Jo vetëm kaq, por Bajerni rrezikon seriozisht që mos të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve, duke qenë se ndodhet në vendin e katërt.